Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr.320/23] të 21 gushtit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI31/24

Parashtruesit: Nuhi Metaj

Shkarko:

KI 31/24,Parashtrues:Nuhi Metaj Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr.320/23] të 21 gushtit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

KI31/24, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 shtatorit  2024, publikuar më 8 nëntor 2024

Fjalët kyç: barazia para ligjit, e drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm, mjeti efektiv juridik , kërkesë e papranueshme, kërkesë e dorëzuar pas afatit .

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ka të bëj me obligimin e caktuar nga gjykata për pagesën e shpenzimeve procedurale  për parashtruesin e kërkesës ,në kontestin pronësor të zhvilluar ,dy  në mes të parashtruesit të kërkesës dhe palës në kundërshtare në proces V.G.

V.G në cilësinë e blerësit dhe parashtruesi i kërkesës në cilësinë e shitësit në gusht të vitit 1989, kanë lidhur kontratë gojore për shitblerjen e një pjese të paluajtshmërisë në sipërfaqe 0.05,00 ha, e evidentuar ne fletën poseduese nr.401 Z.K Topliqan. Këtë pronë të paluajtshme, V.G. si blerës nuk e kishte  regjistruar ligjërisht në emër të tij. Në kohën kur u krijuan rrethanat për transferimin ligjor të pronës së blerë nga parashtruesi i kërkesës tek V.G., rezulton që V.G. dhe ish-bashkëshortja e tij N.G. të  cilët në ndërkohë ishin ndarë, që të dy ish-bashkëshortët kanë pretenduar se secili nga ta janë pronarë të asaj ngastre tokësore e cila ishte  blerë nga parashtruesi i kërkesës.

Në një datë të paspecifikuar paditësit V.G. dhe N.G. (ish bashkëshortë në mes vete) kanë paraqitur padi të ndara në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Degën Lipjan kundër parashtruesit të kërkesës  për Vërtetim të së Drejtës së Pronësisë mbi ngastrën tokësorë të specifikuar  si më sipër ,ndërsa Gjykata Themelore duke qenë se objekti i padisë ishte i njëjtë ka bashkuar këto dy  padi në një lëndë të vetme për të vendosur me një vendim gjyqësor unik.

Më 20 mars 2018, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr.4040/14]ka aprovuar Padinë e paraqitur nga V.G. duke ia njohur të drejtën e pronësisë mbi ngastrën  tokësore –objekt i padisë ,ka Refuzuar padinë, e paraqitur nga  N.G(ish bashkëshortja e V.G) dhe ka vendosur që shpenzimet e procedurës secila palë i bartë për vete.

Më 23 prill 2018, paditësi i parë V.G., i pakënaqur pjesërisht me Aktgjykimin [C.nr 404/14] të 20 marsit 2018 të Gjykatës Themelore, vetëm në pjesën e dispozitivit, ku çdo pale iu caktua të bartë shpenzimet e tyre procedurale. Parashtruesi i kërkesës nuk është ankuar kundër Aktgjykimit të lartpërmendur të Gjykatës Themelore.

Më 28 prill 2023, Gjykata e Apelit e Republikës së Kosovës nxori Aktgjykimin [Ac.nr.2364/2018], me të cilin aprovoi pjesërisht si të bazuar ankesën e paditësit të parë V.G. si dhe ndryshoi pikën III të Aktgjykimit [C.nr.404/14] të 20 marsit 2018 të Gjykatës Themelore, ashtu që detyroi parashtruesin e kërkesës që në cilësinë e të paditurit t’i paguajë paditësit V.G. shpenzimet e procedurës kontestimore në afat prej 15 ditëve nën kërcënim të përmbarimit me dhunë. Pjesa tjetër e Aktgjykimit të Gjykatës Themelore mbeti e pandryshuar.

Më 16 qershor 2023, parashtruesi i kërkesës parashtroi revizion kundër Aktgjykimit [Ac.nr.2364/2018] të 28 prillit 2023, të Gjykatës së Apelit duke kërkuar që i njëjti Aktgjykim të anulohet, si dhe Aktgjykimi [C.nr.404/14], i datës 20 mars 2018, i Gjykatës Themelore, sa i përket pikës së III të dispozitivit lidhur me shpenzimet procedurale të vërtetohet.

Më 21 gusht 2023, Gjykata Supreme nxori Aktvendimin [Rev.nr.320/23], përmes së cilit hodhi poshtë si të palejuar revizionin e parashtruesit të kërkesës. Gjykata Supreme në arsyetim të Aktvendimit ka theksuar me nenin 229, paragrafi i 3-të LPK-së, përcaktohet se; “Revizioni nuk lejohet kundër aktvendimit mbi shpenzimet e procedurës”, duke sqaruar me tutje se Gjykata e Apelit ka vendosur vetëm sa i përket shpenzimeve të procedurës, ndërsa pjesa tjetër e Aktgjykimit të shkallës së parë, ka mbetur e pashqyrtuar prandaj në rastin konkret revizioni është i palejuar.

Parashtruesi i kërkesë ka pretenduar se me Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës Supreme atij i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore, të garantuara me nenet 24 [Barazia para ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E Drejta për Proces të Rregullt) të KEDNJ-së

Gjykata fillimisht shqyrtoi kriteret procedurale lidhur me  kërkesës e parashtruar dhe konstatoi se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, ai  konteston një akt të një autoriteti publik, përkatësisht Aktvendimin [Rev.nr.320/23] të 21 gushtit 2023 të Gjykatës Supreme pasi i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu i ka qartësuar të drejtat dhe liritë që pretendon se i janë shkelur, në pajtim me kërkesat e nenit 48 të Ligjit. Megjithatë, Gjykata po ashtu thekson se sipas nenit 49 (Afatet) të Ligjit, kërkesa duhet të parashtrohet brenda afatit prej katër (4) muajve. Afati fillon të ecë që nga dita kur parashtruesit të kërkesës i është dorëzuar vendimi gjyqësor. Kjo kërkesë është përcaktuar edhe përmes pikës (c) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, që përcakton se kërkesa parashtrohet brenda katër (4) muajve nga dita kur vendimi i mjetit të fundit efektiv juridik i është dorëzuar parashtruesit të kërkesës.

Lidhur me kriterin procedural të afatit 4 mujor për të paraqitur një kërkesë në Gjykatën kushtetuese ,gjykata më tej në Aktvendim theksoi se parashtruesi duhet t’i shterojë të gjitha mjetet juridike të cilat pritet të jenë efektive dhe të mjaftueshme. Vetëm mjetet efektive mund të merren parasysh nga Gjykata, pasi parashtruesi nuk mund të zgjasë afatet kohore të parapara me Ligj dhe Rregullore të punës, duke u përpjekur të ushtrojë mjete juridike që nuk janë të lejuara ose duke u ankuar në institucionet të cilat nuk kanë kompetencë që të ofrojnë mbrojtje të të drejtave për të cilat ankohet parashtruesi i kërkesës (shih, rastet e Gjykatës KI06/23 parashtrues Hizri Haxhiu, Aktvendim për papranueshmëri i 17 janarit 2024, paragrafi 20; KI112/19, parashtrues Ilir Kabashi, Aktvendim për papranueshmëri i 7 nëntorit 2019, paragrafi 38; si dhe rastin e GJEDNJ-së,  Fernie kundër Mbretërisë së Bashkuar, (nr. 14881/04, Vendim i 5 janarit 2006).

Gjykata në kontekstin e përcaktimit të kriterit procedural  të afatshmërisë së kërkesës së parashtruar  vëren se me Aktvendimin [Rev.nr.320/23] e 21 gushtit 2023  të Gjykatës Supreme, revizioni i parashtruar nga parashtruesi i kërkesës kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit i ishte hedhur poshtë si i palejuar për shkakun se Gjykata Supreme kishte vlerësuar se në përputhje me paragrafin 3 të nenit 229, të LPK nuk lejohet revizioni kundër vendimit për shpenzimet procedurale, duke mos trajtuar fare pretendimet e ngritura nga parashtruesi lidhur me bazueshmërinë e Revizionit, respektivisht kërkesën e parashtruesit që të mos bartë shpenzimet e procedurës kontestimore, sepse sipas ligjit revizioni në këtë rast  ishte i palejuar. Në këto rrethana, kërkesa për revizion kundër Aktgjykimit [C.Nr.2364/2018] të Gjykatës së Apelit nuk ishte mjet efektiv ligjor, dhe se parashtruesi i kërkesës nuk ka mundur të ketë pritshmëri për sukses të këtij mjeti . Gjykata në parim, ka theksuar se në rastet kur mjeti i jashtëzakonshëm juridik i revizionit në Gjykatën Supreme është i palejuar bazuar në ligjin e aplikueshëm, i njëjti nuk mund të përdoret për qëllime të llogaritjes së afatit katër (4) mujor dhe se si “vendim përfundimtar,” duhet të llogaritet vendimi i gjykatës përkatëse kundër të cilit është paraqitur mjeti i jashtëzakonshëm juridik i revizionit dhe i cili kontestohet para Gjykatës (shih, rastin e Gjykatës Kushtetuese KI 135/16, parashtruesi: Tomislav Jankovic dhe të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, të 27 tetorit 2017, paragrafi. 25 dhe rastin KI 81/17 parashtrues Rapsina Muslija Aktvendim për papranueshmëri i 11 prillit 2018, paragrafi 34).

Gjykata po ashtu thekson se GJEDNJ në rastin Željko Knapić kundër Kroacisë (vendim i GJEDNJ i 4 qershorit 2009) ka theksuar “Gjykata vëren se kërkesat e parashikuara në nenin 35, paragrafi 1, që kanë të bëjnë me shterjen e mjeteve juridike të brendshme dhe periudhën gjashtëmujore, janë të ndërlidhura, sepse jo vetëm që janë të kombinuara në të njëjtin nen, por janë gjithashtu të përcaktuara në një fjali gramatikore interpretimi e së cilës nënkupton një marrëdhënie të tillë të ndërsjellë” , Rrjedhimisht, Gjykata bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së dhe në praktikën e saj gjyqësore duhet të shqyrtojë kriterin e mjetit të përdorur të ndërlidhur me kriterin e afatit të paraparë ligjor në kërkesën e ngritur para saj (shih, rastin e Gjykatës KI240/19, parashtrues Enver Latifi, Aktvendim për papranueshmëri, i 26 marsit 2021, paragrafi 49).

Gjykata duke marrë për bazë praktikën gjyqësore të konsoliduar të gjykatës lidhur me mjetin efektiv në rastet kur Gjykata Supreme Revizionin e ka shpallur si te palejueshëm bazuar në dispozita të qarta ligjore , duke u mbështetur edhe në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së të cekur si më sipër , konstaton se Revizioni  i paraqitur nga parashtruesi i kërkesës në këtë rast ishte mjet qartazi jo efektiv dhe se parashtruesin e kërkesës asgjë nuk e ka ndaluar që  të Aktgjykimin e gjykatës së Apelit[C.Nr.2364/2018] ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata marrë parasysh faktin se  nga shkresat e lëndës konstaton  se parashtruesi i kërkesës Aktgjykimin [C.Nr.2364/2018] e Gjykatës së Apelit të 28 prillit 2023 si mjetin e fundit efektiv e ka pranuar më 31 maj 2023, dhe të cilin nuk e kishte kontestuar në Gjykatë por e kishte kontestuar Aktvendim e Gjykatës Supreme [Rev.nr.320/23] e 21 gushtit 2023  ,andaj në këto rrethana të rastit  Gjykata konstaton se kërkesa nuk është parashtruar brenda afatit ligjor të përcaktuar në nenin 49 të Ligjit dhe në rregullin 34 (1) c të Rregullores së punës së Gjykatës.

 Përfundim

Gjykata pas shqyrtimit të fakteve të paraqitura në kërkesë, duke marrë parasysh përmbushjen e kritereve procedurale  të kërkesës Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës  është e papranueshme sepse është parashtruar jashtë afatit të përcaktuar  me ligj dhe rregullore të punës së Gjykatës.

Parashtruesit:

Nuhi Metaj

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile