Aktvendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Pzd.nr.61/2020, të 24 shtatorit 2020 

Nr. të lëndës KI 184/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI184/20, parashtrues: Đeljalj Kazagić, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Pzd.nr.61/2020, të 24 shtatorit 2020 

KI184/20, aktvendim i 7 tetorit 2021, i publikuar më 29 tetor 2021 

Fjalët kyç: kërkesë individuale, përsëritja e procedurës penale, barazia para ligjit, e drejtë për gjykim të drejtë, mbrojtje gjyqësore e të drejtave, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesi dorëzoi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për herë të gjashtë. Në kërkesën e fundit KI184/20, parashtruesi e kontestoi kushtetutshmërinë e aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Pzd.nr. 61/2020, të 24 shtatorit 2020, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet: 1.1 [Përkufizimi i Shtetit], 3.2 [Barazia para Ligjit], 7.1 [Vlerat], 24.1 [Barazia para Ligjit], 29.4 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 33.4 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], 102.3 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] dhe 125.1 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe me nenin 1 (Ndalimi i përgjithshëm i diskriminimit) të Protokollit nr. 12 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: Konventa.

Pasi që e shqyrtoi kërkesën e parashtruesit në tërësi, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës në kërkesën e tij nuk e përmend në mënyrë eksplicite nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës, por është e qartë nga pretendimet e tij se thelbi i kërkesës së tij është arsyetimi ose zbatimi i gabuar i ligjit në arsyetimin e dhënë nga Gjykata Supreme, i cili rezulton me  shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, një e drejtë e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës. Lidhur me pretendimin për shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar, Gjykata vlerësoi se kërkesa e tij duhet të shpallet e papranueshme për shkak se nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën sepse neni 31 i Kushtetutës në dritën e interpretimit të nenit 6 të Konventës për të Drejtat e Njeriut nuk është i zbatueshëm në situatat kur kërkesat e parashtruesve të kërkesës për përsëritje apo rihapje të një gjykimi të përfunduar me vendim të plotfuqishëm janë refuzuar nga gjykatat e rregullta. Ndërsa, sa i përket pretendimeve të tjera për shkelje të neneve 1, 3, 7, 24, 29, 32, 33, 54, 102 dhe 125 të Kushtetutës si dhe nenit 1 të Protokollit nr. 12, Gjykata e shpalli kërkesën e tij qartazi të pabazuar për arsye se parashtruesi i kërkesës vetëm ka përmendur nenet përkatëse, pa shtjelluar më tej se si ka ardhur deri tek shkelja e tyre.

Prandaj, në bazë të asaj që është thënë më sipër, Gjykata erdhi në përfundimin se kërkesa e parashtruesit: i) në lidhje me pretendimet për shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën; ndërsa  ii) në lidhje me pretendimet për shkelje të neneve 1, 3, 7, 24, 29, 32, 33, 54, 102 dhe 125  të Kushtetutës si dhe nenit 1 të Protokollit nr.12, sipas bazave  kushtetuese, kërkesa  duhet të deklarohet qartazi e pabazuar, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Đeljalj Kazagić

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Neni 3 - Barazia para Ligjit, Neni 7 – Vlerat, Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 32 - E Drejta për Mjete Juridike , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave, Neni 102 – Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor

Kërkesa është qartazi e pabazuar, Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale