Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 234/2019, të 22 gushtit 2019

Nr. të lëndës KI 26/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI26/20, Parashtrues i kërkesës: Fatmir Kahrimani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 234/2019, të 22 gushtit 2019

KI26/20, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 30 shtator 2020, i publikuar më 13 tetor 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest pune, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Kërkesa është dorëzuar nga Fatmir Kahrimani nga Komuna e Pejës, i përfaqësuar nga Lulzim Balaj, avokat nga Peja.

Parashtruesi i kërkesës e konteston, rrjedhimisht, Aktgjykimin e lartcekur duke pretenduar në esencë shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me nenet 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ), si dhe me nenin 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës specifikisht kërkoi nga Gjykata “kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e të ardhurave personale”.

Përkitazi me shkeljet e pretenduara të neneve të lartcekura të Kushtetutës dhe KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës përveç përmendjes së këtyre neneve, në asnjë mënyrë nuk ka argumentuar se si dhe pse atij i janë shkelur të drejtat e tij të mbrojtura me Kushtetutë dhe KEDNJ.

Në këtë aspekt, Gjykata rikujton praktikën e saj gjyqësore sipas së cilës vetëm përmendja e një neni të Kushtetutës, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë, nuk mjafton si argument për të aktivizuar makinerinë e mbrojtjes që ofron Kushtetuta dhe Gjykata, si institucion që përkujdeset për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. (Shih, në këtë kontest, rastet e Gjykatës KI02/18, parashtrues Qeveria e Republikës së Kosovës [Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor], Aktvendim për papranueshmëri, i 20 qershorit 2019, paragrafin 36; dhe KI95/19, parashtrues Ruzhdi Bejta, Aktvendim për papranueshmëri i 8 tetorit 2019, paragrafët 30-31).

Gjykata në këtë kontekst thekson se gjykatat e rregullta dhe specifikisht Gjykata Supreme kishte konstatuar se parashtruesi i kërkesës ishte vonuar në paraqitjen e padisë, dhe me këtë rast kishte lëshuar afatet ligjore të parapara me dispozitat ligjore për paraqitjen e padisë.

Siç u sqarua më lart, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës nuk sjell asnjë argument apo arsyetim shtesë në mbështetje të pretendimeve të tij për shkelje të të drejtave të tij kushtetuese. Për pasojë, Gjykata bazuar në Rregulloren e saj të punës, përkatësisht paragrafin 2 të rregullit 39 të saj, e shpallë këtë kërkesë të papranueshme si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese, sepse parashtruesi i kërkesës nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij.

 

 

 

 

Parashtruesit:

Fatmir Kahrimani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative