Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme APP-UPP.nr.1/2018 të 26 shkurtit 2019

Nr. të lëndës KI 119/19

Parashtruesit: Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP)

Shkarko:

KI119/19, Parashtruese: Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme APP-UPP.nr.1/2018 të 26 shkurtit 2019

KI119/19 Aktvendim për papranueshmëri, i 2 shtatorit 2020, publikuar më 28 shtator 2020

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë administrative, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesja e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese kontestoi kushtetutshmërinë e Aktvendimit të Gjykatës Supreme [APP-UPP.nr.1/2018] të 26 shkurtit 2019, duke pretenduar në shkeljen e të drejtave të saj të garantuara me nenet: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), dhe nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt gjyqësor] dhe  nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e Pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj). Gjykata, pasi vlerësoi pretendimet e parashtrueses së kërkesës në lidhje me shkeljen e të drejtës në gjykim të drejtë, vërejti se Gjykata Supreme nuk ia kishte njohur parashtrueses së kërkesës legjitimitetin e palës së autorizuar, kësisoj e njëjta vendosi lënien në fuqi të Aktgjykimit të saj [ARJ.UZVP.nr.31/2017] të 10 majit 2018. Kërkesën e parashtrueses së kërkesës e kishtë hedhur poshtë si “e palejuar” për shkaqe procedurale dhe pa hyre në shqyrtimin e meritave  të kërkesës.. Në këtë aspekt, Gjykata vlerësoi se nuk ka asgjë që tregon dhe provon se Gjykata Supreme me këtë rast ia shkeli parashtrueses së kërkesës të drejtat e saj të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6.1 të KEDNJ-së, sepse Aktvendimi i Gjykatës Supreme është i qartë edhe sa i përket gjetjeve dhe konkludimeve  përfundimtare. Ndërsa, sa i përket pretendimit që ndërlidhej me interpretimin e gabuar të ligjit të aplikueshëm, Gjykata vlerësoi se pretendimet për interpretimin e gabuar të ligjit që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta, kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si të tilla, nuk janë në juridiksionin e Gjykatës, dhe për këtë arsye, në parim, Gjykata nuk mund t’i shqyrtojë ato.

Pos kësaj, parashtruesja e kërkesës pretendoi se Aktvendimi i kontestuar po ashtu shkel të drejtat e saj të garantuara me nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNj-së. Megjithatë parashtruesja e kërkesës vetëm i përmend këto nene respektive, por as me një fjalë të vetme nuk i arsyeton se si me Aktvendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese nga nenet 32 dhe 54, si dhe nga neni 1 i Protokollit nr.1 të KEDNj-së. Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës Kushtetuese KI136/14, parashtrues: Abdullah Bajqinca, Aktvendimi për papranueshmëri, paragrafi 33; KI187/18 dhe KI11/19, parashtrues: Muhamet Idrizi Aktvendimi për papranueshmëri i 29 korrikut 2019, paragrafi 73, dhe se fundmi rastin KI125/19 parashtrues: Ismajl Bajgora, Aktvendimi për papranueshmëri i 11 marsit 2020, paragrafi 63). Andaj, edhe ne lidhje me këto pretendime, Gjykata në përputhje me praktiken e saj kërkesën e parashtrueses së kërkesës e deklaron qartazi të pabazuar dhe rrjedhimisht të papranueshme.

Si përfundim, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtrueses së kërkesës, përkitazi me pretendimet për shkelje të neneve: 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, si dhe nenit 1 të Protokollit nr. 1 [Mbrojtja e Pronës] të KEDNj-së, në baza kushtetuese, duhet deklaruar qartazi e pabazuar dhe rrjedhimisht e papranueshme, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP)

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Mosshkelje e të drejtave kushtetuese

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative