Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, CA.nr.6119/2019, të 10 shkurtit 2021

Nr. të lëndës KI108/21

Parashtruesit: N.P.Q “Lesna” B.I dhe Hashim Deshishku, Rizah Deshishku, Bekim Deshishku dhe Bashkim Deshishku

Shkarko:

KI108/21, Parashtrues: N.P.Q “Lesna” B.I dhe Hashim Deshishku, Rizah Deshishku, Bekim Deshishku dhe Bashkim Deshishku, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, CA.nr.6119/2019, të 10 shkurtit 2021

KI108/21, Aktvendim për papranueshmëri i 26 majit 2022, publikuar më 14 korrik 2022

Fjalët kyç:kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta e pronës, biznes individual, interpretim i gabuar i ligjit, kërkesë e papranueshme, qartazi e pabazuar

Nga shkresat e lëndës rezulton që rasti ndërlidhet me një Kontratë mbi Ndërtimin, e lidhur ndërmjet “Lesna” në njërën anë si punëkryrëse dhe NPB-së në anën tjetër si investitor. “Lesna” si Biznes individual, ishte themeluar në vitin 2000 dhe më tej nga certifikata e regjistrimit të biznesit të NPQ “Lesna”,  vërehet se “Lesna” kishte qenë e regjistruar si biznes individual me pronarë Hashim Deshishku, Rizah Deshishku, Bekim Deshishku dhe Bashkim Deshishku. Pas kryerjes së punëve të parapara me kontratë, nga ana e një Komisioni të përbashkët të “Lesna” dhe NPB dhe Raportit të situacioneve rezulton se, NPB-ja kishte bërë pagesat në vlerë prej 3.152.718,95 euro (tre milion e njëqind e pesëdhjetë e dy mijë e shtatëqind e tetëmbëdhjetë euro e nëntëdhjetë e pasë cent) në dobi të “Lesna”. Në anën tjetër, nga llogaria përfundimtare rezulton se vlera e punëve të kryera nga “Lesna” ishte 2.915.384,95 euro (dy milion e nëntëqind e pesëmbëdhjetë e treqind e tetëdhjetë e katër mijë euro e nëntëdhjetë e pesë cent). Në ndërkohë,  në vitin 2003 “Lesna” ishte shuar si biznes. NPB-ja kishte paraqitur padi në Gjykatën Ekonomike kundër “Lesna” duke kërkuar kthimin e mjeteve në vlerë prej 318.315,63 euro (treqind e tetëmbëdhjetë mijë e treqind e pesëmbëdhjetë euro e gjashtëdhjetë e tre cent). Gjykata Ekonomike e Qarkut kishte miratuar padinë e NPB-së. Aktgjykimi i Gjykatës Ekonomike ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme e Kosovës. Më pas, NPB-ja paraqiti propozim për përmbarim tek Zyra e Përmbarimit Vais Law, në bazë të titullit përmbarimor Aktgjykimit të Gjykatës Ekonomike. Zyra e Përmbarimit kishte lejuar përmbarimin në bazë të titullit përmbarimor, dhe si rrjedhojë “Lesna” kishte paraqitur prapësim në Gjykatën Themelore kundër urdhrit për lejimin e përmbarimit. Kjo e fundit kishte refuzuar si të pabazuar  këtë prapsim. Më pas “Lesna” kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, dhe kjo e fundit refuzoi si të pathemeltë ankesën. “Lesna” kishte paraqitur ankesë tek organi përmbarues  dhe tek Ministria e Drejtësisë kundër Zyrës Përmbarimore Vais Law, duke pretenduar parregullsi gjatë procedurës përmbarimore duke pretenduar se është ndryshuar dispozitivi i Aktgjykimit të Gjykatës Ekonomike të Qarkut, sepse në urdhër përmbarimor janë futur persona që nuk kanë qenë objekt gjykimi në procedurën gjyqësore. Më tutje, si rezultat i propozimit të “Lesna” për inicimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të Ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme refuzoi si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, duke theksuar ndër të tjera se përmendja e emrave të pronarëve në aktvendim për lejim të përmbarimit është jorelevante sepse titulli përmbarimor i referohet vetëm detyrimit të “Lesna” e jo edhe të pronarëve të saj.

Më tutje, si rezultat i Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Zyra Përmbarimore Vais Law, përmes Urdhrit Përmbarimor, kishte shpallur të përfunduar procedurën përmbarimore në bazë të Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, sepse “Lesna” ishte shuar si biznes dhe se përmbarimi ndaj pronarëve të “Lesna” ishte pamundësuar. NPB-ja kishte ushtruar ankesë në Gjykatën Themelore kundër Urdhrit Përmbarimor, dhe kjo e fundit kishte aprovuar si të bazuar ankesën, dhe për pasojë kishte anuluar Urdhrin përmbarimor duke e kthyer lëndën tek Zyra për Përmbarim. Më tej, parashtruesit e kërkesës parashtruan ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktgjykimit të Gjykatës Themelore, duke kërkuar që i njëjti të anulohet dhe të mbetet në fuqi Urdhri Përmbarimor me të cilin ishte anuluar procedura përmbarimore. Gjykata e Apelit i aprovoi ankesat dhe çështjen e ktheu në rigjykim. Zyra Përmbarimore Vais Law, kishte bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë që të largohet nga kjo lëndë përmbarimore, dhe kjo e fundit aprovoi kërkesën.

Më tutje, lidhur me procedurën të cilën parashtruesit e kërkesës në mënyrë shprehimore e kontestojnë para Gjykatës, ndërlidhet me procedurën e dytë të rigjykimit në kuadër të procedurës përmbarimore e cila është paraqitur në mënyrë të detajuar tek përmbledhja e fakteve. Gjykata Themelore duke vepruar në rigjykim aprovoi ankesën e NPB-së dhe e ktheu lëndën tek Përmbaruesi Privat për përmbarim. Parashtruesit e kërkesës sërish paraqitën ankesë në Gjykatën e Apelit dhe kjo e fundit aprovoi ankesën dhe lëndën e ktheu në rigjykim. Gjykata Themelore sërish duke vepruar në rigjykim aprovoi ankesën e NPB-së për eliminimin e parregullsive të kryera tek Përmbaruesi Privat. Pas ankesës së parashtruesve të kërkesës në Gjykatën e Apelit kjo e fundit refuzoi ankesën si të pabazuar.

Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës i kontestojnë këto konstatime të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit, të nxjerra në procedurë të dytë të rigjykimit në kuadër të procedurës përmbarimore duke pretenduar fillimisht se me Aktvendimet e lartcekura u janë shkelur të drejtat e tyre të garantuara me nenin  31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe në kuptim të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm pretendojnë se: (i) aktvendimet e kontestuara janë përfshirë me zbatim të gabuar të dispozitave ligjore; dhe (ii) është cenuar parimi i barazisë së armëve dhe ai i kontradiktoritetit. Së dyti, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se si rrjedhojë e shkeljes së të drejtës së tyrë për gjykim të drejtë dhe të paanshëm është shkelur edhe e drejta e tyre në pronë e garantuar me  nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

Lidhur me pretendimin e parashtruesit për mungesën e arsyetimit të vendimeve gjyqësore Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me doktrinën e shkallës së katërt, dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.

Lidhur me pretendimin e parashtruesve se (i) aktvendimet e kontestuara janë përfshirë me zbatim të gabuar të dispozitave ligjore, Gjykata konstatoi se parashtruesit e kërkesës në kërkesën e tyre nuk kanë arritur të dëshmojnë dhe të mbështesin pretendimin e tyre se si Gjykata Apelit gjatë interpretimit dhe zbatimit të së drejtës materiale ka shkelur të drejtën e tyre të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, dhe rrjedhimisht, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Lidhur me pretendimin e parashtruesve të kërkesës se (ii) është cenuar parimi i barazisë së armëve dhe ai i kontradiktoritetit, Gjykata konstatoi se parashtruesit e kërkesës nuk kanë arritur të dëshmojnë se në rastin e tyre gjykatat e rregullta kanë shkelur parimin e barazisë së armëve dhe të kontradiktoritetit në pajtim me parimet e vendosura përmes praktikës së GJEDNJ-së, të cilat janë të mishëruara edhe në dispozitat përkatëse ligjore.

Dhe në fund lidhur me pretendimin e parashtruesve se si rrjedhojë e shkeljes së të drejtës së tyre për gjykim të drejtë dhe të paanshëm është shkelur edhe e drejta e tyre në pronë e garantuar me  nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, Gjykata konstatoi se parashtruesve të kërkesës, respektivisht nuk i është cenuar prona në mënyrë arbitrare, por procedura e përmbarimit edhe në pjesët e pasurisë private të tyre, ishte realizuar bazuar në procedurën përmbarimore të  zhvilluar lidhur me rastin konkret. Më tej Gjykata konsideroi se edhe pretendimi i parashtruesve të kërkesës për shkelje të së drejtës së tyre në pronë, të garantuar me nenin 46 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese.

Parashtruesit:

N.P.Q “Lesna” B.I dhe Hashim Deshishku, Rizah Deshishku, Bekim Deshishku dhe Bashkim Deshishku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile