KI50/18, Parashtrues: Ðeljalj Kazagić, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pml. nr. 110/2017, të 13 nëntorit 2017
KI50/18 Aktvendim për papranueshmëri, miratuar më 16 janar 2019, publikuar më xx xx 2019
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë penale, e drejta për gjykim të drejtë, të drejtat e të akuzuarit, ratione materiae, kërkesë e papranueshme.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se gjykatat e rregullta, duke refuzuar kërkesat e tij për rishikim të procedurës penale, kanë bërë shkelje të nenit 30 [Të drejtat e të akuzuarit], paragrafin 3 të Kushtetutës, për shkak të mohimit të së drejtës për të siguruar mbrojtjen e tij dhe mundësisë për t’i kundërshtuar deklaratat e dëshmitarëve dhe provat në ngarkim të tij, si dhe shkelje të nenit 31 [E drejta për gjykim të drejtë], paragrafët 1 dhe 2 të Kushtetutës, me pretendimin se atij iu pamundësua pjesëmarrja në seancën e Dhomës së Gjykatës së Apelit.
Gjykata, pasi vlerësoi rastin në tërësi, erdhi në përfundim se neni 6 i Konventës nuk zbatohet në procedurat për rishikimin e ndonjë rasti penal, sepse një person dënimi i të cilit është bërë i plotfuqishëm dhe i cili bën kërkesë për rishikimin e rastit të tij gjatë kësaj procedure (rishikimit), nuk është akuzuar për vepër penale brenda kuptimit të nenit 6 të Konventës. Për këtë arsye, Gjykata konsideroi se pretendimet e parashtruesit në lidhje me refuzimin nga gjykatat e rregullta të kërkesës së tij për rishikim të procedurës penale, si të tilla, nuk janë ratione materiae në pajtim me Kushtetutën, për shkak se neni 31 i Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të Konventës nuk zbatohet. Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës, në pajtim me rregullin 39 (3) (b) të Rregullores së punës është e papranueshme.
Ðeljalj Kazagić
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës
Penale