KI49/22, Parashtrues: Zejnel Ninaj, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [C. nr. 288/21] të Gjykatës Themelore në Prizren, të 19 janarit 2021
KI49/22, Aktvendim për papranueshmëri, i 30 gushtit 2023, publikuar më 3 tetor 2023
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, mosshterim i mjeteve juridike, kërkesë e parakohshme
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës konteston para Gjykatës procedurën gjyqësore në lidhje me padinë e parashtruar për vërtetim të së drejtës së pronësisë nga parashtruesi i kërkesës, respektivisht Aktvendimin [C. nr. 288/21] të Gjykatës Themelore, të 19 janarit 2021.
Në lidhje me këtë, sipas informatave të reflektuara në kërkesë, parashtruesi i kërkesës më 28 shkurt 2022 kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit [C. nr. 288/21] të 19 janarit 2022 për shkak të shkeljes së dispozitave të procedurës kontestimore; konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike; dhe zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Në këtë kontekst, rezulton se lidhur me rastin e parashtruesit të kërkesës, paralelisht me kërkesën që parashtruesi ka parashtruar para Gjykatës Kushtetuese, është duke u zhvilluar procedura gjyqësore para Gjykatës së Apelit.
Në këtë aspekt, duke u bazuar në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, në harmoni me të cilën, bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, KEDNJ nuk kërkon që mjetet juridike diskrecionale, apo mjetet juridike që nuk janë drejtpërdrejtë në dispozicion të parashtruesve dhe që varen nga ushtrimi i diskrecionit nga ndërmjetësi, duhet të shteren para se parashtruesit t’i drejtohen GJEDNJ-së.
Megjithatë, Gjykata po ashtu rikujton se tashmë ka përcaktuar në jurisprudencën e saj se nëse procedurat janë në zhvillim e sipër tek gjykatat e rregullta, duke përfshirë edhe rastin kur procedura para Gjykatës Supreme është duke u zhvilluar sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, atëherë kërkesa e parashtruesve konsiderohet e parakohshme.
Në këtë drejtim, Gjykata vë theksin në faktin se të gjitha pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje ligjore nga ana e Gjykatës Themelore lidhur me procedurën gjyqësore në lidhje me padinë e parashtruar për vërtetim të së drejtës së pronësisë nga parashtruesi i kërkesës, mund të shqyrtohen nga Gjykata e Apelit.
Si rrjedhojë, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës e ka paraqitur kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese para se të shterojë të gjitha mjetet efektive.
Në këtë aspekt, Gjykata rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (b) të Rregullores së punës, i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre në Gjykatën Kushtetuese, që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive në dispozicion në pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi të kontestuar.
Rrjedhimisht, Gjykata përfundon se kërkesa e parashtruesit është e parakohshme dhe duhet të deklarohet e papranueshme, në baza kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113.7 të Kushtetutës, parashihet me nenin 47 të Ligjit dhe specifikohet më tej me rregullin 34 (1) (b) të Rregullores së punës.
Zejnel Ninaj
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Civile