Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac.nr. 4988/18, të 13 marsit 2019

Nr. të lëndës KI 127/19

Parashtruesit: Benezir Berisha

Shkarko:

KI127/19, Parashtruese: Benezir Berisha, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac.nr. 4988/18, të 13 marsit 2019

KI127/19 Aktvendim për papranueshmëri, i 13 majit 2020, publikuar më 27 maj 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë përmbarimore, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesja e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese kontestoi kushtetutshmërinë e Aktvendimit të  Gjykatës së Apelit [Ac.nr. 4988/18] të 13 marsit 2019, duke pretenduar në shkeljen e të drejtave të saj të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesja e kërkesës kishte ushtruar kërkesë për përmbarimin e Aktgjykimit [AC. nr.1302/2018] të Gjykatës së Apelit, të 11 qershorit 2018, përkitazi me pagesën e një detyrimi, në shumën prej 5500 € (pesëmijë e pesëqind euro), e cila duhej paguar nga ish-bashkëshorti i saj, në emër të alimentacionit. Mirëpo, pas ushtrimit të prapësimit gjykata përmbarimore e shkallës së parë kishte vendosur ta korrigjonte shumën e përgjithshme të detyrimit, prej 5500 € (pesëmijë e pesëqind euro), për shkak se ish-bashkëshorti i parashtrueses së kërkesës një pjesë të detyrimit e kishte shlyer kohë pas kohë nëpërmjet transfereve bankare. Si rrjedhojë, parashtruesja pretendoi se ndërhyrja e gjykatave përmbarimore në zbritjen e pagesës së shumës së përgjithshme, ka prekur çështjen e gjykuar (res judicata) dhe parimin e sigurisë juridike.

Në këto rrethana, Gjykata vlerësoi se gjykatat përmbarimore nuk kanë prekur substancën e asaj që ishte vendosur, sipas procedurës kontestimore, me Aktgjykimin përfundimtar [AC.nr.1302/2018] të Gjykatës së Apelit, të 11 qershorit 2018, sepse gjykatat përmbarimore nuk kanë rihapur ose ndryshuar çështjet e gjykuara, as sa i përket: i) besimit, kujdesit dhe edukimit të fëmijës O.M., dhe as sa i përket ii) përcaktimit të lartësisë së detyrimit mujor prej 150€ (njëqind e pesëdhjetë euro), në lidhje me alimentacionin, por kanë korrigjuar shumën e përgjithshme të detyrimit prej 5500€ (pesëmijë e pesëqind euro), nga arsyet e shtjelluara në paragrafët 47 dhe 48 të këtij vendimi. Sa i përket pretendimeve të tjera të parashtrueses së kërkesës se gjykatat përmbarimore është dashur t’i marrin parasysh parashtresat e dorëzuara para tyre, Gjykata vlerësoi se nuk është në juridiksionin e saj, si Gjykatë të vlerësojë çështje të faktit ose ligjit, sepse si rregull këto çështje bien në kompetencë të gjykatave të rregullta, për aq sa vendimmarrja e tyre të mos çojë në arbitraritet të dukshëm.

Si përmbledhje, Gjykata konsideroi se parashtruesja e kërkesës, në baza kushtetuese, nuk i ka mbështetur pretendimet e saj se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe se me Aktvendimin e kontestuar i janë shkelur asaj të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë dhe me Konventë.  Rrjedhimisht, Gjykata, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës konkludoi se kërkesa e parashtrueses së kërkesës, në baza kushtetueses, duhet të shpallet e papranueshme, si qartazi e pabazuar.

Parashtruesit:

Benezir Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër