Prishtinë, më 26 qershor 2023
Nr. ref.:RK 2222/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI28/23
Parashtrues
Rrahim Haliti
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Ac. nr. 331/21 të 19 shtatorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Kosovës
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Rrahim Haliti (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), me vendbanim në Vushtrri, i përfaqësuar nga Zenel Shala, avokat.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktgjykimin [Ac. nr. 331/21] e 19 shtatorit 2022, të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit), në lidhje me Aktgjykimin [C. nr. 2381/19] e 2 nëntorit 2020, të Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës vendimin e kontestuar e ka pranuar më 18 tetor 2022.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet: 21 [Parimet e Përgjithshme], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 20 [Vendimet] dhe 22 [Procedimi i kërkesës] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 7 shkurt 2023, parashtruesi i kërkesës e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 9 shkurt 2023, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [nr. Gjr. KI28/23] caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Remzije Istrefi-Peci (kryesuese), Nexhmi Rexhepi dhe Enver Peci (anëtarë).
Më 3 mars 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe ia dërgoi një kopje të kërkesës Gjykatës së Apelit.
Në të njëjtën ditë, Gjykata e njoftoi Gjykatën Themelore për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ajo që të njoftojë Gjykatën lidhur me datën se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar.
Gjykata nuk pranoi ndonjë përgjigje nga Gjykata Themelore.
Më 3 prill 2023, Gjykata informoi Këshillin Gjyqësor të Kosovës që përkundër shkresës së lartcekur, drejtuar Gjykatës Themelore, Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar fletëkthesën se kur parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar, dhe nga kjo e fundit kërkoi që t'i siguroj Gjykatës Kushtetuese fletëkthesën e kërkuar.
Më 4 prill 2023, Gjykata Themelore e dorëzoi në Gjykatë fletëkthesën e kërkuar.
Më 7 qershor 2023, Kolegji shqyrtues e shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Parashtruesi i kërkesës ishte i punësuar në Korporatën Energjetike të Kosovës Sha. a. (në tekstin e mëtejmë: KEK) në pozitën “manipulant i karrocës në qymyr”.
Më 21 maj 2019, KEK përmes Njoftimit [nr. 4549] njoftoi parashtruesin e kërkesës se për shkak të arritjes së moshës së pensionimit i ndërpritet marrëdhënia e punës. Parashtruesi i kërkesës kishte gjithsej 38 vite, 5 muaj e 22 ditë përvojë pune tek punëdhënësi.
Parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesë në KEK, që t’i paguhen tri paga në emër të shpërblimit jubilar.
Nga shkresat e lëndës rezulton se KEK në afatin e paraparë ligjor nuk ishte përgjigjur në kërkesën e parashtruesit.
Më 16 korrik 2019, parashtruesi i kërkesës parashtroi padi në Gjykatën Themelore kundër KEK-ut dhe kërkoi që të detyrohet kjo e fundit që t’ ia paguaj tri paga jubilare me rastin e daljes në pension, në shumën e përgjithshme prej 2,640.82 euro me kamatë ligjore prej 8 % në vit, duke filluar nga dita e parashtrimit të padisë e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës, të gjitha këto në afat prej 7 (shtatë) ditësh nga dita marrjes së aktgjykimit.
Më 2 nëntor 2020, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C. nr. 2381/19] refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit të lartpërmendur arsyetoi se pas administrimit të një numri të madh të provave, bazuar në nenin 87 të Ligjit të punës, konstatoi se kërkesa e parashtruesit është parashkruar, me arsyetimin se nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës e deri tek paraqitja e kërkesëpadisë nga ana e parashtruesit të kërkesës kanë kaluar më tepër se tre vjet. Sa i përket pretendimit të parashtruesit se, KEK përmes vendimeve të brendshme ka vazhduar me njohjen e pagave jubilare, për të punësuarit me nga 10, 20 dhe 30 vite përvojë pune, Gjykata Themelore vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk hyn në këtë kategori të të punësuarve, për shkak se ai 30 vite përvojë pune i kishte arritur në vitin 2011, kur kjo e drejtë nuk ka qenë e paraparë.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të dispozitave të procedurës kontestimore.
Më 19 shtator 2022, Gjykata e Apelit, përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 331/21] refuzoi si të pathemeltë ankesën e parashtruesit dhe vërtetoi Aktgjykimin e shkallës së parë, duke e vlerësuar këtë të fundit si të drejtë dhe të ligjshëm me arsyetimin se nuk është i përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore.
Në arsyetim të Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit më tej shtohet se në periudhën që Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive të Kosovës parashtruesi i kërkesës nuk e kishte arritur përvojën e punës prej 30 vitesh, duke shtuar se “30 vite të përvojës i ka mbushur në vitin 2011 e drejta në këtë lloj kompensimi nuk i ka takuar me asgjë, pasi që aso kohe nuk ka pasur as marrëveshje”.
Më 22 nëntor 2022, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktgjykimit [C. nr. 2381/19] të Gjykatës Themelore si dhe Aktgjykimit [Ac. nr. 331/21] të Gjykatës së Apelit.
Më 6 nëntor 2022, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes Njoftimit [KMLC. nr. 118/22] njoftoi parashtruesin e kërkesës se nuk ka bazë ligjore për të iniciuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë. Më tej, në njoftim theksohet se dy vendimet e gjykatave të rregullta janë të drejta dhe të bazuara në dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 21 [Parimet e Përgjithshme], nenin 24 [Barazia para Ligjit], si dhe nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës.
Esenca e pretendimit të parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me faktin se, sipas tij, gjykatat e rregullta në raste identike, kolegjet e ndryshme kanë marrë edhe vendime të ndryshme, duke theksuar se nga këto: “veprime këto që janë shkelje të parimeve kushtetuese dhe diskriminuese ndaj atyre që u refuzohen kërkesat, me ç’ rast shkelen edhe parimet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”. Në lidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës pretendon se nuk është vetëm një rast që gjykatat e rregullta kanë vendosur ndryshe, duke ia bashkëngjitur Gjykatës dy aktgjykime të personave të tretë, me pretendimin se janë raste identike me vendime të ndryshme.
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu thekson se në rastet tjera të cilat sipas tij janë identike, me rastin e tij, çështja e parashkrimit respektivisht neni 87 i Ligjit të punës nga gjykatat e rregullta është interpretuar ndryshe.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se gjykatat e rregullta nuk kanë trajtuar fare meritat e rastit si dhe pretendimet e tij sepse kanë konstatuar se kërkesëpadia është parashtruar jashtë afatit të përcaktuar.
Më tej, parashtruesi i kërkesës pretendon se vendimet e brendshme të KEK-ut përmes të cilëve u njihet e drejta punëtorëve në shpërblim jubilar, janë diskriminuese për një numër të punëtorëve që nuk përmbushin kushtin e 10, 20 apo 30 vite punë që nga viti 2015 e tutje.
Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që kërkesa të shpallet e pranueshme dhe lënda të kthehet në rigjykim.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 21
[Parimet e Përgjithshme]
1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës.
2. Republika e Kosovës mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të parashikuara në këtë Kushtetutë.
3. Çdokush e ka për detyrë t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve.
4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.
Neni 24
[Barazia para Ligjit]
1.Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.
2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.
3. Parimet e mbrojtjes së barabartë ligjore nuk parandalojnë vënien e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të individëve dhe grupeve që janë në pozitë të pabarabartë. Masat e tilla do të zbatohen vetëm derisa të arrihet qëllimi për të cilin janë vënë ato.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të mediave, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 6 (E drejta për një proces të rregullt)
Çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për bazueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij. Vendimi duhet të jepet publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet shtypit dhe publikut gjatë tërë procesit ose gjatë një pjese të tij, në interes të moralit, të rendit publik ose sigurisë kombëtare në një shoqëri demokratike, kur kjo kërkohet nga interesat e të miturve ose mbrojtja e jetës private të palëve në proces ose në shkallën që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë.
2. Çdo person i akuzuar për një vepër penale prezumohet i pafajshëm, derisa fajësia e tij të provohet ligjërisht.
LIGJI Nr. 03/L-212 I PUNËS
Neni 87
Afati i parashkrimit
Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës.
Neni 90
Marrëveshja Kolektive
“[...]
4. Marrëveshja Kolektive mund të lidhet për një periudhë të caktuar me kohëzgjatje jo më shumë se tri (3) vjet.”
MARRËVESHJEN E PËRGJITHSHME KOLEKTIVE TË KOSOVËS
Neni 52
Shpërblime jubilare
1. I punësuari, ka të drejtë në shpërblimin jubilar dhe atë:
1.1.për 10 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të një page mujore të tij;
1.2.për 20 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të dy pagave mujore të tij;
1.3.për 30 vjet të përvojës në punë pandërprerë, te punëdhënësi i fundit, në vlerë të tri pagave mujore të tij.
2.Punëdhënësi i fundit është ai që paguan shpërblime jubilare.
3.Shpërblimi jubilar, paguhet në afat prej një muaji, pas plotësimit të kushteve nga ky paragraf
[...]
Neni 82
1.Kjo Marrëveshje e Përgjithshme Kolektive e Kosovës (MPKK) e nënshkruar nga Partnerët në Këshillin Ekonomiko – Social të Kosovës, hyn në fuqi nga data 01.01.2015
Mendim Juridik për Shpërblimin Jubilar i Gjykatës Supreme të Kosovës, i 27 shkurtit 2023
Marrëveshja/Kontratat e aplikueshme
“II. Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës e lidhur me datë 18.03.2014, dhe nënshkruar nga Organizatat e punëdhënësve (Oda Ekonomike e Kosovës dhe Aleanca Kosovare e Biznesit), Organizatat e të punësuarve (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës), si dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, (Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale), (në tekstin e mëtejmë: Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës) aplikohet në periudhën kohore nga data 01.1.2015 - 31.12.2017”.
Kushtet për të fituar të drejtën e shpërblimit jubilar:
“VI. I punësuari në bazë të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ka të drejtë në shpërblimin jubilar siç përcaktohet me nenin 52, të kësaj marrëveshje, nëse plotësohen këto kushte dhe atë: a) që viti jubilar i punësimit për 10, 20 dhe 30 vjet të arrihet në kohën kur kjo marrëveshje aplikohet si në pikën II, të këtij mendimi juridik, dhe b) përvoja e punës për 10, 20 dhe 30 vjet duhet të jetë e pandërprerë te punëdhënësi i fundit”.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[…]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shterur të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata më tej i referohet neneve 48 [Saktësimi i kërkesës] dhe 49 [Afatet] të Ligjit, që përcaktojnë:
Neni 48
[Saktësimi i kërkesës]
“Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj”.
Neni 49
[Afatet]
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor ...”.
Sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktgjykimin [Ac. nr. 331/21] të 19 shtatorit 2022, të Gjykatës së Apelit, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj si dhe e ka dorëzuar kërkesën brenda afatit të përcaktuar me ligj.
Parashtruesi i kërkesës pas Aktgjykimit [Ac. nr. 331/21] të 19 shtatorit 2022, të Gjykatës së Apelit, i ishte drejtuar Zyrës së Prokurorit të Shtetit me kërkesën për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, megjithatë kjo e fundit përmes Njoftimit e kishte njoftuar parashtruesin se nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për ngritjen e një kërkese të tillë. Prandaj, Aktgjykimi [Ac. nr. 331/21] i 19 shtatorit 2022, i Gjykatës së Apelit i cili trajton meritat e rastit, dhe i cili në mënyrë shprehimore kontestohet nga parashtruesi i kërkesës, konsiderohet nga Gjykata vendim i fundit.
Megjithatë, përveç këtyre kritereve, Gjykata po ashtu duhet të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në rregullin 39 [Kriteret e pranueshmërisë], përkatësisht nënrregullit (2) të Rregullores së punës, që përcakton:
“(2) Gjykata mund ta konsiderojë kërkesën të papranueshme, nëse kërkesa është qartazi e pabazuar, sepse parashtruesi nuk dëshmon dhe nuk mbështetë në mënyrë të mjaftueshme pretendimin e tij”.
Bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, por edhe të Gjykatës, një kërkesë mund të shpallet e papranueshme si “qartazi e pabazuar” në tërësinë e saj ose vetëm përkitazi me ndonjë pretendim specifik që një kërkesë mund të ngërthejë. Në këtë drejtim, është më e saktë t’iu referohet të njëjtave si “pretendime qartazi të pabazuara”. Këto të fundit, bazuar në praktikën gjyqësore të GjEDNj-së, mund të kategorizohen në katër grupe të veçanta: (i) pretendime që kategorizohen si pretendime “të shkallës së katërt”; (ii) pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”; (iii) pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara”; dhe në fund, (iv) pretendime “konfuze dhe të paqarta” (shih, rastet e GjEDNj-së, Kemmachev kundër Francës, Kërkesa nr. 17621/91, kategoria (i), Mentzen kundër Letonia, Kërkesa nr. 71074/01, kategoria (ii) dhe Trofimchuk kundër Ukrainës, Kërkesa nr. 4241/03, kategoria (iii)).
Në kontekst të vlerësimit të pranueshmërisë së kërkesës, përkatësisht, në vlerësimin nëse kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, Gjykata fillimisht do të rikujtojë esencën e rastit si dhe pretendimet përkatëse të parashtruesit të kërkesës, në vlerësimin e të cilave, Gjykata do të aplikojë standardet e praktikës gjyqësore të GjEDNj-së, në harmoni me të cilën, në bazë të nenit 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, ajo është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Gjykata vëren se esenca e këtij rasti ndërlidhet me padinë që parashtruesi i kërkesës e kishe paraqitur kundër punëdhënësit të tij, KEK, duke kërkuar që pas daljes në pension e paditura KEK , t’ia njohë pagesën në emër të shpërblimit për pagat jubilare e paraparë me Marrëveshjen e Përgjithshme Kolektive të Kosovës në nivel vendi. Gjykata Themelore refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës me arsyetimin se e njëjta është parashkruar. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës në Gjykatën e Apelit, edhe kjo e fundit refuzoi ankesën duke e mbështetur qëndrimin e shkallës së parë. Parashtruesi i kërkesës më pas parashtroi propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë pranë Zyrës së Prokurorit të Shtetit, ku ky i fundit përmes njoftimit njoftoi parashtruesin se nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për ngritjen e një kërkese të tillë.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktgjykimi i kontestuar shkel të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenet 21, 24 dhe 31 të Kushtetutës.
Siç është reflektuar më lart, Gjykata rikujton se pretendimi i parashtruesit të kërkesës ndërlidhet me pretendimin e tij se gjykatat e rregullta, në mënyrë specifike Gjykata e Apelit, kanë vendosur ndryshe në dy raste të ngjashme, respektivisht kanë interpretuar në mënyrë jokonsistente nenin 87 të Ligjit të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton pretendimin e parashtruesit përkitazi me moskonsistencën e vendimeve të gjykatave të rregullta, i cili para Gjykatës thekson si në vijim: “nuk ka gjykim të drejtë e as barazi para ligjit e as siguri juridike, kur gjykata e të dyjave niveleve ato të shkallës I-rë dhe II-të për çështje tërësisht identike kanë qëndrime diametralisht të kundërta”.
Në dritën e kësaj, Gjykata vëren se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës ka të bëjë: (i) me mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material, sepse nuk është interpretuar drejtë dhe është zbatuar gabimisht neni 87 i Ligjit të punës me rastin e refuzimit të kërkesës së tij, si të parashkruar; (ii) pretendimin për moskonsistencën e vendimeve gjyqësore.
Gjykata në vijim këto dy pretendime do t’i trajtojë ndaras, duke filluar me pretendimin mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material.
Përkitazi me pretendimet nën pikën (i) – mënyra e interpretimit dhe zbatimit të ligjit material
Gjykata fillimisht rikujton qëndrimin e saj të përgjithshëm se vërtetimi i drejtë dhe i plotë i gjendjes faktike, si dhe interpretimet përkatëse të dispozitave ligjore a ligjit, si rregull, hyjnë brenda juridiksionit të gjykatave të rregullta. Roli i Gjykatës Kushtetuese është që të sigurojë respektimin e standardeve dhe të drejtave të garantuara me Kushtetutë, dhe rrjedhimisht, ajo nuk mund të veprojë si gjykatë “e shkallës së katërt” (shih, në lidhje me doktrinën e “shkallës së katërt”, rastin e GjEDNj-së, Garcia Ruiz kundër Spanjës [DHM], nr. 30544/96, Aktgjykim i 21 janarit 1999, paragrafi 28).
Në lidhje me këtë, Gjykata thekson se interpretimi i së drejtës materiale dhe procedurale është detyrë parësore dhe bie brenda juridiksionit të gjykatave të rregullta (çështje e ligjshmërisë). Roli i Gjykatës Kushtetuese është vetëm të përcaktojë nëse efektet e interpretimit të tillë janë në përputhje me normativat dhe standardet kushtetuese.
Në rastin konkret, Gjykata i referohet pjesëve relevante të arsyetimit të Gjykatës së Apelit e cila përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 331/21] të 19 shtatorit 2022, pasi që kishte aprovuar si të drejtë vendimin e shkallës së parë kishte sqaruar si në vijim:
“[...] duke u bazuar në provat të cilat gjenden në shkresa të lëndës, vërtetohet se paditësi, Rrahim Haliti i cili ka qenë i punësuar te e paditura, vërtetohet se në vitin 2019 kur paditësi është pensionuar i ka pasur 38 vite, 5 muaj e 22 ditë përvojë pune, por që në kohën kur ka qenë në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e dt.18.06.2014 ai nuk i ka arritur 30 vite përvojë pune, por 30 vite të përvojës i ka mbushur në vitin 2011, e drejta në këtë lloj kompensimi nuk i ka takuar me asgjë [...] paditësit me këto marrëveshje/kontrata nuk mund ti sigurohet baza juridike e kërkesëpadisë së tij e cila edhe sikur të kishte bazë ligjore do të ishte konsideruar e parashkruar në kuptim të nenit 87 të Ligjit të punës, siç e ka arsyetuar gjykata e shkallës së parë”.
Më tej, Gjykata i referohet edhe Aktgjykimit të Gjykatës Themelore e cila kishte refuzuar kërkesëpadinë me arsyetimin se: “kërkesëpadia e paditësit është e pabazuar dhe e njëjta duhet të refuzohet ngase është e përfshirë në parashkrim [...] e drejta në kërkesë në kuptimin material për të kërkuar kompensimin e këtyre pagave ka lindur me hyrjen në fuqi të MPKK-së më datë 01.01.2015, rrjedhimisht paditësi ka mundur të shfrytëzoj këtë akt si bazë ligjore me të cilin garantohet pagesa e pagave jubilare, ndërsa që nga hyrja në fuqi e deri tek paraqitja e padisë kanë kaluar më shumë se tre vite.
Tutje, Gjykata vëren se përkitazi me këtë arsyetim/vlerësim të cilin parashtruesi e konteston, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore erdhi në këtë përfundim pasi kishte administruar provat siç ishin: kartelën e punëtorit [4549] të 13 qershorit 2009, kontratën e punës [nr. 4549] të 1 marsit 2018 të parashtruesit të kërkesës si dhe çështjet e tjera lidhur me konstatimin e gjendjes faktike sa i përket parashkrimit të kërkesës së parashtruesit dhe aplikueshmerisë së Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës.
Nën dritën e të lartcekurave, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore kishin sqaruar se: (i) parashtruesi i kërkesës kishte plotësuar kushtin për shpërblimin jubilar para hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës; (ii) Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e Kosovës ishte e aplikueshme deri më 31 dhjetor 2017; (iii) parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesën për kompensimin e shpërblimit jubilar pas skadimit të aplikueshmerisë së Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës; si dhe (iv) kërkesa e parashtruesit për kompensimin e pagave jubilare ishte parashkruar tashmë në kuptim të nenit 87 të Ligjit të punës.
Në këtë kontekst, Gjykata vëren se neni 87 [Afati i parashkrimit] i Ligjit të punës përcakton se “Të gjitha kërkesat nga marrëdhënia e punës në para, parashkruhen brenda afatit prej tri (3) vitesh, nga dita e paraqitjes së kërkesës”.
Prandaj, siç mund të vërehet nga arsyetimi i mësipërm, Gjykata vëren se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore i ka adresuar të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke arsyetuar çështjen se përse në rastin e tij nuk mund të plotësohej kërkesa e tij për kompensimin e pagave jubilare si rezultat i mungesës së bazës ligjore në kuptim të mosaplikueshmërisë së Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës dhe si rezultat i parashkrimit të kërkesës duke aplikuar dispozita përkatëse të Ligjit të punës që ato i kishte konsideruar si relevante përkitazi me rrethanat e rastit konkret.
Për më tepër, Gjykata gjen se vendimmarrja e Gjykatës Apelit, në rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret është në pajtueshmëri edhe me mendimin juridik për shpërblimin jubilar të nxjerrë nga mbledhja e përgjithshme e Gjykatës Supreme, e 27 shkurtit 2023. Në këtë drejtim, Gjykata do t’ i referohet pjesës relevante të Mendimit Juridik të 27 shkurtit 2023 të Gjykatës Supreme, i cili përcakton se “I punësuari në bazë të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës, ka të drejtë në shpërblimin jubilar siç përcaktohet me nenin 52, të kësaj marrëveshje, nëse plotësohen këto kushte dhe atë: a) që viti jubilar i punësimit për 10, 20 dhe 30 vjet të arrihet në kohën kur kjo marrëveshje aplikohet si në pikën II, të këtij mendimi juridik, dhe b) përvoja e punës për 10,20 dhe 30 vjet duhet të jetë e pandërprerë te punëdhënësi i fundit”.
Në këtë kontekst, Gjykata rikujton se ajo vet nuk mund të shndërrohet në gjykatë të faktit dhe t’u tregojë gjykatave të rregullta se cila do të ishte mënyra më e përshtatshme e zbatimit të së drejtës materiale, sepse një kompetencë e tillë, si rregull, i takon gjykatave të juridiksionit të rregullt që ta bëjnë. Gjykata thekson se ajo mund të ndërhyjë vetëm atëherë kur arsyetimi i vendimeve të gjykatave të rregullta është tejet arbitrar dhe i pajustifikueshëm, çfarë në rrethanat konkrete nuk kemi të bëjmë me vendime qartazi arbitrare ose të pajustifikuara.
Andaj, Gjykata nga shtjellimet e mësipërme konsideron se parashtruesi i kërkesës thjeshtë është i pakënaqur me rezultatin e procedurës pranë gjykatave të rregullta, megjithatë pakënaqësia e tij nuk mund vetvetiu të ngrejë pretendim të argumentueshëm për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë (shih, rastin e GjEDNj-së Mezotur-Tiszazugi Tarsulat kundër Hungarisë, kërkesa nr. 5503/02, Aktgjykimi i 26 korrikut 2005, paragrafi 21).
Në këtë kuptim, Gjykata, shikuar procedurën si tërësi, në kuptim të së drejtës për “gjykim të drejtë” këtë pretendim të parashtruesit të kërkesës e cilëson se i takon kategorisë së parë (i), pretendime “të shkallës së katërt”, andaj të njëjtin, Gjykata, si të tillë, në baza kushtetuese e deklaron qartazi të pabazuar dhe rrjedhimisht të papranueshme, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Përkitazi me moskonsistencën e vendimeve gjyqësore
Gjykata vëren se në ndërlidhje me këtë, parashtruesi i kërkesës në substancë pretendon se i) përmes vendimeve të gjykatave të rregullta është trajtuar në mënyrë të pabarabartë në raport me të tjerët; ii) cenim të parimit të sigurisë juridike si rezultat i vendimeve kundërthënëse të gjykatave të rregullta.
Gjykata në vijim do t’i shtjellojë (i) parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës përkitazi me mungesën e konsistencës të vendimeve gjyqësore; (ii) aplikimi i të njëjtave në rastin konkret.
Parimet dhe kriteret e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës përkitazi me mungesën e konsistencës të vendimeve gjyqësore
Lidhur me këtë, Gjykata fillimisht thekson se parimet dhe kriteret e vendosura nga GJEDNJ, kjo Gjykatë gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve për cenimin e parimit të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse i ka zbatuar edhe në praktikën e saj gjyqësore (shih rastet e Gjykatës KI87/18, parashtrues “IF Skadeforsikring”, Aktgjykim i 27 shkurtit 2019 dhe KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, Aktgjykim i 6 janarit 2019, ku Gjykata, ndër të tjera, konstatoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të cenimit të parimit të sigurisë juridike, si rezultat i divergjencës në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së).
Në dritën e zhvillimit të parimeve të përgjithshme përkitazi me mungesën e konsistencës të vendosura përmes praktikës gjyqësore, Gjykata fillimisht i referohet praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, e cila ka theksuar vazhdimisht se një nga komponentët thelbësorë të sundimit të ligjit është siguria juridike, e cila, ndër të tjera, garanton një siguri të caktuar në situata juridike dhe kontribuon në besim publik në gjykata (shih, rastin e GJEDNJ-së Brumărescu kundër Rumanisë [DHM], kërkesa nr. 28342/95, paragrafi 61; rastin Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesa nr. 38155/02, Aktgjykim i 2 nëntorit 2010, paragrafi 38, dhe rastin Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, kërkesa nr. 13279/05, Aktgjykim i 20 tetorit 2011, paragrafi 56).
Sipas GJEDNJ-së: “prezenca e vendimeve kundërthënëse gjyqësore, në anën tjetër, mund të krijojë situata të pasigurisë juridike, e cila do ta ulte besimin e publikut në sistemin gjyqësor”. (shih, rastin Paduraru kundër Rumanisë, kërkesa nr. 63252/00, paragrafi 98; Vinčić dhe të tjerët kundër Serbisë, kërkesat nr. 44698/06, paragrafi 56, Aktgjykim i 1 dhjetorit 2009; dhe rasti Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, të cituar më lart, paragrafi 38). GJEDNJ, megjithatë, ka specifikuar se nuk ka një të drejtë të fituar për konsistencë të praktikës gjyqësore. (shih, rastin Unédic kundër Francës, kërkesa nr. 20153/04, paragrafi 74, 18 dhjetor 2008, shih rastin e cituar më lart Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, paragrafi 56, shih po ashtu rastin e cituar më lart të Gjykatës KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, paragrafi 65, si dhe rastin KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 janarit 2018, paragrafi 33).
Në vijim, GJEDNJ ka vendosur tri kritere themelore, të cilat janë pranuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës për të përcaktuar nëse një divergjencë e vendimeve gjyqësore e pretenduar përbën shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së, dhe të cilat përcaktojnë si në vijim: (i) nëse ekzistojnë dallime “të thella dhe afatgjata” në praktikën gjyqësore; (ii) nëse ligji vendor përcakton mekanizma të aftë për të zgjidhur divergjenca të tilla; dhe (iii) nëse ata mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti (në këtë kontekst, shih rastet e GJEDNJ-së, Beian kundër Rumanisë (nr.1), kërkesa nr. 30658/05, Aktgjykim i 6 dhjetorit 2007, paragrafët 37-39; Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, kërkesa nr. 76943/11, Aktgjykimi i 29 nëntorit 2016, paragrafët 116 - 135; Iordan Iordanov dhe të tjerët kundër Bullgarisë, kërkesa nr. 23530/02, Aktgjykim i 2 korrikut 2009, paragrafët 49-50; Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 53; dhe shih rastin e Gjykatës, KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, Aktvendim për papranueshmëri, i 5 shtatorit 2017, paragrafi 51 dhe shih gjithashtu rastet e Gjykatës të cituar më lart, KI42/17, parashtrues Kushtrim Ibraj, paragrafi 39, KI87/17 parashtrues “IF Skadiforsikring”, paragrafi 67, të cituar më lart, KI35/18 parashtrues “Bayerische Versicherungsverbrand”, të cituar më lart, paragrafi 70, KI107/19, parashtrues Gafurr Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020).
Gjykata vëren se GJEDNJ gjatë zhvillimit të konceptit të “dallimeve të thella dhe afatgjata” gjithashtu mori parasysh nëse mospërputhja është e izoluar apo afekton një numër të madh njerëzish (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Famullia Katolike Greke Lupeni dhe të tjerët kundër Rumanisë, cituar më lart, paragrafi 135).
Gjykata, në këtë drejtim, gjithashtu thekson se GJEDNJ nuk ka konstatuar shkelje të nenit 6 të KEDNJ-së në raste të praktikës divergjente gjyqësore edhe nëse e njëjta ka afektuar një numër të madh njerëzish në lidhje me të njëjtën çështje gjatë një periudhe të shkurtër kohore para se kundërthëniet përkatëse të zgjidheshin nga gjykatat më të larta, duke u dhënë mundësi kështu mekanizmave shtetërorë që të sigurojnë konsistencën e duhur (shih, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-së, Albu dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 10 majit 2012, paragrafët 42 - 43).
Kjo e fundit ndërlidhet me kriterin e dytë dhe të tretë, përkatësisht me ekzistencën e një mekanizmi të aftë për të zgjidhur mospërputhjet në praktikën gjyqësore dhe nëse ky mekanizëm është përdorur dhe me çfarë efekti. Në këtë drejtim, GJEDNJ fillimisht ka konstatuar se mungesa e një mekanizmi të tillë përbën shkelje të së drejtës për një proces të rregullt gjyqësor të garantuar me nenin 6 të KEDNJ-së (shih, në këtë kontekst, Tudor Tudor kundër Rumanisë, kërkesa nr. 21911/03 , Aktgjykim i 4 marsit 2009, paragrafët 30-32; dhe Ştefănică dhe të tjerët kundër Rumanisë, Aktgjykim i 2 shkurtit 2010, paragrafët 37-38; dhe Nejdet Şahin dhe Perihan Şahin kundër Turqisë, cituar më lart, paragrafi 54).
Zbatimi i këtyre parimeve dhe kritereve në rrethanat e rastit konkret
Në vijim, Gjykata do të aplikojë parimet e elaboruara më lart në rrethanat e rastit konkret, duke aplikuar kriteret mbi bazën e të cilave Gjykata dhe GJEDNJ trajton çështjet e divergjencës përkitazi me praktikën gjyqësore, duke filluar me vlerësimin nëse në rrethanat e rastit konkret, (i) divergjencat e pretenduara në praktikën gjyqësore janë “të thella dhe afatgjata”; dhe nëse ky është rasti, (ii) ekzistimin e mekanizmave të aftë për të zgjidhur divergjencën përkatëse; dhe (iii) vlerësimin nëse këta mekanizma janë zbatuar dhe me çfarë efekti në rrethanat e rastit konkret.
Fillimisht, Gjykata duhet gjithashtu të ritheksojë se, bazuar edhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe asaj të Gjykatës, nuk është funksioni i saj të krahasojë vendime të ndryshme të gjykatave të rregullta, edhe nëse merren në procedura dukshëm të ngjashme, pasi që pavarësia e tyre duhet të respektohet (shih rastin e GJEDNJ-së Adamsons kundër Letonisë, cituar më lart, paragrafi 118, shih po ashtu rastet e Gjykatës KI87/18 parashtrues IF Skadeforsikring dhe KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, të cituara më lart).
Për më tepër, parashtruesi i kërkesës lidhur me pretendimet për shkelje kushtetuese të të drejtave dhe lirive themelore si rezultat i divergjencave në praktikën gjyqësore, duhet t’ia paraqes Gjykatës argumentet përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar në vendime kundërthënëse në praktikën gjyqësore dhe e cila mund të ketë rezultuar në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së (shih rastin e cituar më lart KI35/18, parashtrues Bayerische Versicherungsverbrand, paragrafi 76).
Në këtë drejtim, GJEDNJ pranon se mundësia e divergjencave në praktikën gjyqësore është karakteristikë e natyrshme në çdo sistem gjyqësor të bazuar në një sistem gjykatash nacionale që kanë autoritet mbi juridiksionin e tyre territorial. Ajo gjithashtu pranon se dallime të tilla mund të lindin, si në rastin konkret, brenda të njëjtit juridiksion. Kjo në vetvete nuk mund të jetë në kundërshtim me të drejtën e garantuar me KEDNJ(shih, në këtë drejtim, rastin e GJEDNJ-së Santos Pinto kundër Portugalisë, kërkesa nr. 39005/04 Aktgjykim i 20 majit 2008 par. 41).
Në këtë drejtim, Gjykata së pari rikujton pretendimin e parashtruesit të kërkesës i cili thekson se rasti i tij nuk është trajtuar në mënyrë të njëjtë në raport me rastet e tjera të cilat sipas tij janë identike, edhe përkundër rrethanave të njëjta faktike dhe juridike, duke shtuar se gjykatat e rregullta kishin nxjerrë vendime të ndryshme në raste të njëjta.
Gjykata vëren se në të dyja rastet që parashtruesi i kërkesës i ka sjellë në Gjykatë, në mbështetje të pretendimit të tij për cenim të parimit të sigurisë juridike, si rezultat i divergjencës të praktikës gjyqësore, duke pretenduar se ngërthejnë të njëjtat rrethana si rasti i tij, në të dyja rastet palë ndërgjyqëse janë gjithashtu punëtorë tek i njëjti punëdhënës. Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës ka sjellë dy aktgjykime të Gjykatës së Apelit dhe dy aktgjykime të Gjykatës Supreme për raste të ndryshme.
Gjykata, duke iu rikthyer pretendimit të parashtruesit të kërkesës se gjykatat e rregullta, respektivisht Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore, në dy raste identike ka vendosur ndryshe, Gjykata rikujton se në rastet KI87/18 dhe KI35/18 cituar më lart, ka konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së për shkak të shkeljes së parimit të sigurisë juridike si rezultat i divergjencës së praktikës gjyqësore, në rastin KI87/18 në vlerësimin e 3 (tre) rasteve të Gjykatës Supreme, të nxjerra në një periudhë kohore 3 (tre) vjeçare, dhe në rastin KI35/18 në vlerësimin e 9 (nëntë) rasteve të Gjykatës Supreme të nxjerra në një periudhë kohore 5 (pesë) vjeçare dhe pasi kishte konstatuar se (i) kishte “dallime të thella dhe afatgjata”; (ii) mekanizmi i Gjykatës Supreme për harmonizimin e praktikës gjyqësore ekzistonte; porse (iii) mekanizmi i lartpërmendur nuk ishte përdorur (shih, rastet e Gjykatës KI87/18, cituar më lart, paragrafi 79 dhe paragrafët 81 deri 85, dhe rastin KI35/18, cituar më lart, paragrafi 70 dhe paragrafët 110-111).
Përderisa, Gjykata në rastet e saj KI29/17, KI42/17, KI35/18 dhe KI107/19 të cituara më lart kishte vlerësuar, se nuk mund të konstatohen “dallime të thella dhe afatgjata”, në krahasimin e vetëm 2 (dy) rasteve edhe nëse të njëjtat mund të jenë kundërthënëse. Në këtë rast, në një rrethanë të tillë, ku parashtruesit i referohen vetëm një vendimi, i cili përmban konstatim dhe përfundim ndryshe nga vendimi, i nxjerrë në rastin e parashtruesve, Gjykata nuk kishte konstatuar se ishte cenuar parimi i sigurisë juridike (shih rastet e Gjykatës: K29/17, i cituar më lart, paragrafi 53, KI42/17, i cituar më lart, paragrafi 44, KI35/18, i cituar më lart, paragrafët 104 dhe 114, dhe KI107/19, i cituar më lart, paragrafi 75).
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës në Gjykatë ka dorëzuar Aktgjykimin [Ac. nr. 7587/21] të 7 korrikut 2020 të Gjykatës Apelit si dhe Aktgjykimin [Ac. nr. 1823/2021] të 19 prillit 2022 të Gjykatës së Apelit, duke mos dorëzuar parashtresat tjera lidhur me këto dy raste, për të cilat ka pretenduar lidhshmërinë faktike dhe juridike me atë të rastit të tij.
Megjithatë, duke iu referuar rasteve të referuara nga parashtruesi i kërkesës, Gjykata nga aktgjykimet e lartpërmendura vëren se në të dyja rastet Gjykata e shkallës së parë ka miratuar kërkesat e A. M. dhe S. B. për pagesën e pagave jubilare (Shënim i Gjykatës: vendimet e shkallës së parë për këto raste parashtruesi nuk i ka dorëzuar në Gjykatë). Tutje, pas ankesës që KEK kishte parashkruar në Gjykatën e Apelit, ndër të tjera, duke pretenduar se në të dyja rastet ishte arritur afati i parashkrimit, kjo e fundit kishte refuzuar ankesën si të pabazuar me arsyetimin se në rastin e S. B., Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 7587/21] të 7 korrikut 2020, kishte konstatuar se në rastin konkret afati i parashkrimit ishte ndërprerë ngase KEK me vendime të brendshme ua ka njohur këtë të drejtë punëtorëve, ndërsa në rastin e A. M. të cilit Gjykata Themelore gjithashtu i kishte aprovuar padinë për pagesën e pagave jubilare, dhe më pas, pas ankesës së KEK-ut, Gjykata e Apelit përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 1823/2021] të 19 prillit 2022 kishte refuzuar ankesën e KEK-ut, duke potencuar se në këtë rast padia është parashtruar në kohë, sepse afati i parashkrimit fillon të rrjedhë “nga dita e fundit kur ka përfunduar mundësia e kompensimit të pagave jubilare në procedurë administrative nga e paditura e që është data 31.12.2017”.
Ndërsa në rastin e parashtruesit të kërkesës, Gjykata rikujton se Gjykata Themelore refuzoi padinë e parashtruesit me arsyetimin se (i) e njëjta është parashkruar, pasi që kishin kaluar më tepër se tri vite nga momenti kur Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive kishte hyrë në fuqi dhe se (ii) parashtruesi gjatë periudhës sa kishte qenë në fuqi Marrëveshja e Përgjithshme Kolekitve nuk kishte përmbushur kushtin e përvojës së punës 10.20.30 apo 40 vite punë.
Gjykata rikujton se Gjykata gjen se vendimmarrja e Gjykatës së Apelit dhe asaj të shkallës së parë, në rrethanat faktike dhe juridike të rastit konkret është në pajtueshmëri edhe me mendimin juridik për shpërblimin jubilar të nxjerrë nga mbledhja e përgjithshme e Gjykatës Supreme, e 27 shkurtit 2023, siç është elaboruar edhe më lart.
Në këtë drejtim, Gjykata konsideron se Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës së Apelit është i arsyetuar dhe se interpretimi i kësaj të fundit, sa i përket fakteve të paraqitura për vlerësim nga parashtruesi i kërkesës, nuk mund të thuhet se ishte arbitrar, i paarsyeshëm apo të ketë mundur të ndikojë në gjykim të drejtë, por ishte thjesht çështje e interpretimit dhe zbatimit të ligjit (shih në mënyrë analoge, rastin KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, të cituar më lart, paragrafi 57).
Duke rikujtuar detyrimin e përcaktuar përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës që parashtruesit e kërkesës duhet t’i paraqesin Gjykatës argumentet përkatëse përkitazi me ngjashmërinë faktike dhe juridike të rasteve të cilat pretendojnë se janë zgjidhur ndryshe nga gjykatat e rregullta, duke rezultuar në vendime kundërthënëse në praktikën gjyqësore, Gjykata vëren se përveç dorëzimit të dy vendimeve të Gjykatës së Apelit si dhe dy vendimeve të Gjykatës Supreme të cilat nuk janë të plota, ku parashtruesi pretendon rrethanat faktike dhe juridike të ngjashme si ato në rastin e parashtruesit, parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur që Gjykatës t’i paraqesë argumente shtesë, apo raste tjera që janë vendosur ndryshe nga Gjykata e Apelit, dhe rrjedhimisht ta mbështesë pretendimin e tij për cenim të sigurisë juridike, si rezultat i vendimeve kundërthënëse te gjykatat e rregullta.
Andaj, në dritën e praktikës së vet gjyqësore, Gjykata vlerëson se nuk është e mundur të konstatohet ekzistimi i “dallimeve të thella dhe të vazhdueshme” në praktikën gjyqësore të Gjykatës së Apelit që rrezikojnë parimin e sigurisë juridike, duke u thirrur në dy aktgjykime të Gjykatës së Apelit (shih, në mënyrë analoge rastin KI29/17, parashtrues Adem Zhegrova, të cituar më lart, paragrafi 53).
Prandaj, Gjykata konsideron se as numri i aktgjykimeve të paraqitura si kundërthënëse, si dhe as mënyra se si Gjykata Apelit ka vlerësuar dhe trajtuar rastin e parashtruesit të kërkesës nuk krijojnë bazë të mjaftueshme për të arsyetuar pretendimin për shkelje të parimit të sigurisë, si rrjedhojë e vendimeve kundërthënëse të gjykatave të rregullta (shih rastin KI29/17, të cituar më lart, paragrafi 58).
Përfundim
Si përmbledhje, Gjykata konstaton se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara me nenet e sipërcekura të Kushtetutës, janë qartazi të pabazuara, sepse të njëjtat cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë së parë (i) të “shkallës së katërt” dhe kategorisë së tretë (iii) pretendime “të pambështetura ose të paarsyetuara” në baza kushtetuese.
Prandaj, Gjykata konkludon se kërkesa, në tërësinë e saj, duhet të deklarohet qartazi e pabazuar dhe rrjedhimisht e papranueshme në baza kushtetuese, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, më 7 qershor 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Elvis Durmaku
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Penale