Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, AA.nr.669/2019, të 22 tetorit 2019

Nr. të lëndës KI 39/20

Parashtruesit: Cihan Ozkan

Shkarko:

KI39/20, Parashtrues, Cihan Ozkan, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, AA.nr.669/2019, të 22 tetorit 2019 

KI39/20, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 janarit 2021, publikuar më 12 shkurt 2021

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, dëbim i të huajve, Neni 1 i Protokollit 7 të KEDNJ, kërkesë e parakohshme

Çështja që ngërthen kërkesa e parashtruesit të kërkesës ndërlidhet  me procedurën e dëbimit me forcë të të huajve, lidhur me të cilën procedurë, sipas praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së zbatohet neni 1 (Garancitë procedurale në lidhje me dëbimin e të huajve) i Protokollit nr. 7 të KEDNJ, që përmban garancitë procedurale që aplikohen lidhur me largimin me forcë të të huajve. Në këtë kontekst, parashtruesi i kërkesës kontestoi para Gjykatës Kushtetuese procedurën gjyqësore që ndërlidhet me Urdhrin për largimin me forcë të tij nga Kosova, me ç’rast Gjykata e Apelit aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe prishi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore dhe lëndën e parashtruesit të kërkesës e ktheu në Gjykatën Themelore në rishqyrtim dhe rivendosje. Ndërsa Gjykata Supreme hodhi poshtë si të palejuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Andaj,  rasti i parashtruesit për të cilin ai ankohet para Gjykatës nuk ishte zgjidhur përfundimisht pasi ky rast ishte rikthyer në rishqyrtim në Gjykatën Themelore sipas gjetjeve të Aktvendimit të Gjykatës Apelit.

Çështja kryesore që ngriti parashtruesi i kërkesës para Gjykatës, kishte të bënte me pretendimin se Gjykata e Apelit duke prishur në tërësi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore duke përfshirë pikën (I) të Aktgjykimit për të cilën asnjëra palë nuk kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, ka shkelur parimin “res judicata” duke shkelur kështu të drejtën për një Gjykim të Drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të KEDNJ.

Lidhur me këtë, Gjykata theksoi se praktika gjyqësore e GJEDNJ-së, në bazë të së cilës sipas nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, Gjykata  është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, përcakton që vendimet lidhur me hyrjen, qëndrimin dhe deportimin e të huajve nuk kanë të bëjnë me përcaktimin e të drejtave dhe obligimeve civile të parashtruesve apo akuzën penale ndaj tij/saj brenda kuptimit të nenin 6, paragrafi 1 të KEDNJ. Andaj, lidhur me largimin me force të të huajve (siç është rasti me procedurat të cilat i konteston parashtruesi para Gjykatës) zbatohet neni 1 (Garancitë procedurale në lidhje me dëbimin e të huajve) i Protokollit nr. 7 të KEDNJ, i cili nen përmban garancitë procedurale që aplikohen lidhur me largimin me forcë të të huajve.

Në këtë kontekst, duke pasur parasysh që rasti i parashtruesit është duke u shqyrtuar nga  gjykatat e rregullta, si dhe faktin që  neni 6 i  KEDNJ nuk aplikohet  në rastet e procedurës për dëbimin e të huajve nga vendi,  Gjykata theksoi se ajo nuk mund të vlerësoj nëse parashtruesit të kërkesës i janë respektuar të drejtat e tij procedurale të garantuara në paragrafin 1 të nenit 1 të Protokollit 7 të KEDNJ-së,  pa pasur një vendim përfundimtar nga gjykata e rregullta lidhur me “ligjshmërinë” e vendimit për dëbim e tij nga Kosova, procedurë të cilën parashtruesi e konteston para Gjykatës. Andaj, Gjykata gjeti se procedurat e iniciuara nga parashtruesi i kërkesës janë ende në fazën e vendosjes, dhe nga kjo mund të konkludohet se kërkesa e parashtruesit para Gjykatës Kushtetuese është e parakohshme.

Si rrjedhojë, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës e ka paraqitur kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese para se të shterojë të gjitha mjetet efektive të parapara në legjislacionin përkatës. Andaj, kërkesa e parashtruesit para Gjykatës Kushtetuese është e parakohshme dhe duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, parashihet me nenin 47 të Ligjit dhe specifikohet më tej me rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

 

 

Parashtruesit:

Cihan Ozkan

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative