KI143/19 Parashtrues: Agim Thaqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit [Ac. nr. 3297/15], të 8 marsit 2019
KI143/19 Aktvendim për Papranueshmëri i 16 janarit 2020, publikuar më 28 janar 2020.
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kontest pune, kërkesë e paafatshme
Parashtrues i kërkesës është Agim Thaqi me vendbanim në Prizren, i cili kishte ngritur padi kundër Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për shkak të largimit të tij nga puna. Ai përmes padisë nga gjykata kishte kërkuar kthimin e tij në punë në pozitën të cilën e kishte ushtruar në kohën e pushimit nga puna. Gjykata e shkallës së parë kishte refuzuar padinë e tij, ku ai më pas kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Qarkut në Prizren e cila po ashtu kishte refuzuar ankesën. Më pas, parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur revizion në Gjykatën Supreme e cila e kishte aprovuar revizionin e parashtruesit dhe ku kishte vendosur që ai të kthehet në vendin e punës.
Pas vendimit të Gjykatës Supreme parashtruesi i kërkesës paraqiti propozim për përmbarimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme. Gjykata Komunale në Prizren ia lejoi përmbarimin dhe urdhëroi KEK-un për kthimin e tij në punë. KEK përmes një njoftimi e njoftoi parashtruesin për kthim në punë, mirëpo në një vend tjetër të punës për arsye se pozita në të cilën ai kishte punuar më herët tash ishte pjesë e KEDS-it për shkak të privatizimit, dhe nuk kishin mundësi ta sistemonin në atë vend pune për shkak se tash ai i takonte një ndërmarrje tjetër. Bazuar në këtë, KEK i ishte drejtuar me një parashtresë Gjykatës Themelore ku kishte njoftuar se e kishte përmbushur obligimin e saj nga vendimi i përmbarimit. Gjykata Themelore përmes Aktvendimit të saj kishte vendosur që pala debitore në këtë rast KEK kishte përmbushur obligimin e saj që del nga urdhëri përmbarimor. Këtë e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit e cila e kishte refuzuar si te pathemeltë ankesën e parashtruesit të kërkesës. Po ashtu edhe Prokurori i Shtetit e kishte refuzuar propozimin e parashtruesit për inicimin e procedurës për mbrojtjen e ligjshmërisë.
Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendoi se vendimet gjyqësore të gjykatave të rregullta, përkatësisht Aktvendimi [Ac. nr. 3297/15] i 8 marsit 2019 i Gjykatës së Apelit, i shkel atij të drejtat e garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës.
Gjykata, pas shqyrtimit të lëndës, vërejti se vendimi i fundit i plotfuqishëm është Aktvendimi i Gjykatës së Apelit i 8 marsit 2019, të cilin parashtruesi i kërkesës e ka pranuar me 28 mars 2019 ku dëshmohet edhe përmes fletkthesës së Gjykatës, ndërsa kërkesën në Gjykatën Kushtetuese e ka dorëzuar me 13 shtator 2019.
Prandaj, bazuar si më sipër, rrjedh se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit, si dhe rregullin 39 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe duhet të deklarohet e papranueshme, sepse është e paafatshme.
Agim Thaqi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Administrative