KI57/24, Parashtrues “Erisi J” SH.P.K, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Ac.nr.9241/2021, të 12 tetorit 2023 të Gjykatës së Apelit të Kosovës
KI57/24, Aktvendim për Papranueshmëri, i 30 tetorit 2024, publikuar më 15 nëntor 2024
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, qartazi e pabazuar, mungesë evidente e shkeljes, kërkesë e parakohshme, masë e përkohshme
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës kundër Ministrisë së Drejtësisë dhe Komunës së Vushtrrisë, për shkak të pengimit të posedimit të paluejtshmërisë, të cilën Ministria e Drejtësisë më 6 nëntor 2020, ia kishte dhënë në shfrytëzim për qëllime komerciale përmes një kontrate, me kohëzgjatje prej 15 (pesëmbëdhjetë) viteve, me qira vjetore prej 25,440 (njëzet e pesë mijë e katërqind e dyzet) euro, dhe të cilën kontratë, më 21 prill 2021, e kishte anuluar përmes Vendimit [Nr. 73/2020], me ç’rast kërkoi nga Komuna e Vushtrrisë që parashtruesit të kërkesës t’ia ndërpresë punimet në atë paluejtshmëri. Më 23 shtator 2021, Gjykata Themelore refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës për pengim të posedimit, të cilin aktvendim e vërtetoi më 12 tetor 2023 edhe Gjykata e Apelit sipas ankesës së tij, me arsyetimin se kusht ligjor për t’u konsideruar se ekziston pengimi në posedim, është që të vërtetohet se pengimi është kryer përmes ndonjë veprimi të kundërligjshëm, e që në rastin konkret, sipas tyre, veprimet e organeve shtetërore, respektivisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Komunës së Vushtrrisë, në thelb, nuk mund të kualifikohen si akte të pengimit të posedimit, përderisa të njëjtat (i) janë duke vepruar në kuadër të autorizimeve që u ka dhënë ligji; dhe përderisa (ii) nuk është vërtetuar se kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme, çështje e cila nuk është objekt i shqyrtimit në këtë lloj kërkesëpadie.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se me Aktvendimin e kontestuar i janë shkelur të të drejtat e tij të mbrojtura me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, si dhe nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së, në thelb, për shkak të: (i) mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor, përfshirë pretendimin për mosadresimin e shkëputjes së njëanshme të Kontratës për Shfrytëzim të paluejtshmërisë përmes një vendimi administrativ, si pretendim kryesor ankimor; si dhe (ii) privimit të së drejtës së pronësisë në investimet që i ka bërë në paluejtshmëri si rezultat i pengimit të posedimit të saj.
Përkitazi me pretendimin që ndërlidhet me mungesën e vendimit të arsyetuar gjyqësor, përfshirë pretendimin për mosadresimin e shkëputjes së njëanshme të Kontratës për Shfrytëzim të paluejtshmërisë përmes një vendimi administrativ, si pretendim kryesor ankimor, Gjykata, në pajtim me praktikën e saj gjyqësore, konstatoi se ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese në “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” ashtu siç përcaktohet me paragrafin (2) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës për shkak se Gjykata e Apelit përmes aktvendimit të saj të kontestuar ka adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës të paraqitura në kërkesën e tij, ndër të tjera, në lidhje me (i) aplikimin e dispozitave ligjore në fuqi dhe (ii) “nulitetin” e vendimit të Ministrisë së Drejtësisë duke specifikuar se i njëjti nuk është objekt shqyrtimi në këtë rast.
Ndërsa, përkitazi me pretendimin në lidhje me privimit të së drejtës së pronësisë në investimet që i ka bërë në paluejtshmëri, Gjykata konstatoi se ky pretendim cilësohet si kërkesë e kategorisë të “kërkesës së parakohshme”, dhe e refuzoi në pajtim me nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës, për shkak se parashtruesi njëkohësisht kishte parashtruar padi për vërtetimin e kontratës së qirasë në Gjykatën Komerciale, për të cilën padi ende nuk ka përfunduar procedura gjyqësore.
“Erisi J” SH.P.K.
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Civile