Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 47/2019, të 12 marsit 2019

Nr. të lëndës KI 112/19

Parashtruesit: Ilir Kabashi

Shkarko:

KI112/19, Parashtrues: Ilir Kabashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 47/2019, të 12 marsit 2019

 KI112/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 7 nëntor 2019, publikuar më 9 dhjetor 2019.

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, vërtetimi i pronësisë, masa e përkohshme, ndërhyrja në procedurë, “vendimi i fundit”, kërkesa jashtë afatit

Lidhur me pronën që ishte në shfrytëzim të parashtruesit ishin zhvilluar disa procedura gjyqësore, ku mes tjerash ishte vendosur edhe për masën e përkohshme për mosshitjen e asaj prone deri në vendosjen për meritat e rastit. Parashtruesit të  kërkesës, fillimisht, i ishte njohur statusi i ndërhyrësit në këtë procedurë.

Mirëpo, më 29 janar 2009, Gjykata Komunale përmes Aktvendimit kishte revokuar  Aktvendimin [C. nr. 35/04] të Gjykatës Komunale, të 5 qershorit 2008, lidhur me lejimin e ndërhyrësit në procedurë të parashtruesit, pasi ai nuk kishte marrë pjesë në seancat gjyqësore lidhur me padinë. Më 3 nëntor 2017, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur propozim në Gjykatën Themelore në Prishtinë për anulimin e masës së përkohshme të vendosur me Aktvendimin [E. nr. 231/07] të 22 shkurtit 2007.

Gjykata Themelore, përmes Aktvendimit [C. nr. 929/15] kishte hedhur poshtë propozimin e parashtruesit të kërkesës për anulimin e masës së përkohshme me arsyetimin se ai nuk është palë e autorizuar për të paraqitur propozimin, pasi nuk është palë në procedurën lidhur me padinë, ndërsa statusi i palës ndërhyrëse në procedurë i është revokuar me Aktvendimin e Gjykatës Themelore, të 29 janarit 2009. Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit [Ac. nr. 534/18], refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin [C. nr. 929/15] të Gjykatës Themelore. Më 12 mars 2019, Gjykata Supreme, përmes Aktvendimit Rev. nr. 47/2019, hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit kundër Aktvendimit [Ac. nr. 534/18].

Parashtruesi i kërkesës pretendon para Gjykatës Kushtetuese se gjykatat e rregullta kanë  shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, dhe nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së, kur kanë vendosur lidhur me procedurat e gjykatave të rregullta që kanë trajtuar kërkesën e tij për revokimin e masës së përkohshme lidhur me ngastrën e kontestuar.

Duke vlerësuar nëse kërkesa e parashtruesit ishte paraqitur brenda afatit 4 (katër) mujor, Gjykata vlerësoi se “vendim i fundit” sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese dhe të GJEDNJ-së, dhe që mund të vlerësohej nga Gjykata Kushtetuese sipas nenit 49 të Ligjit, është Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 534/18], i 14 gushtit 2018, me të cilin ishte refuzuar ankesa e parashtruesit kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore [C. nr. 929/15] të 30 nëntorit 2017, dhe i cili ishte përfundimtar dhe i paapelueshëm.

Gjykata rikujtoi se Aktvendimi i Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 534/18], ishte nxjerrë më 14 gusht 2018. Edhe pse parashtruesi nuk ka cekur datën e pranimit të këtij aktvendimi, nga faktet e rastit, është e qartë së koha në mes të pranimit të aktvendimit dhe të datës së dorëzimit të kërkesës së tij, më 2 korrik 2019, në Gjykatën Kushtetuese, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh.

Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 534/18] është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.

Parashtruesit:

Ilir Kabashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile