KI115/23, parashtrues: Bratislav Nikolić, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PN1.nr.422/2023], të 28 prillit 2023, të Gjykatës së Apelit të Kosovës
KI 115/23, Vendim për hedhje poshtë të kërkesës, i 26 marsit 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, hedhje poshtë e kërkesës, pretendimi nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Aktvendimin [PN1.nr.422/2023], e 28 prillit 2023, të Gjykatës së Apelit, përmes të cilit vërtetohet Aktvendimi [PKR.nr.239/22] i 7 prillit 2023, të Gjykatës Themelore për vazhdimin e paraburgimit të parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve të tjerë, gjegjësisht për kohëzgjatjen e paraburgimit prej 8 prillit deri më 7 qershor 2023. Bazuar në shkresat e lëndës, parashtruesi i kërkesës gjendej në paraburgim që nga 23 dhjetori 2021 deri së paku në kohën e parashtrimit të kësaj kërkese para Gjykatës për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprave penale gjatë lëshimit të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri” si në vijim: “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar” nga paragrafi 1 i nenit 422 të KPRK-së, “Marrje e ryshfetit” nga paragrafi 2 i nenit 428 të KPRK-së, “Ushtrim i ndikimit” nga paragrafi 1 i nenit 431 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve” nga paragrafi 1 i nenit 366 të KPRK në fuqi. Gjykata Themelore në Ferizaj dhe më pas ajo në Pejë për shkak të transferimit të lëndës, ia kishte vazhduar paraburgimin parashtruesit të kërkesës gjithsej 8 (tetë) herë para ngritjes së aktakuzës. Më 9 dhjetor 2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj ngriti aktakuzë ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve të tjerë, të cilën e plotësoi me 24 shkurt 2023. Që nga ngritja e aktakuzës deri në kohën e parashtrimit e kësaj kërkese para Gjykatës, parashtruesit të kërkesës i është vazhduar paraburgimi edhe 3 (tri) herë, përfshirë Aktvendimin e kontestuar. Parashtruesi i kërkesës nuk kishte parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme kundër Aktvendimit të kontestuar.
Parashtruesi i kërkesës më 5 qershor 2023 dorëzoi kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese, përmes të cilës kishte kontestuar Aktvendimin [PN1.nr.422/2023], e 28 prillit 2023 të Gjykatës së Apelit, për vërtetimin e vazhdimit të paraburgimit. Megjithatë, si rezultat informatave shtesë të pranuara nga gjykatat e rregullta, Gjykata u njoftua se (i) J.K, i bashkëpandehur i parashtruesit të kërkesës parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kundër Aktvendimit të kontestuar, në të cilin aktvendim ishte vendosur edhe për vërtetimin e vazhdimit të paraburgimit për parashtruesin e kërkesës; (ii) kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë së J.K-së, u aprovua nga Gjykata Supreme më 30 maj 2023 përmes Aktgjykimit [Pml.nr.251/2023]; si dhe (iii) Gjykata Supreme si rezultat i aprovimit të asaj kërkese për mbrojtjen e ligjshmërisë, për pasojë kishte anuluar Aktvendimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, të 28 prillit 2023, duke e kthyer lëndën në rivendosje në Gjykatën Themelore.
Në rastin konkret, në kontekst të vlerësuarit nëse ende qëndrojnë rrethanat për të cilat parashtruesi i kërkesës është ankuar në Gjykatë, kjo e fundit konsideroi se në rrethanat e rastit konkret, objekti i kërkesës nëse parashtruesi është viktimë e shkeljes së të drejtave të tij si rezultat i Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës së Apelit nuk është më në mënyrë aktive i diskutueshëm për arsye se i njëjti është anuluar përmes Aktgjykimit [Pml.nr.251/2023] të Gjykatës Supreme, të 30 majit 2023, dhe çështja i ishte kthyer në rivendosje Gjykatës Themelore.
Rrjedhimisht, Gjykata bazuar në paragrafin 1 të rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës vendosi që kërkesën e parashtruesit të kërkesës ta hedhë poshtë në procedurë të shkurtër, për shkak se pretendimet tij në lidhje me Aktvendimin e anuluar të 28 prillit 2023, të Gjykatës së Apelit nga Gjykata Supreme “nuk janë më në mënyrë aktive të diskutueshme para saj.”
Bratislav Nikolić
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për hedhje poshtë të kërkesës
Penale