Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [CN.nr.11/21], i 6 majit 2021

Nr. të lëndës KI132/21

Parashtruesit: Ajsel Gashi, Fetije Gashi-Qeko, Sevim Gashi, Suad Gashi dhe Sylejman Gashi

Shkarko:

KI132/21, Parashtruesit: Ajsel Gashi, Fetije Gashi-Qeko, Sevim Gashi, Suad Gashi dhe Sylejman Gashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [CN.nr.11/21], i 6 majit 2021

KI132/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 27 tetorit 2022, publikuar më  11 janar 2023

Fjalët kyç: kërkesë individuale, ratione materie, e pasafatshme

Gjykata fillimisht rikujton që parashtruesit e kërkesës kontestuan para Gjykatës Aktvendimin e Gjykatës së Apelit [CN. nr. 11/21] të 6 majit 2021, përmes të cilit pretendojnë shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si rezultat i refuzimit të kërkesës se tyre për përsëritjen e procedurës kontestimore. Parashtruesit e kërkesës iu drejtuan Gjykatës së Apelit me kërkesën për përsëritjen e procedurës dhe anulim të Aktgjykimit [C. nr. 1648/2001] të Gjykatës Themelore në Prizren, përmes të cilit aktgjykim ishte vendosur lidhur me meritat e rastit dhe më pas ky aktgjykim ishte vërtetuar përmes Aktgjykimit [Ac. nr. 595/2014] të 8 korrikut 2019, të Gjykatës së Apelit. Në këtë aspekt, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [CN. nr. 11/21] të 6 majit 2021, hodhi poshtë si të palejuar propozimin për përsëritjen e procedurës me arsyetimin se kërkesa nuk i plotësonte kushtet nga neni 237 të Ligjit nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, përkatësisht kërkesa ishte paraqitur jashtë afatit ligjor. Duke pasur parasysh këtë, Gjykata vëren se Gjykata Apelit, sipas kërkesës për përsëritje të procedurës gjyqësore të parashtruesve të kërkesës, vendosi  ekskluzivisht për përmbushjen e kushteve procedurale për paraqitjen e kërkesës për përsëritje të procedurës gjyqësore, dhe jo për meritat e rastit. Sa i përket pretendimit të parashtruesve të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, Gjykata, duke iu referuar praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së dhe praktikës gjyqësore të saj, theksoi se neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ-së nuk zbatohen në kërkesat për rishikimin ose përsëritjen e procedurës.

Ndërsa,  lidhur me pretendimin për shkeljen të nenit 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, Gjykata theksoi se procedura ndaj parashtruesve të kërkesës, e zhvilluar para gjykatave të rregullta ne lidhje me kërkesëpadinë e tyre për vërtetim të të drejtës në pronë, ku ishte trajtuar në merita edhe pretendimi i tyre  lidhur me te drejtat pronësore mbi pronën kontestuese, kishte përfunduar me Aktgjykimin [Ac. nr. 595/2014] të Gjykatës së Apelit, të 8 korrikut 2019, i cili kishte konfirmuar në tërësi Aktgjykimin [C. nr. 648/2001] e Gjykatës Themelore, të 26 gushtit 2013, që kishte hedhur poshtë kërkesëpadinë e parashtruesve të kërkesës për të drejtat pronësore mbi pronën kontestuese. Gjykata vlerëson se kjo pjesë e kërkesës së parashtruesit në lidhje me pretendimin për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës, i cili pretendim ishte trajtuar në merita përmes Aktgjykimit [C. nr. 648/2001] të Gjykatës Themelore, të 26 gushtit 2013, i konfirmuar nga Aktgjykimi [Ac. nr. 595/2014] i Gjykatës se Apelit, i 8 korrikut 2019, është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh.

Bazuar në sa më sipër, Gjykata konstatoi se kërkesa si tërësi shpallet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 39 (1) (c) dhe 39 (3) (b) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Ajsel Gashi, Fetije Gashi-Qeko, Sevim Gashi, Suad Gashi dhe Sylejman Gashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile