KI117/23, Parashtrues Exclusive Sh.p.k. Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [E. Rev. nr. 1/2023] të 17 janarit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës
KI117/23, Aktgjykimi 5 nëntorit 2024, publikuar më 27 dhjetor 2024
Fjalët kyçe: lejueshmëria e revizionit në Gjykatën Supreme, pragu ratione valoris, e drejta në qasje në gjykatë, proporcionaliteti i kufizimit, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 5 nëntor 2024, ka vendosur lidhur me kërkesën KI117/23, përmes së cilës është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [E. Rev. nr. 1/2023] të 17 janarit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës. Gjykata, njëzëri, vendosi që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; (ii) të konstatojë që Aktvendimi [E.Rev.nr.1/2023] i 17 janarit 2023 i Gjykatës Supreme, nuk është në përputhje me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [E.Rev.nr.1/2023] e 17 janarit 2023 të Gjykatës Supreme, duke e kthyer të njëjtin në rivendosje në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.
Aktgjykimi fillimisht sqaron rrethanat e rastit konkret të cilat ndërlidhen me një kontest të iniciuar nga parashtruesi i kërkesës për kompensim dëmi nga ana e kompanisë përkatëse me të cilën kishte marrëdhënie kontraktuale. Më saktësisht dhe sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, parashtruesi i kërkesës kishte lidhur kontratë me Agjencinë e Kosovës për Produkte Medicinale, për furnizim me barna dhe materiale shpenzuese medicinale nga kompania Zdravlje Actavis dhe i njëjti kishte pranuar kontingjentin me mallra nga kompania e lartpërmendur sipas marrëveshjes për importimin e mallrave nga kjo kompani. Megjithatë, në janar të vitit 2012, Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës kishte pezulluar përkohësisht certifikatën për autorizimim e marketingut për produktet medicinale të Serbisë, me arsyetimin se duhet të konfirmohet Certifikata e Produktit Farmaceutik. Për pasojë dhe sipas sqarimeve të dhëna, parashtruesi i kërkesës filloi procedurën ligjore, duke kërkuar kompensimin përkatës të dëmit dhe fitimit të humbur, duke specifikuar gjithashtu vlerën e objektit të kontestit gjatë precizimit të kërkesëpadisë. Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Dhoma e shkallë së dytë të Gjykatës Komerciale, e refuzuan padinë e parashtruesit të kërkesës në tërësi, përfshirë edhe shumën e specifikuar të kontestit, ndërsa kërkesa për revizion e parashtruar në Gjykatën Supreme, u refuzua për arsye procedurale, përkatësisht me arsyetimin se vlera e objektit të kontekstit, nuk e ka tejkaluar pragun prej 3,000 euro sipas përcaktimeve të paragrafit 2 të nenit 211 (pa titull) të Ligjit nr.03/L-006 për Procedurën Kontestimore, përkundër faktit se nga shkresat e rastit rezultoi se parashtruesi i kërkesës kishte precizuar vlerën e kontestit përgjatë procedurës kontestimore në shkallën e parë
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës konteston Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Supreme, duke pretenduar shkelje të të drejtave të mbrojtura me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në thelb, parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimi i Gjykatës Supreme kishte cenuar të drejtën e tij për “qasje në gjykatë” të garantuar me nenet e lartcekura të Kushtetutës dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndër tjera, sepse (i) përkundër faktit që vlera e kontestit ishte përcaktuar në procedurë gjyqësore; ndërsa (ii) Gjykata Supreme kishte refuzuar kërkesën për revizion pikërisht mbi bazën e vlerës së kontestit, përkundër asaj që vlera ishte cekur gjatë precizimit të kërkesëpadisë.
Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës dhe nëse është cenuar e drejta e tij për qasje në Gjykatën Supreme, Aktgjykimi (i) elaboroi parimet e përgjithshme të së drejtës për qasje në gjykatë, të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të afirmuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë këtu dhe parimet dhe kriteret që ndërlidhen me kufizimin ratione valoris për qasje në gjykata të shkallës më të lartë; dhe më pas (ii) aplikoi të njëjtat parime dhe kritere në rrethanat e rastit konkret.
Aktgjykimi i Gjykatës në mënyrë specifike i referohet parimeve dhe kritereve të vendosura në rastin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Zubac kundër Kroacisë, përmes të cilit kjo e fundit kishte zhvilluar një test specifik në kuptim të kriterit të proporcionalitetit të kufizimit të qasjes në gjykata të shkallës më të lartë si rezultat i pragut ratione valoris. Në aplikimin e kritereve që ndërlidhen me pragun ratione valoris, Gjykata, në rrethanat specifike të rastit konkret, vlerësoi nëse: (i) qasja në Gjykatën Supreme si rezultat i pragut ratione valoris përbënte një kufizim; (ii) nëse ky kufizim ndiqte një qëllim legjitim; dhe (iii) nëse kufizimi ishte proporcional, dhe në kuptim të kësaj të fundit, në pajtim me kriteret e përcaktuara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vlerësoi çështjet që ndërlidheshin me (a) parashikueshmërinë e kufizimit në qasje në gjykatë si rezultat i pragut të vlerës së objektit të kontestit; (b) nëse parashtruesi apo Gjykata Supreme, duhet të bartë pasojat e lëshimeve të bëra gjatë procedurës në gjykatat e shkallës më të ulët; dhe (c) nëse në zbatimin e këtij kufizimi, Gjykata Supreme ka përdorur “formalizëm të tepruar”, për të përfunduar me konkluzionin e saj në lidhje me proporcionalitetin e kufizimit të qasjes së parashtruesit të kërkesës në Gjykatën Supreme.
Aktgjykimi fillimisht thekson që nuk është kontestuese kompetenca e Gjykatës Supreme, e përcaktuar me ligj, që para vlerësimit të revizionit në merita të shqyrtojë lejueshmërinë e revizionit në kuptim të pragut ratione valoris, bazuar në dispozitat e Ligjit për Procedurën Kontestimore. Më tutje, në aplikimin e kritereve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Aktgjykimi gjithashtu thekson që marrë për bazë vetë thelbin e juridiksionit dhe kompetencës së Gjykatës Supreme për të gjykuar për çështje të ligjshmërisë së vendimeve të nxjerra nga gjykatat e shkallës më të ulët si autoriteti më i lartë gjyqësor, pragu ratione valoris është i (i) përcaktuar me ligj; dhe (ii) ndjek një qëllim legjitim, i cili i shërben respektimit të sundimit të ligjit dhe administrimit të mirëfilltë të drejtësisë.
Megjithatë, në vlerësimin e asaj nëse pragu ratione valoris (iii) ishte proporcional me qëllimin legjitim, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata, konsideroi se përfundimi i Gjykatës Supreme, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe të praktikës së saj gjyqësore, cilësohet si “formalizëm i tepruar” në interpretimin dhe zbatimin e ligjit në kontekstin e qasjes në gjykatë, ndër të tjera, për shkak se (a) Gjykata Supreme me rastin e refuzimit si të palejuar të revizionit të parashtruar nga parashtruesi, i ishte referuar vlerës së objektit të kontestit prej 1,000 (një mijë) euro duke u bazuar në vlerën e taksës gjyqësore prej 20 (njëzet) eurove, që parashtruesi e kishte paguar me rastin e parashtrimit të padisë, pavarësisht se nenit 36 (pa titull) i Ligjit për Procedurën Kontestimore, i cili në thelb, i detyron gjykatat më të ulëta që të veprojnë sipas detyrës zyrtare në përcaktimin e vlerës së objektit të kontekstit në rrethanat e specifikuara në nenin e lartcekur; si dhe për më tepër (b) Gjykata Supreme nuk mori parasysh precizimin e vlerës së kontestit, të cilën parashtruesi i kërkesës e kishte saktësuar përgjatë procedurës kontestimore në shkallën e parë. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se ky veprim i Gjykatës Supreme nuk ishte proporcional me qëllimin legjitim të pragut ligjor ratione valoris përkitazi me garantimin e së drejtës për qasje në gjykatat më të larta.
Gjykata gjithashtu theksoi faktin se, konstatimi nga ana e saj i shkeljes së paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vlen vetëm për rrethanat specifike të rastit konkret, vlerësimi i të cilave duhet të bëhet rast pas rasti, si dhe ndërlidhet vetëm me të drejtën e qasjes në gjykatë, përkatësisht në Gjykatën Supreme, ashtu që në asnjë mënyrë nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit.
Exclusive Sh.p.k.
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim