Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme CML. nr. 36/2018 të 10 prillit 2018, në lidhje me Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë CN. nr. 89/2015 të 14 gushtit 2015

Nr. të lëndës KI 73/18

Parashtruesit: N. S.

Shkarko:

KI73/18, Parashtrues i kërkesës është N. S. i cili kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme CML. nr. 36/2018 të 10 prillit 2018, në lidhje me Aktvendimin e  Gjykatës Themelore në Mitrovicë CN. nr. 89/2015, 14 gushtit 2015

KI73/18, Aktvendim për papranueshmëri, i 8 tetorit 2019, publikuar më 1 nëntor 2019

Fjalët kyç: Aktvendim për papranueshmëri, ratione materiae, kërkesë për moszbulim të identitetit

Parashtruesi i kërkesës ka parashtruar kërkesë për herë të dytë në Gjykatën Kushtetuese.

Në kërkesën e parë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk i kishte shteruar të gjitha mjetet juridike, prandaj, duke marrë parasysh aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës kishte shteruar të gjitha mjetet juridike dhe për herë të dytë ishte paraqitur si palë para Gjykatës.

Pasi shqyrtoi kërkesën e dytë të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vërejti se, megjithëse kishte shteruar të gjitha mjetet juridike, përkatësisht kishte marrë aktvendimin e Gjykatës Supreme, ai në thelb konteston aktvendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me të cilin ishte njohur vendimi gjyqësor i një gjykate të huaj, më konkretisht i gjykatës në Shqipëri.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Themelore në Mitrovicë me rastin e njohjes së vendimit të gjykatës së huaj ka shkelur të drejtat dhe liritë kushtetuese të garantuara me nenin 24 dhe 31 të Kushtetutës si dhe me nenin 6 të KEDNJ-së.

Gjykata duke marrë parasysh esencën e pretendimeve ankimore për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së, konstatoi se kushti për zbatimin e nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së është që në procedurën në fjalë të përcaktohen të drejtat dhe detyrimet civile. Prandaj, në këtë rast, lind pyetja nëse gjatë shqyrtimit nga ana e Gjykatës Themelore në Mitrovicë  a janë plotësuar  kushtet ligjore për njohjen e vendimit të huaj, dhe  se a ekziston ndonjë  pengesë për njohjen e një vendimi të një gjykate të huaj, a janë përcaktuar të drejtat dhe detyrimet civile dhe, rrjedhimisht, nëse në procedurën e shqyrtimit të propozimit për njohjen e vendimit të gjykatës së huaj janë të zbatueshëm neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së.

Pasi analizoi dhe zbatoi parimet dhe standardet e GJEDNJ-së, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës  për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së nuk ishin ratione materiae në pajtim me Kushtetutën, pasi që në rastin konkret nuk kishte kontest në të cilin ishin përcaktuar të drejtat dhe liritë civile të parashtruesit të kërkesës. Në thelb, Gjykata Themelore në Mitrovicë në pajtim me ligjin ka përcaktuar se kërkesa për njohjen e një vendimi të gjykatës së huaj plotëson të gjitha kërkesat ligjore për njohjen e saj, përkatësisht, gjykata ka trajtuar vetëm çështjen procedurale. Prandaj, Gjykata Themelore nxori aktvendimin me të cilin vendimi gjyqësor i formës së prerë në Shqipëri bëhet vendim i formës së prerë dhe bëhet pjesë e sistemit juridik të Kosovës.

Gjykata hodhi poshtë pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës si të pabazuar, ndërsa Gjykata nuk është marrë me vendimet tjera, sepse parashtruesi në kërkesë nuk e kishte kërkuar këtë.

Sa i përket kërkesës për moszbulim të identitetit, Gjykata e aprovoi kërkesën e parashtruesit si të bazuar.

Parashtruesit:

N. S.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri