Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Pml.nr.466/2023] të 8 shtatorit 2023 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimin [PN1.DKR.nr.666/2023] e 26 qershorit 2023 të Gjykatës së Apelit, dhe Aktvendimin [PN1.DKR.nr.839/2023] të 10 gushtit 2023 të Gjykatës së Apelit

Nr. të lëndës KI168/23

Parashtruesit: E.M

Shkarko:

KI168/23, Parashtrues: E.M, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Pml.nr.466/2023] të 8 shtatorit 2023 të Gjykatës Supreme në lidhje me Aktvendimin [PN1.DKR.nr.666/2023] e 26 qershorit 2023 të Gjykatës së Apelit, dhe Aktvendimin [PN1.DKR.nr.839/2023] të 10 gushtit 2023 të Gjykatës së Apelit

KI168/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 4 shtatorit 2024, publikuar më 18 tetor 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, qartazi e pabazuar, paraburgim

 Gjykata rikujtoi se esenca e këtij rasti ndërlidhet fillimisht me kërkesën e PTHGJ-së për caktim të paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Dhunimi nga neni 227 paragrafi 4, nën paragrafi 4.8 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së për arsyet e parapara në nenin 163 paragrafi 1 dhe 2 të KPPRK-së. Kërkesa e PTHGJ-së për caktim të paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji ishte miratuar nga Gjykata Themelore me arsyetimin se janë përmbushur kushtet e parapara me nenin 184, paragrafin 1, nën paragrafët 1.1 dhe 1.2, pikën 1.2.1 të KPPRK-së, duke shtuar se ekziston dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprat penale për të cilat dyshon PTHGJ. Aktvendimi i Gjykatës Themelore për caktimin e paraburgimit ishte miratuar nga Gjykata e Apelit, ndërsa Gjykata Supreme kishte hedhur poshtë si jo lëndore kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë. Më pas, PTHGJ kishte parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj për parashtruesin e kërkesës. Gjykata Themelore kishte miratuar kërkesën e PTHGJ-së dhe kishte vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj për parashtruesin e kërkesës, duke arsyetuar se në rastin konkret ishin përmbushur kushtet për vazhdimin e paraburgimit të parapara sipas nenit 188 (Vazhdimi i paraburgimit) lidhur me nenin 184 paragrafi 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së. Pas ankesës së parashtruesit në Gjykatën e Apelit, i cili e kundërshtonte aktvendimin e shkallës së parë në të gjitha pikat, kjo e fundit refuzoi në tërësi ankesën, duke e mbështetur vendimin e shkallës së parë.

Në këtë drejtim, Gjykata rikujtoi se parashtruesi i kërkesës në mënyrë shprehimore para Gjykatës konteston vendimet e gjykatave të rregullta me të cilat i është vendosur dhe vazhduar masa e paraburgimit, respektivisht Aktvendimin [PN1.DKR.nr.666/2023] të 26 qershorit 2023 të Gjykatës së Apelit, dhe Aktvendimin [ PN1. DKR.nr.839/2023] të 10 gushtit 2023 të Gjykatës së Apelit, duke pretenduar se i janë shkelur të drejtat e tij kushtetuese të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për proces të rregullt) të KEDNJ-së.

Në dritën e kësaj, Gjykata vërejti se thelbi i ankesës së parashtruesit të kërkesës ka të bëjë me pretendimin e tij se në rastin konkret, Gjykata e Apelit si në procedurën e zhvilluar për caktim të paraburgimit edhe në procedurën për vazhdim të tij, nuk kishte vendosur lidhur me ankesën e parashtruesit në afatin e paraparë ligjor prej 72 orëve, të përcaktuar sipas paragrafit 3 të nenit 186 (Përmbajtja e aktvendimit për caktimin e paraburgimit dhe ankesa kundër tij) të KPPRK-së gjë që, sipas parashtruesit të kërkesës ka rezultuar në shkeljen e garancive procedurale të përcaktuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për proces të rregullt) të KEDNJ-së. Edhe pse parashtruesi i kërkesës pretendoi shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, Gjykata vërejti se pretendimet e tij në lidhje me vazhdimin e paraburgimit bien në kuadër të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës dhe nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së,  dhe se pretendimin e lartcekur të parashtruesit të kërkesës Gjykata do ta shqyrtojë në kontekst të së drejtës së tij për liri dhe siguri, të garantuar me nenin 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së. Në kuptim të kësaj, Gjykata thekson se të drejtat dhe standardet që duhet garantuar në rastin e privimit nga liria janë interpretuar gjerësisht nga GJEDNJ, përmes praktikës së saj gjyqësore, në harmoni me të cilën, Gjykata bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.

Bazuar në shpjegimin e parimeve kryesore të praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës ka dëshmuar dhe mbështetur mjaftueshëm pretendimet për shkeljen e garancive procedurale të përcaktuara në Kushtetutë dhe KEDNJ lidhur me ligjshmërinë e vazhdimit të paraburgimit të tij, përkatësisht lidhur me vendimmarrjen e Gjykatës së Apelit brenda afatit të përcaktuar prej 72 orëve.

Bazuar në shkresat e lëndës,  Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës ankesën kundër Aktvendimit [PPr.nr.2023:133768] të 15 qershorit 2023 të Gjykatës Themelore, në Gjykatën e Apelit e kishte parashtruar më 16 qershor 2023. Më pas Prokuroria e Apelit më 23 qershor 2023 përmes shkresës [PAR/I.nr.774/2023] i kishte propozuar Gjykatës së Apelit që të refuzohet si e pabazuar ankesa e parashtruesit të kërkesës, ndërsa aktvendimi i ankimuar të vërtetohet. Gjykata e Apelit kishte vendosur lidhur me ankesën e parashtruesit me Aktvendimin [PN1.DKR.nr.666/2023] më 26 qershor 2023, pas pranimit të parashtresës së Prokurorisë së Apelit, ashtu edhe siç parashihet me paragrafin 3 të nenit 186 (Përmbajtja e aktvendimit për caktimin e paraburgimit dhe ankesa kundër tij) të KPPRK-së.

Po ashtu, edhe sa i përket procedurës së vazhdimit të paraburgimit, Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës ankesën kundër Aktvendimit [Ppr.Kr.nr.2023:133768] të 12 korrikut 2023 të Gjykatës Themelore përmes të cilit parashtruesit të kërkesës i ishte vazhduar masa e paraburgimit, e kishte parashtruar më 13 korrik 2023. Më pas Prokuroria e Apelit më 9 gusht 2023 përmes parashtresës [PAR/I.nr.983/2023] i kishte propozuar Gjykatës së Apelit që të refuzohet si e pabazuar ankesa e parashtruesit të kërkesës, ndërsa aktvendimi i ankimuar të vërtetohet. Edhe në rastin e dytë, Gjykata e Apelit kishte vendosur lidhur me ankesën e parashtruesit me Aktvendimin [PN1.DKR.nr.839/2023] më 10 gushtit 2023, pas pranimit të parashtresës së Prokurorisë së Apelit, ashtu edhe siç parashihet me paragrafin 3 të nenit 186 (Përmbajtja e aktvendimit për caktimin e paraburgimit dhe ankesa kundër tij) të KPPRK-së. Bazuar në atë që u tha më lart, Gjykata konstaton se Gjykata e Apelit ka vendosur brenda afatit të përcaktuar prej 72 orëve, të përcaktuar sipas paragrafit 3 të nenit 186 (Përmbajtja e aktvendimit për caktimin e paraburgimit dhe ankesa kundër tij të KPPRK-së. Prandaj, nga sa më lartë, Gjykata konstaton se ky pretendim është qartazi i pabazuar për mungesë të dukshme/evidente të shkeljes ashtu siç është përcaktuar me rregullin 34 të Rregullores së punës.

Në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës se Gjykata Supreme ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 dhe 32 të Kushtetutës për shkak të vonesës në vendosje në lidhje me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, Gjykata vërejti se Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës nuk përcakton asnjë afat të caktuar brenda të cilit Gjykata Supreme duhet të vendosë në lidhje me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë. Me këtë konstatim, Gjykata arrin në përfundimin se pretendimi i parashtruesit është i pabazuar në mungesë të një baze ligjore të qartë që të mbështesë pretendimin për shkelje të të drejtave kushtetuese në fjalë.

Gjykata vëren se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 32 [ E Drejta për Mjete Juridike] ndërlidhet me pretendimin e tij për shkelje të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës përkitazi me vendimet e kontestuara, për të cilat Gjykata vlerësoi se i plotësojnë kriteret e parapara për të drejtën për liri dhe siguri.

Rrjedhimisht, pretendimet e parashtruesit u shpallën qartazi të pabazuara për shkak të mungesës të dukshme të shkeljes  dhe si të tilla duhet të deklarohen të papranueshme në pajtim me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.

Lidhur me kërkesën për moszbulim identiteti, Gjykata vërejti se në këtë rast parashtruesi i kërkesës akuzohet me veprën penale të dhunimit dhe se pala e dëmtuar në rast ishte e mitur, dhe me këtë Gjykata konsideroi se në një rast të tillë ku kemi të bëjmë me veprën penale të dhunimit, publiciteti mund, madje edhe në mënyrë të tërthortë, të ndikojë në identitetin, emrin dhe marrëdhëniet familjare të viktimës së mitur. Prandaj, Gjykata miratoi kërkesën e parashtruesit për moszbulimin e identitetit të tij dhe të palëve në procedurë publikisht.

Parashtruesit:

E.M

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale