KI204/18, Parashtrues: Šemsidin Bilibani, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, Gzh. nr. 476/15, të 16 dhjetorit 2016
KI204/18, Aktvendim për papranueshmëri i 27 shkurtit 2019, publikuar më 29 mars 2019
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, përmbarimi në bazë të dokumentit të besueshëm, prapësim, kërkesë jashtë afatit
Parashtruesi i kërkesës kishte lidhur me avokatin B.A. (në tekstin e mëtejmë: kreditori) kontratën për kryerjen e shërbimeve të avokatisë (në tekstin e mëtejmë: kontrata) për realizimin e së drejtës së trashëgimisë të parashtruesit të kërkesës nga pasuria trashëgimore e paraardhësit të tij. Në lidhje me këtë, kreditori parashtroi propozimin për përmbarim e dokumentit të besueshëm, faturën nr. 1-2013, për kompensimin e një shume të caktuar parash, në lidhje me zbatimin e kontratës.
Në bazë të propozimit të lartcekur, Gjykata Themelore nxori Aktvendimin [PI. nr. 1509-13] të 3 shtatorit 2013, për aprovimin e propozimit të kreditorit për përmbarimin e dokumentit të besueshëm, faturës nr. 1-2013. Ndaj këtij Aktvendimi, parashtruesi i kërkesës paraqiti prapësim. Pas paraqitjes së prapësimit, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [CP. nr. 1509/13] të 23 dhjetorit 2013, vendosi që propozimin për përmbarim të dokumentit të besueshëm ta konsideroj si padi. Pas ankesë së kreditorit, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [CA. nr. 751/14] shfuqizoi Aktvendimin [CP. nr. 1509/13] të Gjykatës Themelore dhe lëndën e ktheu për rigjykim në Gjykatën Themelore.
Gjykata Themelore nxori Aktvendimin [PI. nr. 1316/15] me të cilin hodhi poshtë si të pasafatshëm prapësimin e parashtruesit të kërkesës ndaj vendimit [PI. nr. 1509-13]. Ndaj aktvendimit të lartcekur, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit. Më 16 dhjetor 2016, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [CA. nr. 476/15] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore [PI. nr. 1316/15].
Parashtruesi i kërkesës pretendon në Gjykatën Kushtetuese se Gjykata e Apelit i ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës, pasi, sipas tij, ndaj Aktvendimit Gjykatës Themelore Pl. 1509/13, të 3 shtatorit 2013, ai ka parashtruar prapësimin brenda afatit ligjor por personeli i Gjykatës Themelore në ekzemplarin e kundërshtimit nuk kanë vendosur datën e pranimit 4 dhjetor por datën 6 dhjetor 2013.
Gjykata Kushtetuese vuri në dukje se parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [Gzh. nr. 476/15] të Gjykatës së Apelit, të 16 dhjetorit 2016, të cilin ai deklaron se e kishte pranuar më 9 gusht 2017. Gjykata më tej vërejti se parashtruesi e kishte dorëzuar kërkesën e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese, në Postën e Kosovës më 17 dhjetor 2018, të cilën Gjykata e pranoi më 27 dhjetor 2018
Rrjedhimisht, Gjykata gjeti se kërkesa e parashtruesit është dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe si e tillë është e papranueshme.
Šemsidin Bilibani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile