Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. 558/2020, të 22 shkurtit 2020

Nr. të lëndës KI 143/21

Parashtruesit: Avdyl Bajgora

Shkarko:

KI143/21, Parashtrues: Avdyl Bajgora, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. 558/2020, të 22 shkurtit 2020

KI143/21, Aktgjykim i 25 nëntor 2021, publikuar më 14 dhjetor 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për qasje në gjykatë, kërkesë e pranueshme, shkelje e së drejtës për gjykim të drejtë.  

Çështja kryesore që ngërthen ky rast ka të bëjë me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, ushtruar kundër ndërmarrjes publike KEK, për kompensimin e tri pagave jubilare dhe pagesën e diferencës në pagë, për tri paga përcjellëse të pensionimit, bazuar në nenin 52, paragrafi 1, pika 3, dhe nenin 53 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, e cila ishte ne fuqi nga 1 janari 2015, deri me 1 janar 2018. Gjykata Themelore në Prishtinë kishte (i) aprovuar kërkesëpadinë përkatëse për pjesën që kishte të bënte me kompensimin e tri pagave jubilare në shumën prej 2,739.00 euro;  ndërsa (ii) kishte refuzuar kërkesëpadinë në pjesën që kishte të bënte me pagesën e diferencës në pagë në shumën prej 547,80 euro. Gjykata e Apelit, duke vepruar sipas ankesës së KEK-ut, kishte ndryshuar Aktgjykimin e shkallës së parë dhe duke iu referuar dispozitave përkatëse që ndërlidheshin me parashkrimin, kishte refuzuar në tërësi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës. Në shqyrtimin e kërkesës për revizion të këtij të fundit, Gjykata Supreme kishte konstatuar se revizioni në këtë rast nuk është i lejuar, sepse vlera e kontestit nuk e kalonte shumën prej 3,000.00, siç është përcaktuar në dispozitat përkatëse të Ligjit për Procedurën Kontestimore.

Duke kontestuar konstatimin e Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese pretendoi shkelje të së drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si pasojë e cenimit të parimit për qasje në gjykatë dhe gjithashtu të drejtës për mjete efektive juridike dhe mbrojtje gjyqësore të të drejtave, siç janë të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në esencë, parashtruesi i kërkesës pretendoi para Gjykatës, që Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën e tij për revizion duke vlerësuar gabimisht shumën e kontestit.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me parimin e  “qasjes në gjykatë”; dhe (ii) më pas, i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Gjykata, ndër tjerash, rikujtoi se, në parim, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, nuk reflekton vetëm të drejtën për të filluar procedura, por edhe të drejtën për të marrë një zgjidhje të kontestit përkatës nga një gjykatë.

Gjykata, pasi analizoi shkresat e lëndës, konsideroi se vlera e objektit të kontestit duhet të marrë parasysh shkaktimin e dëmit të tërësishëm dhe që vlerësimi i vlerës së dëmit për qëllime të lejueshmërisë së mjetit juridik nuk mund të i nënshtrohet një qasje tejet formaliste, ndërsa në rrethanat e rastit konkret, vlera e kontestit ishte dukshëm mbi vlerën në bazë të të cilës është i lejuar revizioni. Gjykata më tej dhe bazuar në sqarimet e dhënë në Aktgjykimin e publikuar, theksoi se mospranimi i shqyrtimit të kërkesës së parashtruesit përkatës në merita nga ana e Gjykatës Supreme, përbën një të metë procedurale të pakapërcyeshme e cila është në kundërshtim me të drejtën për qasje në gjykatë si pjesë përbërëse e një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se Aktgjykimi i kontestuar [Rev. nr. 558/2020] i 22 shkurtit 2020 i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në kundërshtim me garancitë procedurale të garantuara përmes nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe rrjedhimisht, shpalli të njëjtin të pavlefshëm duke e kthyer në rivendosje në pajtueshmëri me konstatimet e Gjykatës Kushtetuese.

Parashtruesit:

Avdyl Bajgora

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile