Aktgjykim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev. nr. 205/2022] të 10 tetorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI 38/23

Parashtruesit: Flamur Dylhasi

Shkarko:

KI38/23, Parashtrues: Flamur Dylhasi, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev.nr.205/2022]të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 10 tetorit 2022

KI38/23, Aktgjykim i 28 marsit 2024, publikuar më 25 prill 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontest civil, kërkesë e pranueshme, e drejta për qasje në drejtësi

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 28 mars 2024, ka vendosur lidhur me kërkesën KI38/23, nëpërmjet së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev. nr. 205/2022]të Gjykatës Supreme të Republikës Kosovës, të 10 tetorit 2022. Gjykata, me tetë (8) vota për dhe një (1) kundër, konstatoi se (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest nga marrëdhënia e punës. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, (i) parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratë pune me Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS), në kohë të caktuar, përkatësisht nga 1 korriku 2015 deri më 30 qershor 2016; (ii) në shkurt të vitit 2016, BKS kishte marrë Vendimin [nr. 331/16], me të cilin parashtruesit të kërkesës i ishte shkëputur kontrata e punës, për të cilin i njëjti u njoftua më 10 mars 2016; dhe (iii) parashtruesi i kërkesës, më 21 mars 2016, ishte ankuar në organet e BKS-së, por nuk kishte marrë përgjigje dhe për pasojë, më 4 maj 2016, kishte ushtruar kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo e fundit kishte aprovuar kërkesëpadinë tij dhe kishte anuluar në tërësi Vendimin [nr. 331/16] e BKS-së, vendimmarrje kjo që ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit pas ankesës së BKS-së. Megjithatë, Gjykata Supreme, duke vepruar sipas kërkesës për revizion të BKS-së, nëpërmjet Aktvendimit të kontestuar ndryshoi Aktgjykimet e instancave më të ulëta, duke konstatuar se kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës ishte ushtruar jashtë afatit prej tridhjetë (30) ditëve të paraparë me nenin 79 (Mbrojtja e të punësuarit në Gjykatë) të Ligjit Nr. 03/L-212 të Punës.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese kontestoi Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Supreme, duke pretenduar shkeljen e të drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe paanshëm të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në esencë, duke argumentuar cenimin e të drejtës për qasje në drejtësi ka ardhur si rezultat i llogaritjes së gabuar të Gjykatës Supreme të afatit mbi parashtrimin e kërkesëpadisë në gjykatën e shkallës së parë.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht (i) shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me parimin e qasjes në drejtësi, dhe (ii) më pas, i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret, duke rikujtuar që në parim, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm nuk reflekton vetëm të drejtën për të filluar procedura por edhe të drejtën për të marrë një zgjidhje të kontestit përkatës nga një gjykatë, për aq sa aspektet përkatëse procedurale janë ndjekur bazuar në ligjet e aplikueshme. Në këtë aspekt, Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesëpadi në Gjykatën Themelore në ditën e tridhjetë (30) kalendarike, më 4 maj 2016, përkatësisht pasi kishte kaluar afati pesëmbëdhjetë (15) ditor për të marr përgjigje për ankesën e ushtruar më 21 mars 2016 në organet e BSK-së, afat i cili ligjërisht do të përfundonte më 4 prill 2016. Nga kjo datë, sipas këndvështrimit të Gjykatës, parashtruesi i kërkesës kishte në dispozicion edhe tridhjetë (30) ditë afat shtesë, gjegjësisht deri më 4 maj 2016, për të parashtruar kërkesëpadinë në Gjykatën Themelore kundër vendimit të punëdhënësit, gjë të cilën e kishte bërë, në pajtueshmëri të plotë me afatet e përcaktuara me dispozitat e nenit 78 (Mbrojtja e të drejtave për të punësuarit), dhe 79 (Mbrojtja e të punësuarit në Gjykatë) të Ligjit Nr. 03/L-212 të Punës.

Për pasojë dhe siç është shpjeguar detajisht në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata konstatoi se duke i ndryshuar aktgjykimet e gjykatave të instancës me të ulët, që ishin në favorin e parashtruesit të kërkesës, bazuar në llogaritje të pasaktë të afateve të përcaktuara në Ligjin e Punës, Gjykata Supreme ia mohoi atij të drejtën për qasje në drejtësi dhe zgjidhje efektive të kontestit. Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se Aktvendimi [Rev. nr. 205/2022] i Gjykatës Supreme të Republikës Kosovës, i 10 tetorit 2022, nuk është në pajtueshmëri me të drejtat kushtetuese të parashtruesit të kërkesës, të garantuara nëpërmjet nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventes Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

 

Parashtruesit:

Flamur Dylhasi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktgjykim

Shkelje e të drejtave kushtetuese

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile