Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit AC. nr. 4568/17, të 18 qershorit 2020

Nr. të lëndës KI 183/20

Parashtruesit: Naser Husaj

Shkarko:

KI183/20, Parashtrues: Naser Husaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit AC. nr. 4568/17, të 18 qershorit 2020

KI183/20 Aktvendim për papranueshmëri, i 13 prillit 2021, publikuar më xx xx 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest pronësor, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, kontestoi Aktvendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, AC-II-15-0042, të 21 korrikut 2020 për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të garantuara me nenet 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave kushtetuese ndërlidhet me faktin se “Gjykata e shkallës së parë në Pejë me aktvendimin C. nr. 175/16 e 14.9.2017 nuk ka vepru sipas udhëzimeve të Aktvendimit të Gjykatës së Apelit AC-nr-3152/13 të datës 12.3.2014, ku ka kërku të vërtetohet se ku gjindet bodrumi nr. 9, dhe nuk e ka vërtetu se kush ka qenë në posedim të fundit të këtij bodrumi. Gjykata nuk ka dal në vendngjarje, por vetëm ka ardhë gjeodeti, prandaj nuk është vërtetu…”.

Në këtë rast, Gjykata vërejti se thelbi i pretendimeve për shkelje të të drejtave të garantuara, ndërlidhet me nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, të cilat parashtruesi i kërkesës nuk i shpjegon dhe as nuk i arsyeton më tej. Përkitazi me këto pretendime, Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës vetëm i përmend nenet përkatëse, por nuk shtjellon më tutje se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e këtyre neneve përkatëse të Kushtetutës. Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në këtë kontekst, rastet e Gjykatës Kushtetuese KI136/14, parashtrues: Abdullah Bajqinca, Aktvendim për papranueshmëri, paragrafi 33; KI187/18 dhe KI 11/19, parashtrues: Muhamet Idrizi Aktvendim për papranueshmëri, i 29 korrikut 2019, paragrafi 73, dhe së fundmi rastin KI125/19 parashtrues: Ismajl Bajgora, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 marsit 2020, paragrafi 63).

Prandaj, Gjykata konkludoi se kërkesa duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse këto pretendime cilësohen si pretendime që i takojnë kategorisë (iii) së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, sepse parashtruesi i kërkesës thjesht ka cituar një ose më shumë dispozita të Konventës ose të Kushtetutës, pa shpjeguar se si janë shkelur ato. Prandaj, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Naser Husaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile