KI80/22, Parashtrues: Muhamet Miftari, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Rev. nr. 105/2021 të 30 marsit 2022 të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI80/22, Aktvendim për Papranueshmëri, i 13 dhjetorit2022, publikuar më 11 janar 2023
Fjalët kyç: e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme, mos shterim i mjeteve juridike
Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesi i kërkesës, kishte qenë i punësuar në IQ to Link GmbH-Web Company, dega në Kosovë, (në tekstin e mëtejmë: punëdhënësi) në pozitën “agjent i thirrjeve”. Punëdhënësi kishte marrë Vendim për pezullimin e punës për parashtruesin e kërkesës, me arsyetimin se Komisioni Disiplinor i Punëdhënësit kishte konstatuar se parashtruesi i kërkesës kishte bërë shkelje të rëndë të detyrave të punës. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në shkallë të dytë të Punëdhënësit, dhe nga shkresat e lëndës nuk rezulton të ketë marrë përgjigje. Më pas Punëdhënësi kishte njoftuar parashtruesin e kërkesës se marrëdhënia e tij e punës ishte ndërprerë.
Parashtruesi së pari kishte parashtruar ankesë në Trupën Ekzekutiv i Inspektoratit të Punës, kundër vendimit të punëdhënësit për pezullimin e marrëdhënies së punës si dhe shkresës me të cilën ishte larguar nga puna. Trupi Ekzekutiv i Inspektoratit të Punës, vendosi si në vijim: i) refuzoi si të pabazuar ankesën lidhur me suspendimin, ndërsa ii) pretendimin e parashtruesit për ndërprerjen e marrëdhënies pa një vendim e konsideroi si të bazuar, duke konsideruar se punëdhënësi kishte shkelur dispozitat ligjore të Ligjit nr. 03/L-212 të Punës, sepse nuk i kishte lëshuar vendim me shkrim parashtruesit të kërkesës, për largim nga marrëdhënia e punës. Parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në shkallë të dytë të Trupës Ekzekutiv i Inspektoratit të Punës, dhe më tej rezulton se ankesa e tij ishte refuzuar si e pabazuar.
Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër punëdhënësit, duke kërkuar i) vendosjen e masës së sigurisë ndaj vendimit të punëdhënësit për largim nga puna; ii) kthim në vendin e punës; si dhe iii) kompensim të dëmit material dhe jo metrial. Gjykata Themelore refuzoi padinë e parashtruesit si të pas afatshme. Aktvendimi i Gjykatës Themelore më pas ishte aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [ E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E drejta për Mjete Juridike], nenin 49 [E Drejta e Punës dhe e Ushtrimit të Profesionit] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 dhe 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në thelb pretendimet e parashtruesit para Gjykatës kanë të bëjnë me faktin se përmes një shkrese, i është ndërprerë marrëdhënia e punës nga punëdhënësi pa një vendim, duke theksuar se punëdhënësi ka shkelur dispozitat e Ligjit nr. 03/L-212 të Punës.
Parashtruesi para Gjykatës gjithashtu kërkoi edhe vendosjen e masës së përkohshme lidhur me rastin.
Gjykata pasi shtjelloi standardet e vendosura në praktikën gjyqësore të Gjykatës evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës lidhur me shterrimin e mjeteve juridike , konsideroi se bazuar duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura, kërkesa e parashtruesit të kërkesës, edhe pse ai formalisht ka ndjekur procedurat gjyqësore për të kontestuar vendimin e punëdhënësit, nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë para Gjykatës, pasi që parashtruesi nuk i ka shterur mjetet juridike lidhur me shkeljet e pretenduara për të kontestuar shkëputjen e marrëdhënies së punës, për shkak të lëshimeve të tij procedurale para instancave gjyqësore.
Gjykata gjithashtu konsideroi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës për vendosjen e masës së përkohshme është pa objekt shqyrtimi dhe e refuzoi të njëjtën.
Muhamet Miftari
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Administrative