Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ae.nr.287/18, të 27 majit 2019 dhe Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike, I.EK.nr. 330/2019, të 1 gushtit 2019
Nr. të lëndës KI 195/19
Parashtruesit: Banka për Biznes
KI195/19, Parashtrues: Banka për Biznes, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ae.nr.287/18, të 27 majit 2019 dhe Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Ekonomike, I.EK.nr. 330/2019, të 1 gushtit 2019
KI195/19, Aktgjykim i 7 prillit 2021, i publikuar më 2 qershor 2021
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, res judikata, kërkesë e pranueshme, shkelje e të drejtave kushtetuese
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një Kontratë për Kredi dhe Marrëveshjen pasuese për Kolateral, të vitit 2003 bazuar në të cilat, “Nita Commerc” kishte marrë një kredi prej 269.800,00 euro nga parashtruesi i kërkesës, përkatësisht Banka, me afat kthimi prej dymbëdhjetë (12) muajsh. Duke marrë parasysh që detyrimet e “Nita Commerc” ndaj Bankës nuk ishin kryer bazuar në marrëveshjen në mes palëve, në vitin 2006, kishin filluar procedurat gjyqësore, të cilat kanë rezultuar në një procedurë penale dhe tri procedura kontestimore. Që në fillim të procedurave gjyqësore, Banka kishte pretenduar se “Nita Commerc” nuk i kishte kryer detyrimet e saj, duke kërkuar që të vërtetohet borxhi në vlerë prej 150,000 euro dhe kamata përkatëse. “Nita Commerc”, kishte kundërshtuar këto pretendime, duke theksuar, ndër tjerash, se punëtorët e Bankës kishin realizuar ndërhyrje të paautorizuara në llogarinë e saj bankare, duke rezultuar në pagesa të dyfishta në vlerën prej 74,000 euro. Gjykata Ekonomike e Qarkut në Prishtinë, përmes Aktgjykimit [VIII.C.Nr.207/06] të 23 nëntorit 2006, kishte miratuar kërkesëpadinë e Bankës, duke e detyruar “Nita Commerc” që të paguajë borxhin kryesorë prej 150,000 euro dhe kamatën përkatëse. E njëjta, bazuar në ekspertizën përkatëse, gjithashtu kishte shqyrtuar pretendimet e “Nita Commerc” lidhur me ndërhyrjen e paautorizuar të punëtorëve të Bankës në llogaritë e saj bankare, duke i refuzuar të njëjtat si të pabazuara. Aktgjykimi i lartcekur i Gjykatës Ekonomike të Qarkut në Prishtinë, ishte vërtetuar dy herë përmes Gjykatës Supreme, përmes Aktgjykimeve [Ae.nr.2/2007] të 17 shtatorit 2009 dhe [Rev.E.nr.20/2009] të 17 marsit 2010, respektivisht.
Megjithatë, në dhjetor të vitit 2009, “Nita Commerc” filloi procedurat e reja gjyqësore kundër Bankës. Kësaj radhe, “Nita Commerc”, kishte ngritur padi përkitazi me vlerën prej 74.360.00 euro, të cilën kishte pretenduar se Banka e kishte përvetësuar si rezultat i ndërhyrjes së paautorizuar të punëtorëve të saj në llogarinë e saj bankare. Gjykata Ekonomike e Qarkut në Prishtinë përmes Aktvendimit [IV.C.nr.1/2010] të 12 majit 2010 e kishte hedhur poshtë padinë bazuar në nenin 391 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, duke e cilësuar të njëjtën si res judicata.
Për më tepër, në dhjetor të vitit 2009 dhe maj të vitit 2010, respektivisht, “Nita Commerc” kishte filluar edhe dy procedura të tjera gjyqësore. Të parën, e kishte filluar përmes një kallëzimi penal kundër Bankës, përkatësisht drejtorit të saj dhe punëtorëve A.Sh., M.B. dhe Sh.K., të cilët i akuzonte për ndërhyrje të paautorizuar në llogarinë e saj bankare dhe përvetësimin e shumës prej 79,786,00 euro. Ndërsa, të dytën, e kishte filluar përmes një padie për “moslejimin e ekzekutimit” të Aktvendimit [E.nr.406/09] të 11 nëntorit 2009 të Gjykatës Komunale në Malishevë, i cili kishte lejuar përmbarimin e Aktgjykimit [C.nr. 207/2006] të 23 nëntorit 2006 të Gjykatës Ekonomike të Qarkut në Prishtinë.
Përkitazi me procesin penal, kallëzimi penal i 17 majit 2010 i “Nita Commerc”, më 4 qershor 2013, kishte rezultuar në Aktvendim për fillimin e hetimeve kundër të pandehurve A.Sh., M.B. dhe Sh.K., nga Departamenti për Krime të Rënda i Prokurorisë Themelore, nën dyshimin e kryerjes së veprës penale të përvetësimit gjatë detyrës, siç ishte përcaktuar në Kodin e Përkohshëm Penal të Kosovës. Gjithashtu, bazuar në shkresat e lëndës rezulton se Prokuroria Themelore në Ferizaj, kishte ngritur Aktakuzën vetëm ndaj personave A.Sh. dhe M.B. Aktakuza ishte ngritur kundër të dyve, por e njëjta ishte ndryshuar nga Prokurori i Shtetit, duke e tërhequr Aktakuzën përkitazi me personin M.B. Më 31 mars 2016, Departamenti për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore, përmes Aktgjykimit [PKR.nr.209/2015], e kishte liruar nga akuza edhe personin A.Sh. Ky Aktgjykim më pas ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit. Ndërsa, përkitazi me padinë për “moslejimin e ekzekutimit” të 19 majit 2010, “Nita Commerc”, kishte dorëzuar edhe një parashtresë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, duke kërkuar ndryshimin e kësaj padie në padi për kompenzim dëmi, tashmë në vlerën prej 98,019.43 euro. Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte ndërprerë procedurën kontestimore derisa të përfundojë lënda penale. Më pas ishin zhvilluar edhe dy ekspertiza financiare shtesë dhe ishte konfirmuar se “nuk ka pasur ndonjë dyfishim të veprimeve bankare”. Për pasojë, Gjykata Themelore në Prishtinë, pas shqyrtimit të dëshmive dhe ekspertizave përkatëse, përmes Aktvendimit [I.EK.nr.424/14] të 2 nëntorit 2018, kishte vendosur që çështja në shqyrtim ishte res judicata.
Pas pesë vendimeve të nxjerra në këtë procedurë kontestimore, dy prej të cilave kishin cilësuar kontestin në mes palëve si “çështje e gjykuar” bazuar në pikën d) të nenit 391 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, duke vepruar në bazë të ankesës së “Nita Commerc”, Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit [Ae.nr.287/18] të 27 majit 2019, i kontestuar në rrethanat e rastit konkret, kishte urdhëruar kthimin e çështjes në rivendosje në merita në Gjykatën Themelore, duke theksuar se kontesti përkatës nuk mund të kualifikohet si res judicata. Kërkesa e parashtruesit të kërkesës drejtuar Prokurorit të Shtetit për të iniciuar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër këtij Aktvendimi, ishte refuzuar. Bazuar në Aktvendimin e lartpërmendur të Gjykatës së Apelit, më 1 gusht 2019, përmes Aktvendimit [I.EK.nr.330/19], Gjykata Themelore, kishte refuzuar kërkesën e Bankës që çështja kontestuese të konsiderohet si “çështje e gjykuar” dhe kishte proceduar me shqyrtimin e meritave të çështjes.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës, i konteston këto dy Aktvendime, të Gjykatës së Apelit dhe të asaj Themelore, respektivisht, duke pretenduar se të njëjtat janë nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të garantuara përmes nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke theksuar se në rrethanat e rastit të tij është (i) cenuar parimi i sigurisë juridike; dhe (ii) e drejta në vendim të arsyetuar gjyqësor.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht i ka shtjelluar parimet e përgjithshme që burojnë nga praktika e saj gjyqësore dhe ajo e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me parimin e sigurisë juridike, përkatësisht, parimin e plotfuqishmërisë së vendimeve të formës së prerë, duke sqaruar, ndër të tjera, se (i) një nga aspektet themelore të sundimit të ligjit është parimi i sigurisë juridike, i cili kërkon, ndër të tjera, që atëherë kur gjykatat kanë vendosur përfundimisht një çështje, vendimi i tyre nuk duhet të vihet në dyshim dhe t’i nënshtrohet shqyrtimeve të mëtejme; (ii) asnjë palë nuk ka të drejtë të kërkojë rishikimin e një vendimi të plotfuqishëm dhe detyrues gjyqësor thjesht për qëllim të fitimit të mundwsisw sw rishqyrtimit dhe zgjidhjes së freskët të rastit, posaqërisht përmes një “ankese të maskuar”; dhe (iii) përjashtime nga një parim i tillë, janë të mundshme vetëm nëse justifikohen nga rrethanat e një “karakteri substancial bindës dhe detyrues”.
Ndërsa, bazuar në këto parime dhe aplikimin e tyre në rrethanat e rastit konkret, Gjykata shqyrtoi nëse (i) përkitazi me kontestin në mes palëve tashmë ka vendime res judicata; (ii) çështja në shqyrtim para Gjykatës së Apelit, ngërthente kufizime ad personam dhe të fushëveprimit material; dhe (iii) rihapja e procedurave që tashmë mund të kenë arritur statusin e res judicata, nga Gjykata e Apelit, mund të arsyetohet përmes rrethanave të një “karakteri substancial bindës dhe detyrues”.
Gjykata konstatoi se Aktvendimet e kontestuara të Gjykatës së Apelit dhe asaj Themelore, respektivisht, kishin rihapur procedura të cilat tashmë kishin arritur statusin e res judicata, përmes Aktgjykimit [VIII.C.Nr.207/06] të 23 nëntorit 2006 të Gjykatës Ekonomike të Qarkut në Prishtinë, siç ishte konfirmuar edhe përmes dy Aktgjykimeve të Gjykatës Supreme, Aktgjykimit [Ae.nr.2/2007] të 17 shtatorit 2009 dhe Aktgjykimit [Rev.E.nr.20/2009] të 17 marsit 2010, respektivisht; Aktvendimit [IV.C.nr.1/2010] të 12 majit 2010 të Gjykatës Ekonomike të Qarkut; dhe Aktvendimit [I.EK.nr.424/14] të 2 nëntorit 2018 të Gjykatës Themelore. Gjykata theksoi se përkundër, dallimeve të caktuara në tri procedurat e ndjekura kontestimore, çështja para Gjykatës së Apelit, nuk kishte kufizime ad personam dhe të fushëveprimit material, përkatësisht të gjitha procedurat civile kishin të bënin saktësisht me të njëjtat palë, të njëjtat marrëdhënie juridike dhe të njëjtat rrethana, të cilat ishin thelbësore për vendosjen e kontestit.
Gjykata gjithashtu konstatoi se në rrethanat e rastit konkret, rihapja e këtyre procedurave nuk ishte e justifikuar nga rrethana të një “karakteri substancial bindës dhe detyrues”. Në këtë kontekst, Gjykata theksoi se arsyetimi i Gjykatës së Apelit, përmes Aktvendimit të kontestuar, ndër të tjera, se zhvillimi i një procedure penale paralelisht me procedurën kontestimore e pengonte kualifikimin e çështjes përkatëse civile si res judicata, duke theksuar se “deri më tani nuk dihet epilogu i kësaj procedure penale”, është për më tepër i pasaktë, sepse deri në momentin kur Gjykata e Apelit kishte nxjerrë Aktvendimin e kontestuar, e tërë procedura penale kishte përfunduar përmes dy Aktgjykimeve në procedurë penale e të cilat kishin liruar të akuzuarit, përkatësisht punëtorët e Bankës nga përgjegjësia penale, të cilën “Nita Commerc” dhe Prokuroria përkatëse pretendonin se mbanin.
Prandaj, duke marrë parasysh vërejtjet e mësipërme dhe procedurën në tërësi, Gjykata konstatoi se Aktvendimi [Ae.nr.287/18] i 27 majit 2019 i Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimi [I.EK.nr.330/19] i 1 gushtit 2019 i Gjykatës Themelore, janë në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike të mishëruar në nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sepse kanë rihapur vendime të gjykatave që kishin statusin e res judicata, pa asnjë justifikim të një “karakteri substancial bindës dhe detyrues”. Si të tilla, të dyja janë në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe rrjedhimisht, të pavlefshme.
Banka për Biznes
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile