Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Gž. nr. 659/2017, të 21 majit 2019

Nr. të lëndës KI 206/19

Parashtruesit: Mladen Nikolić

Shkarko:

KI206/19, Parashtrues: Mladen Nikolić, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit Gž.nr. 659/2017,  të 21 majit 2019 

KI206/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 shkurtit 2020, publikuar më 30 mars 2020

Fjalët kyç: Kërkesë individuale, qartësimi i të  drejtave dhe lirive themelore të garantuara me Kushtetutë, kërkesë e papranueshme

  1. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Gjilan (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) për arsye se L.G.( në tekstin e mëtejmë: i padituri), duke e hapur një portë hyrjeje në oborrin e tij për bartjen e ushqimit të kafshëve, kishte penguar atë në shfrytëzimin e qetë dhe faktik të rrugës në fshatin Koretishtë, Komuna e Novobërdës, nëpër të cilën që të dy kishin qasje për shfrytëzim dhe kalim. Gjykata Themelore përmes Aktvendimit P. Nr. 212/10, të 14 dhjetorit 2016 të gjitha kërkesat e parashtruesit i kishte refuzuar si të pabazuara. Gjykata Themelore, ndër të tjera duke u bazuar edhe në dëshminë e ekspertëve të dalë në terren dhe dëshmitë e ofruara nga dëshmitarët në procedurë, konstatoi se parashtruesi i kërkesës, i padituri dhe bashkëfshatarë të tjerë e shfrytëzojnë të njëjtën rrugë që nga viti 1990-1991, duke nënkuptuar që edhe i padituri është bashkëposedues i kësaj rruge dhe konkludoi se personat e tretë nuk kanë drejtë ta pengojnë të paditurin në shfrytëzimin dhe kalimin e kësaj rruge. Po ashtu, si rrjedhojë e ankesës së parashtruesit të kërkesës kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit Gž. Nr. 659/2017 refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar dhe vërtetoi aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Themelore.

 

  1. Parashtruesi i kërkesës pretendoi se me Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit i janë shkelur të drejtat e tij në kundërshtim me nenet 478, 479 dhe 480 të Ligjit 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, të cilat nene i referohen pengimit të posedimit. Megjithatë, parashtruesi i kërkesës nuk ka qartësuar saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës pretendon se i janë cenuar përmes Aktvendimit të kontestuar.

 

  1. Gjykata, në vlerësimin e pranueshmërisë së kërkesës konstatoi se sa i përket përmbushjes së kërkesave të pranueshmërisë, parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar që konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin Gž. Nr. 659/2017, të 21 majit 2019, të Gjykatës së Apelit, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, dhe ka dorëzuar kërkesën në pajtim me afatin e përcaktuar në nenin 49 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Ligji). Megjithatë, Gjykata duke ju referuar nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 39, paragrafi (1) (d) të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e Punës) konstatoi se  parashtruesi i kërkesës nuk ka qartësuar se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar përmes Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit, të cilin ai e konteston në Gjykatë dhe si rrjedhojë, kërkesën e parashtruesit të kërkesës e shpalli si të papranueshme.
Parashtruesit:

Mladen Nikolić

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri