KI149/23, Parashtrues Nazmi Rexhepi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Ac. nr. 9394/2021, të 9 marsit 2023, të Gjykatës së Apelit të Kosovës
KI149/23, Aktvendim për Papranueshmëri, i 11 shtatorit 2024, publikuar më 30 tetor 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, pretendime të pambështetura dhe paarsyetuara
Rrethanat e rastit të parashtruesit të kërkesës ndërlidhen me padinë e tij për kompensim për pagat e papaguara nga NSH “Çeliku” në Gjilan, pranë Gjykatës Komunale në Gjilan, për periudhën nga nëntori i vitit 2004 deri në nëntorin e vitit 2005, e cila gjykatë më 11 prill 2006 përmes Aktgjykimit [C.nr. 90/06 deri C.nr 198/06, C.nr.207/06 dhe C.nr. 22/06] ia aprovoi kërkesëpadinë dhe detyroi debitorin NSH “Çeliku” në Gjilan që t’i shlyejë detyrimin në shumat e përcaktuara në këtë Aktgjykim. Për shkak të përmbarimit të pjesërishëm të këtij Aktgjykimi, më 23 korrik 2021, parashtruesi i kërkesës në cilësinë e kreditorit, paraqiti kërkesë për përmbushjen e obligimit të mbetur te debitori dhe më pas këtë e kërkoi edhe më 25 gusht 2021 përmes propozimit për përmbarim në Gjykatën Themelore. Më 10 shtator 2021, Gjykata Themelore lëshoi Urdhrin përmbarimor për përmbarimin e pjesës së mbetur të Aktgjykimit në fjalë. Mirëpo, Agjencia Kosovare e Privatizimit paraqiti prapësim ndaj këtij Urdhri, të cilin prapësim, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [CP.nr. 388/21], të 8 tetorit 2021, e aprovoi. Këtë Aktvendim, më 9 mars 2023, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [Ac. nr. 9394\21], e vërtetoi me arsyetimin se parashtruesit të kërkesës iu kishte parashkruar e drejta për të kërkuar ekzekutimin e Aktgjykimit të Gjykatës Komunale, të 11 prillit 2006. Më 15 maj 2023, parashtruesi i kërkesës paraqiti në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit propozim për inicimin e kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, lidhur me Aktvendimin [Ac. nr. 9394\21], e 9 marsit 2023, të Gjykatës së Apelit, të cilin propozim, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes Njoftimit [KMLC. nr. 61/2023], më 29 maj 2023, e refuzoi.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Ac. nr. 9394/2021], të 9 marsit 2023, të Gjykatës së Apelit.
Në aktvendimin e publikuar, Gjykata vuri në dukje se parashtruesi i kërkesës nuk ka qartësuar se cilat të drejta dhe liri, të garantuara me Kushtetutë, pretendon se i janë cenuar dhe se ai ngritë pretendime të përgjithësuara pa saktësuar të drejtat kushtetuese të cilat ai pretendon se i janë cenuar dhe pa qartësuar faktet që arsyetojnë pretendimet konkrete. Rrjedhimisht, në pajtim me praktikën e saj gjyqësore, Gjykata konstatoi se kjo nuk është e mjaftueshme për të përmbushur kërkesat e nenit 48 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (d) dhe (2) të Rregullores së punës, dhe se përfundimisht, kërkesa e parashtruesit është e papranueshme në baza kushtetuese në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura dhe të paarsyetuara”.
Nazmi Rexhepi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile