KI54/21, Parashtrues: Kamber Hoxha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 393/2020, të 1 shkurtit 2021
KI54/21, Aktgjykim i 4 nëntorit 2021, publikuar më 8 dhjetor 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për qasje në gjykatë
Rrethanat e rastit konkret, ndërlidhen me një vendim të vitit 2004 të punëdhënësit, përkatësisht Shërbimit korrektues, Qendra e Paraburgimit në Lipjan, për shkëputjen e marrëdhënies së punës si rezultat i shkeljes disiplinore gjatë orarit të punës. Parashtruesi i kërkesës, fillimisht kishte kontestuar këtë vendim në organin e shkallës së dytë të punëdhënësit, i cili pas 6 (gjashtë) muajsh më vonë, kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës. Kundër këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës kishte filluar procedurat para gjykatave të rregullta. Gjykata Komunale në Lipjan, kishte vendosur në favor të parashtruesit përkatës, duke e detyruar punëdhënësin që të njëjtin ta kthejë në vendin e tij të mëparshëm të punës, duke i njohur atij të gjitha të drejtat që dalin nga kjo marrëdhënie e punës.
Megjithatë, si rezultat i ankesës së punëdhënësit lidhur me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës gjatë periudhës të vitit 2006 deri në vitin 2015, procedura ishin zhvilluar në Gjykatën e Qarkut, në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, në Gjykatën e Apelit dhe në Gjykatën Supreme, në të cilat kjo kërkesëpadi ishte shqyrtuar si nga aspekti procedural dhe ai i meritave të kërkesëpadisë. Përfundimisht, çështja ishte kthyer në rivendosje në Gjykatën Themelore, dhe e cila sërish kishte aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Megjithatë, dhe duke vendosur sipas ankesës së punëdhënësit, Gjykata e Apelit, kishte prishur Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke e refuzuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, kësaj radhe duke konstatuar se padia fillestar ishte paraqitur jashtë afateve ligjore siç është përcaktuar në Ligjit për të Drejtat Themelore të Marrëdhënies së Punës të 28 shtatorit 1989 të RSFJ-së. Duke vepruar sipas kërkesës për revizion, Gjykata e Supreme konfirmoi qëndrimin e Gjykatës së Apelit.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës i kontestoi konstatimet e lartcekura të Gjykatës Supreme, përfshirë edhe ato të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar se të njëjtat janë nxjerrë në kundërshtim me garancitë e mishëruara në të drejtat e tij kushtetuese që ndërlidhen me të drejtën e tij për mjet juridik dhe mbrojtje gjyqësore e të drejtave të përcaktuara përmes neneve 32 [E Drejta për Mjet Juridik] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, respektivisht.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht theksoi se rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret, ngërthejnë elemente të së “drejtës për qasje në gjykatë”, si pjesë përbërëse e të drejtës në gjykim të drejtë edhe të paanshëm, të garantuara përmes nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] Kushtetutës dhe nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe përcaktuar për pasojë, që pretendimet e parashtruesit të kërkesës do të shqyrtohen nga këndvështrimi i këtyre të drejtave.
Gjykata, në këtë aspekt, duke shtjelluar dhe aplikuar parimet e vendosura përmes praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi se:
(i) interpretimi tejet formalist dhe konstatimi në lidhje me aplikueshmërinë e dispozitave të Ligjit për të Drejtat Themelore të Marrëdhënies së Punës të 28 shtatorit 1989 të RSFJ-së nga ana e Gjykatës Supreme, duke rezultuar në konstatimin se padia fillestare e parashtruesit të kërkesës ishte e jashtëafatshme, sepse i njëjti, në esencë, nuk duhej të priste vendimin e organit të shkallës së dytë, por të vepronte bazuar në heshtjen administrative të të njëjtit, pas një dekade procedurash në të cilat padia e parashtruesit të kërkesës ishte vendosur e rivendosur në merita, nuk është proporcional me qëllimin e ndjekur për garantimin e sigurisë juridike dhe administrimit të mirëfilltë të drejtësisë, si një ndër parimet bazë të sundimit të ligjit në një shoqëri demokratike; dhe
(ii) si rezultat i këtij interpretimi dhe konstatimi të Gjykatës Supreme, parashtruesit të kërkesës i është mohuar “e drejta e tij e qasjes në gjykatë”, e drejtë kjo e mishëruar në garancitë procedurale të përcaktuara përmes të drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar më Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se Aktvendimi i kontestuar [Rev. nr. 393/2020] i 1 shkurtit 2021 i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të garantuara përmes nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe rrjedhimisht, shpalli të njëjtin të pavlefshëm duke e kthyer në rivendosje në pajtueshmëri me konstatimet e Gjykatës Kushtetuese.
Kamber Hoxha
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile