Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev.nr.239/23, të 31 korrikut 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës

Nr. të lëndës KI183/23

Parashtruesit: Bujar Hoti

Shkarko:

KI183/23, Parashtrues Bujar Hoti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev.nr.239/23, të 31 korrikut 2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës

KI183/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 26 qershorit 2024, publikuar më 5 shtator 2024

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, pretendime të pambështetura dhe paarsyetuara

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për kthim në vendin e punës dhe kompensimin e pagave kundër punëdhënësit të tij, te i cili kishte punuar deri më 7 mars 2013. Gjykata Themelore refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit me arsyetimin se ishte paraqitur më shumë se 6 (gjashtë) vite pas afatit ligjor, respektivisht më 7 qershor 2019. Si rezultat i kësaj, parashtruesi parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit, të cilën ankesë, kjo gjykatë ia refuzoi si të pabazuar dhe e vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore. Kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi parashtroi revizion, të cilin Gjykata Supreme gjithashtu e refuzoi me të njëjtin arsyetim, përkatësisht, se ishte paraqitur jashtë afatit ligjor të paraparë në Ligjin e Punës.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës nuk specifikoi të drejtat kushtetuese e as nenet përkatëse të Kushtetutës, të cilat konsideron se i janë shkelur përmes vendimeve gjyqësore të ndërmarra në rastin e tij, por në kërkesën e tij vetëm përmendi  disa nene të Ligjit të Punës, shkeljen e të cilave nuk e arsyeton. Ai në kërkesën e tij vetëm shpjegoi kronologjinë e punësimit të tij si dhe akuzoi ish punëdhënësin e tij për keqpërdorime të ndryshme.

Në aktvendimin e publikuar, Gjykata vuri në dukje se parashtruesi i kërkesës nuk ka qartësuar se cilat të drejta dhe liri, të garantuara me Kushtetutë, pretendon se i janë cenuar dhe se ai ngritë pretendime të përgjithësuara pa saktësuar të drejtat kushtetuese të cilat ai pretendon se i janë cenuar dhe pa qartësuar faktet që arsyetojnë pretendimet konkrete. Rrjedhimisht, në pajtim me praktikën e saj gjyqësore, Gjykata konstatoi se kjo nuk është e mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës, dhe se përfundimisht, kërkesa e parashtruesit është e papranueshme në baza kushtetuese në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura dhe të paarsyetuara”.

Parashtruesit:

Bujar Hoti

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër