Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pzd.nr.133/2019, të 18 nëntorit 2019

Nr. të lëndës KI 35/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI35/20, Parashtruese: Ðeljalj Kazagić, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pzd.nr.133/2019, të 18 nëntorit 2019

KI35/20, Aktvendim për papranueshmëri, 22 korrik 2020, publikuar më 4 gusht 2020

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, përsëritje e  procedurës penale, barazia para ligjit, e drejta për gjykim të drejtë, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës për herë të pestë parashtroi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese. Në kërkesën e fundit KI35/20, ai kontestoi kushtetutshmërinë e Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pzd. nr. 133/2019, të 18 nëntorit 2019, duke pretenduar në shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet: 21 [Parimet e Përgjithshme], 24.1 [Barazia para Ligjit], 31.2 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 33.4 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Raste Penale], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], dhe 55.5 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Pasi e shqyrtoi ne tërësi kërkesën e parashtruesit të kërkesës, Gjykata përkitazi me pretendimet për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, vlerësoi se kërkesa e tij duhej shpallur e papranueshme si e papajtueshme ratione materiae me Kushtetutën, sepse neni 31 i Kushtetutës në dritën e interpretimit të nenit 6 të Konventës për të Drejtat e Njeriut nuk është i zbatueshme në situatat kur kërkesat e parashtruesve për përsëritjen ose rihapjen e një gjykimi të përfunduar me vendim të formës e prerë janë refuzuar nga gjykatat e rregullta. Ndërsa sa i përket pretendimeve te tjera për shkelje të neneve 21.4, 24.1,  33.4, 54 dhe 55.5 të Kushtetutës Gjykata e deklaroi kërkesën e tij qartazi të pabazuar, pasi që parashtruesi vetëm i kishte përmendur nenet në fjalë pa elaboruar tutje se si kishte ardhur deri te shkelja e tyre.

Rrjedhimisht, Gjykata, bazuar nga si me sipër, konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës, përkitazi me: i. pretendimet për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetues, nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën, dhe ii. pretendimet për shkelje të neneve 21.4, 24.1,  33.4, 54 dhe 55.5 të Kushtetutës, në baza kushtetuese, kërkesa duhet deklaruar qartazi e pabazuar në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores se punës.

Parashtruesit:

Ðeljalj Kazagić

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim