Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 28/2020], i 11 shkurtit 2020

Nr. të lëndës KI 70/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI70/20, Parashtrues: Rasim Shabani dhe të tjerët, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 28/2020], i 11 shkurtit 2020   

Fjalët kyç: kërkesë individuale, shkelje e nenit 31 dhe 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut  

Nga shkresat e lëndës rezulton se rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me shpronësimin e pronës së parashtruesve të kërkesës nga Departamenti për Urbanizëm, Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë i Komunës së Fushë-Kosovës përmes Vendimit nr. 58, përkatësisht përmes Aktvendimit plotësues [06. nr. 58/2], duke u thirrur në nenin 15 të Ligjit mbi Eksproprijimin, me qëllim që t’i sigurohet tokë Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës. Në procedurën administrative të udhëhequr pranë Komunës së Fushë-Kosovës, nuk ishte arritur pajtueshmëri mes palëve për kompensimin e vlerës së paluajtshmërisë së eksproprijuar. Si rezultat i kësaj, më 7 tetor 2005, rasti u referua në Gjykatën Komunale në Prishtinë për zgjidhje.

Gjykata Komunale në Prishtinë fillimisht, ndërpreu procedurën përmes Aktvendimit [N. nr. 498/2005] të 27 qershorit 2012, për shkak të vdekjes së propozuesit, respektivisht pronarit të ngastrës së shpronësuar dhe vendosi që procedura të vazhdojë me propozimin e palëve. Pas një kohe, përkatësisht më 13 maj 2014, parashtruesit e kërkesës, në cilësinë e trashëgimtarëve ligjorë të SH. SH., të shpallur me Aktvendimin [O. nr. 380/11] e Gjykatës Komunale në Prishtinë, dega në Graqanicë, iu drejtuan Gjykatës Themelore në Prishtinë që procedura e ndërprerë të vazhdohet duke kërkuar që të caktohet një ekspert për caktimin e vlerës së çmimit të tregut të pronës së eksproprijuar. Kërkesa për caktimin e ekspertit ishte aprovuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila përmes Aktvendimit [N. nr. 498/05] të 26 shkurtit 2015, duke u bazuar në nenin 13 të Ligjit mbi eksproprijimin të 22 nëntorit 1986 dhe në ekspertizën e ekspertit, urdhëroi që parashtruesve të kërkesës t’u paguhet kompensimi nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, në emër të shpronësimit në vlerë prej 490.568.00 € (katërqind e nëntëdhjetë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e tetë euro), me kamatë të cilën e aplikojnë bankat për mjetet e afatizuara mbi 1 (një) vit, pa destinim prej 11 gushtit 2014. Pas ankimimit nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 2090/15] të 14 tetorit 2019 refuzoi ankesën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” dhe në fund vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesit e kërkesës paraqitën revizion në Gjykatën Supreme përkitazi me kamatën e gjykuar, duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale, përkatësisht aplikim të gabuar të ligjit nga ana e gjykatave të rregullta sepse me rastin e llogaritjes së kamatës nuk janë aplikuar dispozitat ligjore që kanë qenë në fuqi në kohën e nxjerrjes së aktvendimit të atakuar, përkatësisht parashtruesit pretendojnë aplikim të gabuar të ligjit sepse me rastin e përcaktimit të kamatës nga Gjykata Themelore në Prishtinë nuk është aplikuar neni 16, paragrafi 2, pika 2.2 e Ligjit nr. 03/l-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, të 8 majit 2010, i ndryshuar dhe i plotësuar përmes Ligjit nr. 03/l-205, më 10 dhjetor 2010, i cili nen, sipas tyre, përcakton përqindjen e kamatës për pronën e shpronësuar 7% interes i thjeshtë vjetor dhe kapitalizohet në bazë vjetore. Mosaplikimi i këtij neni, respektivisht i kamatës 7% (shtatë përqind) në rastin e tyre, parashtruesit e kërkesës e kishin ngritur si pretendim përgjatë gjithë procesit gjyqësor para Gjykatës Supreme. Megjithatë, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Rev. nr. 28/2020] e hodhi poshtë revizionin e parashtruesve të kërkesës si të palejuar në kuptim të nenit 212 dhe 30 të LPK-së. Këtë konstatim të Gjykatës Supreme dhe mosaplikueshmëria e kamatës 7% (shtatë përqind) në rastin e tyre, parashtruesit e kërkesës e kontestojnë edhe para Gjykatës.

Parashtruesit e kërkesës pretenduan para Gjykatës shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së për shkak të aplikimit dhe interpretimit qartazi të gabuar dhe arbitrar të ligjit, përkatësisht (i) moszbatim të Ligjit nr. 03/L-205 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 03/L-139 për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme, të 10 dhjetorit 2010, përkitazi me kamatën dhe (ii) aplikim të gabuar të nenit 211.2 dhe 30.2 të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore në rrethanat e rastit të tyre, përkitazi me refuzimin e revizionit nga Gjykata Supreme.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata vlerësoi se pretendimi për aplikim të gabuar të ligjit përkitazi me caktimin e vlerës së kamatës duhet të refuzohet si pretendim i papranueshëm në baza procedurale për shkak të mosshterimit formal dhe substancial të të gjitha mjeteve juridike, siç kërkohet me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafin 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 39 të Rregullores së punës. Ndërsa në vlerësimin e pretendimit të dytë, si rezultat i interpretimit dhe zbatimit të nenit 30, paragrafit 2 të LPK-së, Gjykata gjeti se parashtruesit e kërkesës nuk mbështetën mjaftueshëm dhe as nuk argumentuan para Gjykatës, se si ky interpretim i “dispozitave ligjore” nga Gjykata Supreme, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës, apo se si procedura para Gjykatës Supreme mund të mos ketë qenë e drejtë ose edhe të ketë qenë arbitrare.

Prandaj, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesve të kërkesës është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

Rasim Shabani dhe të tjerët

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile