Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme [Rev. Nr. 486/2022]  të 15 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimin  [Ac.nr.1880/2022] të 18 korrikut 2022 të Gjykatës së Apelit

Nr. të lëndës KI15/23

Parashtruesit: Agron Dalladaku

Shkarko:

KI15/23, Parashtrues Agron Dalladaku, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme [Rev. Nr. 486/2022]  të 15 dhjetorit 2022 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimin  [Ac.nr.1880/2022] të 18 korrikut 2022 të Gjykatës së Apelit

KI15/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 17 janarit 2024, publikuar më  13 mars 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, jashtë afatit.

Nga shkresat e lëndës rezulton se personat G.D., dhe F.Zh.D., në cilësinë e paditësit më 15 tetor 2020 kanë parashtruar padi në Gjykatën Themelorë duke kërkuar që të aprovohet kërkesëpadia e tyre dhe të vërtetohet që i padituri, përkatësisht parashtruesi i kërkesës ka penguar paditësit në posedim të banesës se tyre duke ndryshuar strukturën e hyrjes se banesës dhe pamundësimin e shfrytëzimit të saj. Paditësit gjithashtu kërkuan që i padituri, përkatësisht parashtruesi i kërkesës të kthej banesën në posedimin e tyre duke ja dorëzuar mjetet e qasjes brenda saj si dhe te përmbahet nga ndonjë veprim që pengon posedimin/shfrytëzimin e banesës.

Më 23 mars 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.4565/20] aprovoj si te bazuar kërkesëpadinë e paditësve duke konstatuar se parashtruesi i kërkesës ka privuar paditësit nga posedimi i banesës dhe rrjedhimisht urdhëroj parashtruesin e kërkesës që në afat prej 7 (shtatë) ditëve t’ua kthej paditësve në posedim banesën si dhe të detyroj që të kompensoj  shpenzimet e kontestit në vlere prej 800 euro, 20 cent  (tetë qind euro e njëzet cent). Ky vendim ishte konfirmuar nga Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.1880/2022]. Kundër këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme. Ndërsa, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit  [Rev.nr.486/2022] të 15 dhjetorit 2022 duke u bazuar në paragrafin 4 të nenit 481 të Ligjit nr. 03/l-006 për Procedurën Kontestimore hodhi poshtë revizionin si të palejuar me arsyetimin se kundër aktvendimeve të dhëna në kontestet për shkak të pengimi të posedimit revizioni nuk është i lejuar.

Gjykata rikujton se, në rastin e parashtruesit, pas pranimit të Aktvendimit  [Ac.nr.1880/2022] të 18 korrikut 2022 të Gjykatës së Apelit, asgjë nuk e ka ndaluar atë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës në kohe kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme i cili ishte hedhur poshtë nga e njëjta duke u bazuar në paragrafin 4 të nenit 481 të Ligjit nr. 03/l-006 për Procedurën Kontestimore (shih rastin e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, paragrafi 42).

Rrjedhimisht, si “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit është Aktvendimi [Ac.nr.1880/2022]  i Gjykatës së Apelit, i 18 korrikut 2022, me të cilin ishte refuzuar ankesa e parashtruesit të kërkesës, dhe i cili ishte përfundimtar dhe i paapelueshëm (shih rastin e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 43 dhe referencat e përmendura aty).

Gjykata rikujton se Aktvendimi [Ac.nr.1880/2022]  i Gjykatës së Apelit, i 18 korrikut 2022, edhe pse parashtruesi nuk ka cekur datën e pranimit të këtij vendimi, nga faktet e rastit, është e qartë së koha në mes të pranimit të aktvendimit dhe datës së dorëzimit të kërkesës së tij, më 27 janar 2023, në Gjykatën Kushtetuese, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh (shih rastin e Gjykatës KI112/19 parashtrues Ilir Kabashi, cituar më lart, paragrafi 44).

Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktvendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesit:

Agron Dalladaku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile