Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 227/18, të 18 shtatorit 2018, lidhur me mospërmbarimin e Vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, A 02 158/07, të 25 shkurtit 2008

Nr. të lëndës KI 193/18

Shkarko:
Përmbledhje

KI 193/18, Parashtrues i kërkesës: Agron Vula,  Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, Ac. nr. 227/18, të 18 shtatorit 2018, lidhur me mospërmbarimin e Vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, A 02 158/07, të 25 shkurtit 2008 

KI 193/18, Aktgjykim i miratuar më 22 prill 2020, i publikuar më 12 maj 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta për mjete efektive juridike, mbrojtja gjyqësore e të drejtave, zgjidhje efektive, mos zbatim i vendimit të përmbarueshëm, kompensimi i dëmit.

Parashtruesi i kërkesës kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërinë e Aktvendimit të Gjykatës së Apelit , Ac. nr. 227/18, të 18 shtatorit 2018 në lidhje me mospërmbarimin e Vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës, A 02 158/07, të 25 shkurtit 2008, duke pretenduar shkelje të drejtave dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E drejta për një Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), në lidhje me nenet 6 [E drejta për një proces të rregullt] dhe 13 [E drejta për zgjidhje efektive], të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).

Gjykata konstatoi se aspektet thelbësore të kësaj kërkese kanë të bëjnë me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm (neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ), të drejtën për mjete juridike efektive dhe të drejtën për mbrojtje gjyqësore të të drejtave (nenet 32 dhe 54 të Kushtetutës, në lidhje me neni n13 i KEDNJ).

Gjendja faktike në  rastin konkret paraqitet si në vijim: në vitin 2003 Kryeshefi Ekzekutiv i Kuvendit Komunal të Gjakovës nxori Aktvendimin 12 nr. 01-139, për “suspendimin e përkohshëm” të parashtruesit të kërkesës nga vendi i punës – duke filluar nga 20 gushti 2003 e deri në përfundimin e procedurës për konstatim të përgjegjësisë së tij disiplinore. Ndërkohë, parashtruesi i kërkesës u ankua në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Kosovës (në tekstin e mëtejmë, KPMK). Më 25 shkurt 2008, KPMK-ja me Vendimin A 02 158/2005, aprovoi pjesërisht ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe urdhëroi Komunën e Gjakovës që ta zhvillojë një procedurë disiplinore të re ndaj parashtruesit të kërkesës, në pajtim  me dispozitat ligjore në fuqi. KPMK-ja kishte konstatuar:  “Ky organ duke i shqyrtuar provat shkresore të prezantuar gjen se; Suspendimi i të përmendurit është bërë në kundërshtim me procedurën e paraparë me Urdhëresën Administrative nr. 2003/2 lidhur me zbatimin e Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/36 mbi Shërbimin Civil të Kosovës […]”.

Ndërkohë, çështja e parashtruesit të kërkesës u zhvillua në procedura administrative, kontestimore dhe përmbarimore, ku u nxorën një mori vendimesh në dobi por edhe në dëm të parashtruesit të kërkesës. Vendimi i fundit në çështjen e parashtruesit të kërkesës ishte Aktvendimi i Gjykatës së Apelit , Ac. nr. 227/18, të 18 shtatorit 2018, që kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës e refuzoi të papranueshme për shkak të ekzistimit të gjyqvarësisë (litispendenca).

Në shqyrtimin e saj, Gjykata theksoi posaçërisht faktin se Vendimi i KPMK-së ishte vërtetuar në procedurë përmbarimore nga Gjykata e Apelit, si shkallë e fundit, me aktvendimet Ac.nr.1459/15 dhe Ac. nr. 516/16, të 26 tetorit 2015, përkatësisht 4 dhjetorit  2017. Këto aktvendime të Gjykatës së Apelit po ashtu kishin vërtetuar aktvendimet e Gjykatës Themelore në Gjakovë, me të njëjtin numër, E.nr.1100/12, të 31 tetorit 2014, përkatësisht 27 shkurtit 2015, të cilat kishin lejuar përmbarimin e Vendimit të KPMK-së, të 25 shkurtit 2008.

Për sa i përket përmbarimit të vendimit të KPMK-së dhe ndërlidhjes me nenin 31 të Kushtetutës Gjykata theksoi se do të ishte e pakuptimtë nëse sistemi juridik i Republikës së Kosovës do të lejonte që një vendim i formës së prerë në procedurë administrative dhe i përmbarueshëm, të mbetej i paefektshëm në dëm të një pale. Prandaj, joefektshmëria e procedurave dhe moszbatimi i vendimeve prodhojnë efekte të cilat sjellin para situatave që janë në shpërputhje me parimin e sundimit të ligjit (neni 7 i Kushtetutës) –  parim ky të cilin të gjitha autoritetet publike në Kosovë janë të detyruara ta respektojnë.

Për sa i përket zgjidhjes efektive të çështjes së parashtruesit të kërkesës, Gjykata u shpreh se mosekzistimi i mjeteve juridike apo mekanizmave të tjerë efektive, për përmbarimin e Aktvendimit të KPMK-s (pavarësisht se cili do të ishte epilogu për parashtruesin nga përmbarimi i atij Aktvendimi), cenon të drejtën për mjete juridike efektive, të garantuar me nenin 32 dhe të drejtën për mbrojtje gjyqësore të të drejtave, të garantuar me nenin 54 të Kushtetutës, në ndërlidhje me të drejtën për zgjidhje efektive, të garantuar me nenin 13 të KEDNJ-së.

Në fund, Gjykata konstatoi se mospërmbarimi i Aktvendimit të KPMK-së nga Komuna e Gjakovës, sidomos pas disa vendimeve të gjykatave të rregullta që lejuan përmbarimin e tij, kanë shkaktuar shkelje të neneve 31, 32 dhe 54 të Kushtetutës, si dhe të neneve 6 dhe 13 të KEDNJ-së.

Gjykata theksoi se Vendimi i KPMK-së nuk ka përcaktuar që Komuna e Gjakovës duhej ta kthente parashtruesin e kërkesës në vendin e punës, por ka urdhëruar Komunën e Gjakovës që procedurën disiplinore ndaj parashtruesit të kërkesës ta zhvillonte në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi  për shërbyesit civilë.  Prandaj, Gjykata nuk ka trajtuar çështjen nëse parashtruesi i kërkesës duhet të kthehet, ose jo, në vendin e punës, përkatësisht nëse është cenuar neni 49 i Kushtetutës.

Për sa i përket ndreqjes së shkeljeve të garancive kushtetuese të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, duke pasur parasysh rrethanat e veçanta të rastit nën shqyrtim, vlerësoi se  është detyruar të mjaftohet me konstatimin e shkeljes së  neneve 31 dhe 32 dhe 54 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së dhe nenin 13 të KEDNJ-së, duke udhëzuar parashtruesin e kërkesës në procedurë civile, pranë gjykatave të rregullta, për kompensim eventual të dëmit.

Parashtruesit:

Agron Vula

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative, Tjetër