KI141/22, Parashtrues: Salih Pllana, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr/156/2022 të 5 majit 2022 të Gjykatës Supreme
KI141/22, Aktvendim për papranueshmëri i 24 janarit 2024, publikuar më 22 shkurt 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e paafatshme, kërkesë e papranueshme.
Nga shkresat e lëndës rezulton se thelbi i këtij rasti konsiston në faktin se Gjykata e Apelit kishte refuzuar padinë e parashtruesit të kërkesës të paraqitur kundër KEK Sh.a. me ç ‘rast kishte kërkuar që pala e paditur t’ia paguaj shpërblimin jubilar të pagave.
Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimi i kontestuar, që ndërlidhet me padinë e lartcekur për shpërblimin e pagës jubilare, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tij kushtetuese, konkretisht nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe nenin 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese ka ngritur çështjen e diskriminimit objektivisht të pajustifikuar dhe cenimit të barazisë së armëve, duke pretenduar se Gjykata e Apelit ka përdorur standarde të dyfishta lidhur me shpërblimin e pagave jubilare çka ka rezultuar me diskriminim dhe cenim të parimit të barazisë së armëve.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vlerësoi se “vendim i fundit”, sipas nenit 49 të Ligjit është Aktgjykimi [Ca.nr.5479/21] i 25 janarit 2022, i Gjykatës së Apelit, me të cilin ishte refuzuar padia e parashtruesit të kërkesës që të detyrohet pala e paditur KEK Sh.a. që t’ia paguaj shpërblimin e pagës jubilare, dhe i cili ishte përfundimtar dhe i paapelueshëm. Gjykata rikujtoi se edhe pse parashtruesi i kërkesës nuk ka cekur datën e pranimit të aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, nga faktet e rastit, është e qartë së koha në mes të pranimit të aktgjykimit dhe datës së dorëzimit të kërkesës së tij në Gjykatën Kushtetuese, ka kaluar afatin ligjor 4 (katër) mujor.
Gjykata konstatoi se kërkesa nuk është dorëzuar brenda afatit ligjor të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës.
Salih Pllana
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është paraqitur pas afatit
Civile