KI146/22, Parashtrues: Ruzhdi Sefa, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [PN.nr.808/22] të Gjykatës së Apelit të 5 gushtit 2022
KI146/22, Aktvendim për papranueshmëri i 20 marsit 2024, publikuar më 30 prill 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e parakohshme, veprimi retroaktiv, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton rezulton se Policia e Kosovës më 7.12.2021 kishte ushtruar Kallëzim Penal kundër parashtruesit të kërkesës. Prokuroria Themelore më 14.12.2021 kishte nxjerrë Aktvendim për fillimin e hetimeve. Gjykata Themelore më 16.12.2021, përmes Urdhrit PPr.kr.nr.215/2021 kishte urdhëruar regjistrimin e hyrje-daljeve telefonike si dhe sms-ve, tekstet e mesazheve dhe mesazhet tjera elektronike nga numrat e telefonit në përdorim nga parashtruesi i kërkesës të kompanisë “Vala” për periudhën prej 01.07.2021 deri 31.07.2021. Ndërkohë, pasi që Prokuroria Themelore kishte siguruar Urdhrin PPr.Kr.nr.215/2021 nga Gjykata Themelore, kjo e para i ishte drejtuar menaxhmentit të kompanisë “Vala” duke urdhëruar nxjerrjen e hyrje-daljeve dhe hartografinë për numrin e telefonit të parashtruesit të kërkesës. Ngjashëm, Prokuroria Themelore përmes Urdhrit PP.I.nr.261/2021, dt.28.12.2022, i ishte drejtuar kompanisë telefonike “Ipko” duke urdhëruar nxjerrjen e hyrje-daljeve dhe hartografinë për numrin e telefonit në përdorim nga një palë e tretë, por e cila e inkriminonte edhe parashtruesin e kërkesës. Me këto prova të siguruara, Prokuroria Themelore më 01.04.2022 kishte ngritur aktakuzën PP/1.nr.261/2021, të datës 31.03.2022 në Gjykatën Themelore kundër parashtruesit të kërkesës, për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit nga neni 421 paragrafi 1 të KPRK-së, si dhe ndaj palës së tretë Sh.N., për shkak të veprës penale dhënia e ryshfetit nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK-së. Parashtruesi i kërkesës, kishte kërkuar përjashtimin e provave të cekura si në kërkesën për kundërshtimin e provave, me arsyetimin se prokurori nuk i ka marr provat në mënyrë të ligjshme për shkak se është urdhëruar regjistrimi i hyrje-daljeve telefonike, sms-ve, tekstet e mesazheve ose mesazhet tjera elektronike, në mënyrë retroaktive nga data 01.07.2021 e deri me datën 31.07.2021. Gjykata Themelore e refuzoi të pabazuar kundërshtimin e provave, të paraqitur nga parashtruesi i kërkesës, për shkak të veprës penale dhënia e ryshfetit nga neni 421 paragrafi 1 i KPRK-së. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit duke pretenduar se gjykata e shkallës së parë duke refuzuar kundërshtimin e provave të parashtruara nga parashtruesi i kërkesës ka shkelur të drejtën në privatësi si dhe të drejtën në gjykim të drejtë. Gjykata e Apelit e refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa e vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Themelore. Gjykata e Apelit vërtetoi konstatimet e gjykatës së shkallës së parë dhe arsyetoi se pretendimet e ankimore nuk janë të bazuara, sepse gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e atakuar ka dhënë arsye te mjaftueshme se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore, ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet. Gjykata e Apelit konstatoi se procedurale penale kundër parashtruesit të kërkesës është në fazën pas ngritjes së aktakuzës dhe se a do të vërtetohet fajësia e tij, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes.
Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb pretendoi shkelje të neneve 31 dhe 36 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenet 6 dhe 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak se Prokuroria Themelore përmes Urdhrit për masë të fshehtë [PP.I. nr.261/21] të datës 28.12.2022, si dhe Gjykata Themelore përmes Urdhrit për masa të fshehta teknike [PPr.Kr.nr.215/21] të datës 16.12.2021, kanë autorizuar-në mënyrë retroaktive pesë-mujore-regjistrimin e hyrje-daljeve telefonike, sms-ve, tekstet e mesazheve ose mesazhet tjera elektronike, nga data 01.07.2021 e deri me datën 31.07.2021.Urdhrat e kontestuara gjatë zhvillimit të procedurës për kundërshtimin e provave janë vërtetuar nga Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkoi caktimin e masës së përkohshme si dhe mos zbulimin e identitetit të tij.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vlerësoi se marrë për bazë faktin që procedura penale ndaj parashtruesit të kërkesës, përkatësisht shqyrtimi gjyqësor në procedurë penale ndaj tij është në zhvillim e sipër dhe bazuar në parimin e mirë të vendosur që procedura penale duhet të vlerësohet në tërësinë e saj, parashtruesi i kërkesës, pretendimet e tij që ndërlidhen me zhvillimin e procedurës hetimore e që i kanë paraprirë ngritjes së aktakuzës ndaj tij: (i) mund t’i ngre në procedurë të shqyrtimit gjyqësor; (ii) duke iu referuar garancive të përcaktuara me nenet 31 dhe 36 të Kushtetutës në lidhje me nenet 6 dhe 8 të KEDNJ-së; dhe (iii) parimeve dhe standardeve të vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së në harmoni me të cilën, sipas nenit 53 të Kushtetutës, gjykatat janë të detyruara të interpretojnë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë. Gjykata po ashtu theksoi se në jurisprudencën e saj ka përcaktuar se nëse procedurat janë në zhvillim e sipër tek gjykatat e rregullta atëherë kërkesa e parashtruesve konsiderohet e parakohshme.
Gjykata po ashtu refuzoi kërkesat e parashtruesit të kërkesës për caktimin e masës së përkohshme si dhe mos zbulimin e identitetit të tij.
Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e parakohshme dhe bazuar në nenin 113.7 të Kushtetutës, në nenin 47 të Ligjit si dhe në rregullin 34 (1) (b) të Rregullores së punës duhet të refuzohet si e papranueshme.
Ruzhdi Sefa
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Penale