KI177/24, Parashtrues: “Lakeside AG” SH. P. K., Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit K. DH. Sh. II. nr. 1603/23 të 25 janarit 2024 të Gjykatës Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë
KI177/24, Aktvendim për papranueshmëri i 26 nëntorit 2024, publikuar më 18 dhjetor 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, mosarsyetim i vendimit gjyqësor, e drejta për mjete juridike, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me faktin se parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar kërkesë për rimbursim të TVSH-së në ATK, duke u bazuar në Raportin e kontrollit të rimbursimit. ATK, përmes Raportit të rikontrollit, konstatoi se vlera e kreditimit të mbetur për periudhën e verifikimit për parashtruesin e kërkesës ishte 2,787,658.27 euro (dy milionë e shtatëqind e tetëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë e tetë euro e njëzetë e shtatë cent). Mbi këtë bazë, parashtruesi i kërkesës paraqiti në ATK përmes Formularit të Deklarimit të TVSH-së kërkesën për rimbursim. Më pas, ATK nxori vendim për pezullimin e procedurën administrative – tatimore, me arsyetimin se transaksionet e njëjta (faturat e njëjta) ishin objekt i hetimit nga Prokuroria Themelore. Pas këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës paraqiti propozim për përmbarim pranë Përmbaruesit privat, duke kërkuar që në bazë të Raportit të rikontrollit të ATK-së, kjo e fundit t’ia paguajë borxhin e lartcekur, me kamatëvonesë vjetore 8% nga afati prej tridhjetë (30) ditësh pas paraqitjes së kërkesës për rimbursim dhe shpenzimet e përmbarimit. Përmbaruesi privat nxori Urdhër për Përmbarim duke e urdhëruar ATK që menjëherë pas pranimit të urdhrit t’ia paguajë borxhin. Më pas, ATK dorëzoi prapësim në Gjykatën Themelore, të cilën Gjykata Komerciale – Dhomat e Shkallës së Parë e pranoi si të bazuar. Kundër këtij vendimi, parashtruesi i kërkesës dorëzoi ankesë në Gjykatën Komerciale – Dhomat e Shkallës së Dytë, ku kjo e fundit refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin e Gjykatës Komerciale-Dhomat e Shkallës së Parë.
Në procedurë para Gjykatës Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës pretendoi se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë, shkel të drejtat dhe liritë themelore të tij të garantuara me nenet 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së. Përkitazi me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, parashtruesi i kërkesës pretendoi shkelje për shkak të mosarsyetimit të vendimit gjyqësor, ndërkaq lidhur me të drejtën për mjete juridike të garantuar me nenin 32 të Kushtetutës, pretendoi se Vendimi i ATK-së i 28 prillit 2021 për pezullim të procedurës administrative paraqiste akt administrativ të paligjshëm.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata, fillimisht, shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me arsyetimin e vendimeve gjyqësore si dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për mosarsyetim të vendimit gjyqësor lidhur me argumentet e tij përkitazi me Raportin e kontrollit të ATK-së, Gjykata konstatoi se Gjykata konsideron se Gjykata Komerciale-Dhomat e Shkallës së Dytë ka adresuar dhe u është përgjigjur pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes ankesës dhe se i njëjti plotëson standardet e nevojshme të GJEDNJ-së dhe të Gjykatës për një vendim gjyqësor të arsyetuar, sipas nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së. Ndërkaq, lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 32 të Kushtetutës, Gjykata vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka shfrytëzuar të drejtën për të parashtruar ankesë para organeve administrative dhe më pas para organeve gjyqësore, përkatësisht nuk i ka shteruar të gjitha mjetet efektive juridike të përcaktuara me ligj.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata erdhi në përfundim se (i) pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si rezultat i mosarsyetimit të vendimit gjyqësor i përket kategorisë së pretendimeve “të pambështetura apo të paarsyetuara”, dhe i njëjti është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 34 të Rregullores së punës; ndërkaq (ii) pretendimi për shkelje të së drejtës për mjete juridike, është i papranueshëm për shkak të mos shterimit të mjeteve juridike, siç është përcaktuar në pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së punës.
Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa në tërësi duhet të deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në pikën (b) të paragrafit (1) si dhe paragrafit 2 të rregullit 34 të Rregullores së punës.
“Lakeside AG” SH. P. K.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile