Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 179/23], të 24 majit 2023  

Nr. të lëndës KI180/23

Parashtruesit: Burim Vokrri

Shkarko:

KI180/23, Parashtrues: Burim Vokrri, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme [Rev. nr. 179/23], të 24 majit 2023  

KI180/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 13 shkurtit 2024, publikuar më 5 mars 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar

Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë në atë se parashtruesit të kërkesës i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës nga Bordi Disiplinor i SHDU-së, për shkak se në mënyrë të kundërligjshme kishte pranuar katër telefona mobilë nga pronari i një dyqani të telefonave në Prishtinë. Parashtruesi i kërkesës gjatë ratifikimit të Vendimit të Bordit Disiplinor nga Drejtori i SHDU-së, kishte parashtruar kundërshtim kundër Vendimit të Bordit Disiplinor, mirëpo nga Drejtori i SHDU-së ishte ratifikuar Vendimi i Bordit Disiplinor për ndërprerjen e marrëdhënies së punës. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi në Gjykatën Themelore kundër SHDU-së, e cila padi nga ana e Gjykatës Themelore ishte hedhur poshtë si e paafatshme. Kundër vendimit të Themelores, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e kishte aprovuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim. Në rigjykim, Gjykata Themelore prapë e hodhi poshtë si të paafatshme padinë e parashtruesit të kërkesës. Kundër këtij vendimi parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kjo e fundit e refuzoi si të pabazuar ankesën e tij dhe vërtetoi vendimin e Gjykatës Themelore. Parashtruesi i kërkesës kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit paraqiti revizion në Gjykatën Supreme, të cilin revizion Gjykata Supreme e refuzoi si të pabazuar.

Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimin e gabuar të ligjeve të zbatueshme nga gjykatat e rregullta.

Gjykata vazhdimisht ka theksuar se, nuk është roli i kësaj Gjykate të rishikojë gjetjet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale dhe se nuk mund të vlerësojë vetë ligjin që ka bërë që një gjykatë e rregullt të miratojë një vendim në vend të një vendimi tjetër. Nëse do të ishte ndryshe, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në tejkalimin e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Gjykata vërejti se gjykatat e rregullta arsyetuan në mënyrë të detajuar se në bazë të cilave prova dhe në bazë të të cilave dispozita materiale kanë nxjerrë aktgjykimet përkatëse, duke iu përgjigjur pretendimeve të parashtruesit të kërkesës lidhur me vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe zbatimin e gabuar të së drejtës materiale.

Gjykata nuk vërejti zbatim të dukshëm arbitrar të ligjit apo të fakteve, konkluzion qartazi të paarsyeshëm të procedurave apo edhe mungesë të marrëdhënies logjike ndërmjet fakteve të konstatuara dhe zbatimit të dispozitave ligjore përkatëse ndaj atyre fakteve. Në të vërtetë, nga vendimet e kontestuara të gjykatave të rregullta, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm.

Gjykata theksoi që në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNj-së, si rezultat i vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe interpretimit të gabuar të ligjit, thekson se gjykatat e rregullta nuk kanë bërë interpretim të drejtë të dispozitave ligjore, megjithatë ai nuk e mbështet në asnjë mënyrë dhe as nuk argumenton para Gjykatës, se si ky interpretim  nga gjykatat e rregullta, mund të ketë qenë “qartazi i gabuar”, duke rezultuar në “konkluzione arbitrare” apo “qartazi të paarsyeshme” për parashtruesin e kërkesës apo se si procedurat pranë gjykatave të rregullta, në tërësinë e tyre, mund të mos kenë qenë të drejta apo edhe arbitrare. Përveç kësaj, Gjykata vlerëson se gjykatat e rregullta kanë marrë parasysh të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit, pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe kanë arsyetuar qartazi të njëjtat.

Prandaj, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për shkak të vërtetimit të gabuar të fakteve dhe interpretimit të gabuar të dispozitave ligjore, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNj-së janë (i) pretendime që bien në kategorinë e “shkallës së katërt” dhe si të tilla, këto pretendime të parashtruesit të kërkesës janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Burim Vokrri

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative