Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev. nr. 43/2022] të 10 tetorit 2022 të Gjykatës Supreme

Nr. të lëndës KI04/23

Parashtruesit: Avdyl Bajgora

Shkarko:

KI04/23, Parashtrues Avdyl Bajgora, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev. nr. 43/2022] të 10 tetorit 2022 të Gjykatës Supreme

KI04/23, Aktgjykim, i 30 majit 2024, publikuar më 30 korrik 2024

Fjalët kyçe: lejueshmëria e revizionit në Gjykatën Supreme, pragu ratione valoris, e drejta në qasje në gjykatë, proporcionaliteti i kufizimit, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 30 maj 2024, ka vendosur lidhur me kërkesën KI04/23, përmes së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev. nr. 43/2022] të Gjykatës Supreme të Kosovës, të 10 tetorit 2022. Gjykata, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, vendosi që (i) të deklarojë kërkesën e pranueshme; (ii) të konstatojë se Aktvendimi [Rev. nr. 43/2022] i 10 tetorit 2022 i Gjykatës Supreme nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [Rev. nr. 43/2022] të 10 tetorit 2022 të Gjykatës Supreme; dhe (iv) të kthejë Aktvendimin [Rev. nr. 43/2022] e 10 tetorit 2022 të Gjykatës Supreme për rivendosje të revizionit në merita, në pajtim me konstatimin e dhënë në Aktgjykim.

Aktgjykimi fillimisht sqaron që parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesën e tij të parë në Gjykatë, të regjistruar me numrin KI143/21, përmes së cilës kishte kontestuar Aktvendimin [Rev.nr.558/2020] e Gjykatës Supreme të 22 shkurtit 2021, që ndërlidhej me kërkesëpadinë e tij për kompensim të tri (3) pagave jubilare nga Korporata Energjetike e  Kosovës, pasi kjo e fundit kishte refuzuar kërkesën e tij për njohjen e të drejtës në kompensimin e lartcekur. Gjykata Themelore kishte aprovuar padinë e parashtruesit të kërkesës si të bazuar, Gjykata e Apelit, duke vepruar sipas ankesës së Korporatës Energjetike të Kosovës, kishte ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke refuzuar në tërësi kërkesë padinë e parashtruesit të kërkesës, ndërsa Gjykata Supreme, kishte konstatuar se revizioni në këtë rast nuk është i lejuar, sepse vlera e kontestit nuk e kalonte shumën prej 3,000.00 euro, ashtu siç është përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 211 (pa titull) të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Parashtruesi i kërkesës, më 7 gusht 2021, parashtroi kërkesë në Gjykatë, duke kontestuar kushtetutshmërinë e Aktvendimit  të lartcekur të Gjykatës Supreme, duke pretenduar që, ndër tjerash, i ishin shkelur të drejtat e  garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt gjyqësor) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në rastin KI143/21, Gjykata, përmes Aktgjykimit të saj të 25 nëntorit 2021, konstatoi se Aktvendimi [Rev. nr. 558/2020] i Gjykatës Supreme, i 22 shkurtit 2021, ishte nxjerrë në  shkelje të së drejtës së parashtruesit të kërkesës për qasje në gjykatë, si pjesë përbërëse e të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Aktgjykimi tutje sqaron se, si rezultat i Aktgjykimit KI143/21 të Gjykatës Kushtetuese, Gjykata Supreme, më 10 tetor 2022 nxori Aktvendimin [Rev. nr.43/2022] përmes të cilit sërish hodhi poshtë revizionin e parashtruesit të kërkesës si të palejuar. Në thelb, Gjykata Supreme sërisht konstatoi se vlera e kontestit nuk kalonte shumën prej 3,000euro ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 211 të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Këtë Aktvendim të Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës sërisht e kontestoi para Gjykatës, duke pretenduar, ndër tjerash, që si pasojë e vendimmarrjes së Gjykatës Supreme, atij i është cenuar (i) e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i refuzimit të shqyrtimit të kërkesës së tij për revizion, përfshirë në kundërshtim me kontatimet e Gjykatës Kushtetuese përmes Aktgjykimit në rastin KI143/21.

Gjykata, duke marrë për bazë arsyetimin dhe konstatimin e Gjykatës Supreme, përmes Aktvendimit të saj të dytë, e që sërish ndërlidhet me lejueshmërinë e revizionit, vlerësoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës hyn në kuadër të së drejtës së tij për qasje në gjykatë, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo për arsye se, pretendimet thelbësore të ngritura në kërkesën e tij ndërlidheshin me atë nëse Gjykata Supreme, duke e hedhur revizionin e tij sërish si të palejuar për shkak të vlerës së kontestit, ka ndikuar në mënyrë disproporcionale në të drejtën e tij të nxjerrjes së një vendimi meritor në lidhje me kërkesëpadinë e tij.

Bazuar në të lartcekurat dhe në vlerësimin nëse e drejta e parashtruesit të kërkesës për qasje në Gjykatën Supreme është cenuar, Gjykata (i) elaboroi parimet e përgjithshme të së drejtës për qasje në gjykatë, të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të afirmuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë këtu edhe parimet dhe kriteret e zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut që ndërlidhen me kufizimin ratione valoris për qasje në gjykata të shkallës më të lartë, për (ii) të vazhduar me aplikimin e këtyre parimeve dhe kritereve në rrethanat e rastit konkret.

Aktgjykimi i Gjykatës në mënyrë specifike i referohet parimeve dhe kritereve të vendosura në rastin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Zubac kundër Kroacisë, përmes të cilit kjo e fundit kishte zhvilluar një test specifik në kuptim të kriterit të proporcionalitetit të kufizimit të qasjes në gjykata të shkallës më të lartë si rezultat i pragut ratione valoris. Në aplikimin e kritereve që ndërlidhen me pragun ratione valoris, Gjykata, në rrethanat specifike të rastit konkret, vlerësoi nëse (i) qasja në Gjykatën Supreme si rezultat i pragut ratione valoris përbënte një kufizim; (ii) nëse ky kufizim ndiqte një qëllim legjitim; dhe (iii) nëse kufizimi ishte proporcional, dhe në kuptim të kësaj të fundit në pajtim me testin e zhvilluar nga Gjykata  Evropiane për të Drejtat e Njeriut vlerësoi çështjet që ndërlidheshin me (a) parashikueshmërinë e kufizimit në qasje në gjykatë si rezultat i pragut të vlerës së objektit në shumë prej 3.000 euro të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 211 të Ligjit për Procedurën Kontestimore; (b) atë nëse parashtruesi apo Gjykata Supreme duhet të bart pasojat e  lëshimeve të kryera gjatë procedurës në gjykatat e shkallës më të ulët; dhe (c) nëse në zbatimin e këtij kufizimi Gjykata Supreme ka përdorur “formalizëm të tepruar”, për të përfunduar me konkluzionin e saj në lidhje me proporcionalitetin e kufizimit të qasjes në Gjykatën Supreme.

Aktgjykimi fillimisht thekson që nuk është kontestuese kompetenca e Gjykatës Supreme e përcaktuar me ligj, që para vlerësimit të revizionit në merita të shqyrtojë lejueshmërinë e revizionit në kuptim të pragut ratione valoris, bazuar në paragrafin 2 të nenit 211 (pa titull) të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Më tutje, në aplikimin e kritereve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Aktgjykimi gjithashtu thekson që marrë për bazë vetë thelbin e juridiksionit dhe kompetencës së Gjykatës Supreme për të gjykuar për çështje të ligjshmërisë së vendimeve të nxjerra nga gjykatat e shkallës më të ulët si autoriteti më i lartë gjyqësor, pragu ratione valoris është i (i) përcaktuar me ligj; dhe (ii) ndjek një qëllim legjitim, i cili i shërben respektimit të sundimit të ligjit dhe administrimit të mirëfilltë të drejtësisë.

Megjithatë, marrë parasysh që në rrethanat e rastit konkret, ashtu siç kishte theksuar edhe në Aktgjykimin e saj të parë, përkatësisht Aktgjykimin  në rastin KI143/21, vlera e refuzuar e kërkesëpadisë sipas përcaktimeve të vet dispozitivit të Gjykatës së Apelit, tejkalonte vlerën e përgjithshme prej 3,000 euro, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata, duke aplikuar parimet që burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ritheksoi që interpretimi tejet formalist i Gjykatës Supreme ndërlidhur me rregullat e pragut të vlerës së objektit të kontestit në rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës, e që në mënyrë të drejtpërdrejtë ndërlidhen me Aktgjykimin e goditur të Gjykatës së Apelit, nuk përkojnë me kriterin e garantimit të së drejtës praktike dhe efektive të qasjes në gjykatë në kuptim të paragrafit 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Si rezultat i këtij vlerësimi, Gjykata konsideroi se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, i cili për herë të dytë hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, në mënyrë të pajustifikuar dhe/ose joproporcionale ka cenuar qasjen e parashtruesit të kërkesës në juridiksionin e saj, duke krijuar një pengesë që çështja e tij të zgjidhej në merita.

Parashtruesit:

Avdyl Bajgora

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative