Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 521/23, të 15 dhjetorit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI111/24

Parashtruesit: Shpend Berisha

Shkarko:

KI111/24, Parashtrues: Shpend Berisha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 521/23, të 15 dhjetorit 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës 

KI111/24, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 shtatorit 2024, publikuar më 24 shtator 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazua

Rrethanat e rastit konkret rezultojnë në atë se parashtruesi i kërkesës dhe disa persona të tjerë me automjetin e tyre ishin përfshirë në një aksident komunikacioni të shkaktuar nga një automjet i siguruar tek “Elsig” me ç’ rast të njëjtit kishin pësuar lëndime trupore. Si pasojë parashtruesi i kërkesës dhe personat e tjerë kishin paraqitur padi në Gjykatën Themelore ndaj “Elsig”, duke kërkuar kompensimin e dëmit të pësuar si pasojë e aksidentit. Gjykata Themelore miratoi pjesërisht kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe të dëmtuarave tjerë, duke detyruar “Elsig” që t’i paguajë parashtruesit të kërkesës shumën prej katër mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë e pesë (4,675,00) euro, në emër të dëmit material dhe jo material, si dhe shpenzimeve procedurale. Megjithatë, duke vepruar sipas ankesës së “Elsig”, Gjykata e Apelit kishte zvogëluar shumën e akorduar nga Gjykata Themelore për parashtruesin e kërkesës në dymijë e tetëqind (2,800.00) euro. Më 17 janar 2023, avokati i parashtruesit të kërkesës e kishte pranuar Aktgjykimin e lartcekur [AC. nr. 417/19] të 23 dhjetorit 2022 të Gjykatës së Apelit. Më 16 qershor 2023, kundër aktgjykimit të lartcekur të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës dhe të dëmtuarit tjerë, kishin dorëzuar në postë revizionin për Gjykatës Supreme, të cilën kjo e fundit e kishte pranuar më 26 qershor 2023. Më 15 dhjetor 2023, Gjykata Supreme hodhi poshtë si të paafatshëm revizion e paraqitur nga parashtruesi i kërkesës dhe të dëmtuarit tjerë, pasi sipas Gjykatës Supreme Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit ishte pranuar nga avokati i parashtruesit të kërkesës më 17 janar 2023, përderisa revizioni ishte dorëzuar në postë më 16 qershor 2023 dhe ishte pranuar nga Gjykata Supreme më 26 qershor 2023. Rrjedhimisht, Gjykata Supreme konstatoi se në rastin konkret, kishte kaluar afati tridhjetë (30) ditor për paraqitjen e revizionit..

Parashtruesi i kërkesës përkitazi me Aktvendimin e kontestuar pretendoi se Gjykata Supreme ka llogaritur gabimisht afatin për paraqitjen e revizionit kundër Aktgjykimit [Ac. nr. 417/19] të Gjykatës së Apelit. Kjo pasi, sipas tij, Aktgjykimi i Gjykatës së Apelit fillimisht u dorëzua gabimisht tek një avokat tjetër në vend që t’i dërgohej avokatit Armend Krasniqi, përkatësisht avokatit N. M. i cili pastaj të njëjtin ia kishte kthyer Gjykatës Themelore. Andaj, ai pretendon se Gjykata Supreme, duke vendosur që revizioni është paraqitur jashtë afatit, ka cenuar të drejtën e tij për të përdorur mjete juridike ndaj Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, në kundërshtim me nenet 31 dhe 32 të Kushtetutës dhe nenet 6 dhe 13 të KEDNj-së, dhe si pasojë nuk ishin trajtuar pretendimet e tij sa i përket provave dhe ekspertizave të cilat kanë konstatuar lëndimet trupore të tij dhe gjetjeve të Gjykatës së Apelit.

Në këtë aspekt, Gjykata rikujtoi se Gjykata Supreme e kishte hedhur poshtë revizionin e parashtruesit të kërkesës për arsye procedurale, përkatësisht pasi i njëjti ishte paraqitur jashtë afatit tridhjetë (30) ditor të përcaktuar me ligj. Kjo pasi aktgjykimi i Gjykatës së Apelit ishte pranuar nga avokati i parashtruesit të kërkesës më 17 janar 2023, përderisa revizioni ishte dorëzuar në postë më 16 qershor 2023. Lidhur me këtë, edhe Gjykata ka kërkuar fletëkthesën nga Gjykata Themelore sipas së cilës rezulton se avokati i parashtruesit të kërkesës, Armend Krasniqi, e kishte pranuar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit më 17 janar 2023. Andaj, bazuar në të lartcekurat rezultoi se procedurat para Gjykatës Supreme ishin zhvilluar bazuar në kërkesat procedurale për të shqyrtuar revizionin, përkatësisht afatet procedurale të përcaktuara në LPK.

Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 31 dhe 32 të Kushtetutës dhe neneve 6 dhe 13 të KEDNj-së si pasojë që Gjykata Supreme ka gjetur se revizioni ndaj aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, është paraqitur jashtë afatit ligjor, janë pretendime që kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes”, dhe rrjedhimisht, të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Lidhur me kërkesën për moszbulim identiteti, Gjykata duke marrë parasysh rrethanat e rastit konkret përfshirë faktin që parashtruesi i kërkesës nuk e ka arsyetuar kërkesën për moszbulim të identitetet, bazuar në paragrafin 1 të rregullit 24 të Rregullores së punës, Gjykata e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës për moszbulimin e identitetit të tij publikisht.

Parashtruesit:

Shpend Berisha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile