Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktvendimit K.DH.SH.II.nr.1001/2023 të Gjykatës Komerciale të Republikës së  Kosovës, Dhomat e Shkallës së Dytë, të 17 nëntorit 2023

Nr. të lëndës KI131/24

Parashtruesit: “IC Consulenten” SH.P.K.

Shkarko:

KI131/24, Parashtrues: “IC Consulenten” SH.P.K, vlerësim i kushtetutshmërisë së  Aktvendimit K.DH.SH.II.nr.1001/2023 të Gjykatës Komerciale të Republikës së  Kosovës, Dhomat e Shkallës së Dytë, të 17 nëntorit 2023    

KI131/24, Aktvendim për papranueshmëri i 4 shtatorit 2024, publikuar më 10 tetor 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, procedurë përmbarimore, dokument i besueshëm, kërkesë e papranueshme    

Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ndërlidhet me propozimin e parashtruesit të kërkesës për përmbaruesin privat F.H., i cili kishte caktuar urdhrin [P.nr.449/21] të datës 02.06.2021, duke lejuar përmbarimin në bazë të dokumentit të besueshëm Faturës së datës 18.11.2020; me ç ‘rast ka urdhëruar debitorin Qeveria e Republikës së Kosovës, që parashtruesit të kërkesës në tërësi t’ia paguajë borxhin në shumë të përgjithshme 11, 100.00 euro. Debitori në prapësimin e paraqitur në Gjykatën Komerciale-Shkalla e Parë kundërshtoi  urdhrin përmbarimor duke theksuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për nxjerrjen e urdhrit për përmbarim, ngase këto fatura nuk janë pranuar dhe nënshkruar nga debitori i përmbarimit dhe si rrjedhojë faturat e cekura si në propozim nuk kanë tipare të përmbarueshmërisë. Parashtruesi i kërkesës në përgjigjen në prapësimin të paraqitur Gjykatën Komerciale-Shkalla e Parë, kundërshtoi  prapësimin e debitorit si të pabazuar duke deklaruar se urdhri përmbarimor është lëshuar në bazë të dokumentit të besueshëm-faturave të cekura në propozim, duke plotësuar të gjitha kushtet ligjore dhe se në këto fatura janë treguar kreditori dhe debitori, si dhe janë shënuar të dhënat lidhur me objektin, llojin, shumën dhe kohën e përmbushjes së detyrimit monetar. Gjykata Komerciale-Shkalla e Parë pranoi të bazuar prapësimin e debitorit dhe anuloi urdhrin përmbarimor dhe përfundoi në tërësi përmbarimin në këtë çështje përmbarimore.   Gjykata Komerciale-Shkalla e parë theksoi se  faturat e datës 18.11.2020, në bazë të të cilave është lejuar urdhri për përmbarim, nuk i plotësojnë kushtet e parapara me nenet përkatëse të LPP-së. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë duke pretenduar shkelje të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale me propozim që aktvendimi i ankimuar të prishet dhe ndryshohet në dobi të parashtruesit të kërkesës ashtu që të refuzohet në tërësi prapësimi i debitorit dhe të vërtetohet në tërësi urdhri përmbarimor. Gjykata Komerciale-Shkalla e Dytë refuzoi të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës ndërsa vërtetoi aktvendimin e Gjykatës Komerciale-Shkalla e Parë. Gjykata Komerciale-Shkalla e Dytë vlerësoi se gjykata e shkallës së parë në çështjen konkrete juridike në mënyrë të plotë dhe të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike, kur ka pranuar prapësimin me arsyet se urdhri për përmbarim është lejuar mbi bazën e faturave të cilat nuk paraqesin dokumente të besueshme pasi që të njëjtat nuk janë pranuar në mënyrë të rregullt, respektivisht nuk janë të vulosura nga ana e debitorit gjegjësisht nga organi kompetent i debitorit.

Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohet me nenin 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (1) të KEDNJ-së.  Parashtruesi i kërkesës pretendoi se për shkak se gjykatat e rregullta nuk kanë vërtetur faktet dhe nuk kanë zbatuar drejtë të drejtën materiale ndaj fakteve të vërtetuara ka rezultuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit  të kërkesës, Gjykata vlerësoi se në procedurat e zhvilluara në Gjykatën Komerciale në dy Shkallët: (i) është vërtetuar se nuk ka pasur shkelje të dispozitave procedurale, nuk ka pasur zbatim të gabuar të dispozitave përmbarimore, gjendja faktike është vërtetuar drejtë dhe plotësisht dhe rrjedhimisht është respektuar parimi i ligjshmërisë; (ii) është vërtetuar se dokumentet e dorëzuara nga parashtruesi i kërkesës nuk kanë qenë të besueshme në përputhje me dispozitat përkatëse të LPP-së; (iii) vendimet e kontestuara të Gjykatës Komerciale në dy Shkallët janë mbështetur në bazë ligjore specifike dhe mjaftueshëm të parashikueshme për parashtruesin e kërkesës.

Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi pretendimet  e parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm siç garantohen me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me dhe nenin 6 (1) të KEDNJ-së, janë pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara” dhe duhet të  refuzohen  qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç specifikohet në rregullin  34 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

“IC Consulenten” SH.P.K.

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Tjetër