Prishtinë, 1 qershor 2023
Nr.ref.: RK 2198/23
AKTVENDIM PËR PAPRANUESHMËRI
në
rastin nr. KI98/22
Parashtrues
Shefki Dibra
Vlerësim i kushtetutshmërisë
së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit Ac.nr.9276/2021 të 18 nëntorit 2021
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Shefki Dibra nga Komuna e Mitrovicës(në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i cili përfaqësohet para Gjykatës Adem Vokshi, avokat nga shoqëria e avokatëve “Vokshi & Lata” nga Prishtina.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston Aktvendimin [Ac.nr.9276/21] të 18 nëntorit 2021, të Gjykatës së Apelit të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit) në lidhje me Aktvendimin [C.nr.395/2007] të 20 shtatorit 2021 të Gjykatës Themelore në Mitrovicë (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore).
Parashtruesi i kërkesës, Aktvendimin e kontestuar e kishte pranuar më 7 dhjetor 2021.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të kontestuar, përmes së cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe neni 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 32 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 29 qershor 2022, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) pranoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës të cilën e kishte dorëzuar personalisht.
Më 5 korrik 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Themelore. Në po të njëjtën datë, Gjykata kërkoi nga Gjykata Themelore që të njoftojë Gjykatën lidhur me datën kur parashtruesi i kërkesës e kishte pranuar aktin e kontestuar.
Më 7 korrik 2022, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr. GJR. KI98/22], caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Safet Hoxha (anëtarë).
Më 15 korrik 2022, Gjykata Themelore ia dorëzoi Gjykatës fletë-kthesën që tregon se parashtruesi i kërkesës aktin e kontestuar e kishte pranuar më 7 dhjetor 2021.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç ‘rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 27 prill 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtares raportuese dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës papranueshmërinë e kërkesës.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton se parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur padi kundër palëve të paditura kompanisë “Metalurgjia e Zinkut” dhe E.K., në çështjen juridike lidhur me anulimin e kontratës mbi blerjen e banesës dhe vërtetimin e të drejtës banesore.
Më 28 janar 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.395/2007] obligoi parashtruesin e kërkesës që në afat tre (3) ditor nga pranimi i vendimit të plotësojë padinë duke sjellë dokumentet origjinale së bashku me padi, në të kundërtën padia do të konsiderohej e tërhequr. Parashtruesi i kërkesës ishte përgjigjur se dokumentacioni origjinal ishte asgjësuar në vitin 1999. Më 29 shtator 2021, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [C.nr.395/2007] kishte hedhur poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës për shkak të mos precizimit të kërkesëpadisë përkatësisht mos dorëzimit të dokumenteve origjinale me arsyetimin se nuk mund të vërtetohej saktë nëse dokumentet e dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës janë lëshuar dhe nënshkruar nga organet kompetente ose jo. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkelje thelbësore të dispozitave procedurale. Më 18 nëntor 2021, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.9276/21] e refuzoi të pabazuar dhe të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës. Gjykata e Apelit shpjegoi se padia e parashtruesit të kërkesës nuk i përmban elementet nga neni 253 i LPK-së, nuk është bashkëngjitur kontrata e shitblerjes së banesës së kontestuar, dokumentet nuk kanë pasur numër të protokollimit dhe shkaqet tjera të përmendura nga gjykata e shkallës së parë.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktvendimin [Ac.nr.9276/21] të 18 nëntorit 2021 të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar se i njëjti është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese. Vendimi i kontestuar ndërlidhet me një kontest pronësor ndërmjet parashtruesit të kërkesës si paditës dhe palëve të paditura kompanisë “Metalurgjia e Zinkut” dhe E.K. Gjykata Themelore me Aktvendimin [C.nr.395/2007] të 20 shtatorit 2021 kishte hedhur poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës për shkak të mos precizimit të kërkesëpadisë përkatësisht mos dorëzimit të dokumenteve origjinale me arsyetimin se nuk mund të vërtetohej saktë nëse dokumentet e dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës janë lëshuar dhe nënshkruar nga organet kompetente ose jo. Pas ankesës së parashtruesit të kërkesës, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac.nr.9276/21] të 18 nëntorit 2021 e refuzoi të pabazuar dhe të pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe e vërtetoi aktvendimin e kontestuar të Gjykatës Themelore [C.nr.395/2007] të 20 shtatorit 2021.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon se Aktvendimi [Ac.nr.9276/21] të Gjykatës së Apelit të të 18 nëntorit 2021, që ndërlidhet me padinë e lartcekur për kontestin pronësor, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese, konkretisht nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 (Mbrojtja e pronës) të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese ka ngritur çështjen e zhdukjes së dokumenteve si pasojë e rrethanave të jashtëzakonshme, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe shkeljet e dispozitave procedurale, me ç ‘rast gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ.
Gjykata po ashtu vëren se parashtruesi i kërkesës në shkresat e lëndës ka bashkangjitur Njoftimin [KMLC.nr.03/2022] të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të 28 shkurtit 2022, kundër të cilit, parashtruesi i kërkesës nuk ngre pretendime kushtetuese e as që kërkon nga Gjykata që i njëjti të shfuqizohet.
Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që të vendos: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) ka pasur shkelje të neneve 24, 31 dhe 46 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së; (iii) shpall të pavlefshëm Aktvendimi [Ac.nr.9276/21] të Gjykatës së Apelit të 18 nëntorit 2021 me të cilin vërtetohet Aktvendimi [C.nr.395/2007] i Gjykatës Themelore i 20 shtatorit 2021 dhe çështjen t’ia kthej Gjykatës Themelore në shqyrtim meritor.
Dispozitat relevante të Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës
Kushtetuta
Nenit 113
[Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara]
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Ligji
Neni 49
(Afatet)
“Kërkesa parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Në të gjitha rastet e tjera, afati fillon të ecë në ditën kur vendimi ose akti është shpallur publikisht. Nëse kërkesa është e drejtuar kundër një ligji, atëherë afati fillon të ecë që nga dita kur ligji ka hyrë në fuqi.”
Rregullorja e punës
Rregulli 39
(Kriteret e pranueshmërisë)
“(1) Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
c) kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajsh nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit, dhe
[…].”
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtin nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Gjykata më tej i referohet kritereve të pranueshmërisë, siç specifikohen më tej në Ligj. Në lidhje me këtë, sipas paragrafit 1 të nenit 47 (Kërkesa individuale), çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tij individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik. Sipas paragrafit 2 të të njëjtit nen, individi mund të ngre kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kritereve, Gjykata thekson se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [Ac.nr.9276/21] të 18 nëntorit 29021 të Gjykatës së Apelit, pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.
Në këtë kontekst, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata rikujton që parashtruesi i kërkesës e konteston Aktvendimin [Ac.nr.9276/21] të 17 prillit 2019 të Gjykatës së Apelit. Fletë-kthesa e dorëzuar në Gjykatë nga Gjykata Themelore, vërteton që parashtruesi i kërkesës e ka pranuar aktin e kontestuar më 7 dhjetor 2021. Parashtruesi i kërkesës e ka dorëzuar kërkesën e tij në Gjykatë më 29 qershor 2022, më shumë se dy (2) muaj pas pranimit të aktit të kontestuar. Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajve të përcaktuar me Ligj dhe Rregullore të punës, dhe rrjedhimisht është e papranueshme për shqyrtim.
Në rastet kur parashtruesi i kërkesës ka të drejtë që kopja e vendimit të plotfuqishëm të organeve gjyqësore vendore t’i dorëzohet në mënyrë automatike, qëllimit dhe synimit të nenit 49 të Ligjit më së miri do t’i shërbehej nëse afati katër mujor llogaritet nga data kur është dorëzuar kopja e atij vendimi (shih, ndër të tjera, rastin GJEDNJ-së Worm kundër Austrisë, nr. 83/1996/702/894, Aktgjykim i 29 gushtit 1997, paragrafi 33).
Gjykata rikujton se qëllimi i afatit ligjor prej 4 (katër) muajve, sipas nenit 49 të Ligjit dhe sipas rregullit 39 (1) (c) të Rregullores së punës, është që të promovojë siguri juridike, duke siguruar që rastet që kanë të bëjnë me çështje kushtetuese të trajtohen brenda një periudhe të arsyeshme dhe vendimet e mëparshme të mos jenë vazhdimisht të hapura për t'u kontestuar (shih, ndër të tjera, rastet e Gjykatës KI48/21, parashtrues Xhavit R. Sadrija, Aktvendimi për papranueshmëri, i 30 qershorit 2021, paragrafi 44; dhe KI45/21, parashtrues Samedin Bytyqi, Aktvendim për papranueshmëri, i 20 majit 2021, paragrafi 35; shih gjithashtu, ndër të tjera, rastin e GJEDNJ-se Mocanu dhe të tjerët kundër Rumanisë, nr. 10865/09,45886/07 dhe 32431/08, Aktgjykim i 17 shtatorit 2014, paragrafi 258).
Gjykata përsëritë se parashtruesi i kërkesës vetëm sa ka bashkangjitur në shkresat e lëndës edhe Njoftimin [KMLC.nr.03/2022] të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit të 28 shkurtit 2022, kundër të cilit, parashtruesi i kërkesës nuk ngre pretendime kushtetuese e as që kërkon nga Gjykata që i njëjti të shfuqizohet. Megjithatë, Gjykata vëren se edhe Njoftimi i lartpërmendur është dorëzuar jashtë afatit ligjor katër (4) mujor, për një (1) ditë, duke qenë se kërkesa është dorëzuar në Gjykatë më 29 qershor 2022.
Si përfundim, nga arsyet e shtjelluara si më sipër, Gjykata konstaton se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, Gjykata nuk mund të shqyrtojë meritat e rastit, përkatësisht, nëse përmes Aktvendimit të kontestuar janë shkelur të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të neneve 27, 49 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 39 (1) (c) të Rregullores së punës, më 27 prill 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të papranueshme;
T'UA KUMTOJË këtë Aktvendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Aktvendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky Aktvendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Shefki Dibra
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile