Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Ac. nr. 2572/20, të 23 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit

Nr. të lëndës KI64/22

Parashtruesit: Vatani Shpk

Shkarko:

KI64/22, Parashtrues: Vatani Shpk, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit Ac. nr. 2572/20, të 23 dhjetorit 2021 të Gjykatës së Apelit

KI64/22, Aktvendim i 29 shtatorit 2022, i publikuar më 18 tetor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë përmbarimore, e drejta për gjykim të drejtë, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest civil-pronësor (pasuri), mes parashtruesit të kërkesës dhe ortakut të tij Niga Profil Shpk. Kjo ortakëri faktike dhe juridike ishte themeluar më 8 gusht 1995, nga e cila më pas janë themeluar katër subjekte juridike Bitex Shpk, Niga Profil Shpk, Gritankos Shpk dhe Europlast Shpk, dhe nga pasuria e përbashkët ortakët kanë krijuar prona të paluajtshme në Prishtinë-Çagllavicë, Harilaç dhe në Gjilan. Kontrata e ortakërisë ndërmjet ortakëve u shua në fund të vitit 2016. Parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Gjilan për shuarjen e ortakërisë me subjektet jurdike në fjalë. Në ndërkohë, në anën tjetër përmbaruesi privat me propozim të subjektit juridik Niga Profil Shpk (kreditori), lëshoi Urdhrin përmbarimor [P. nr. 834/18] për pagesën e shumës prej 71.107,50 euro, duke përfshirë kamatën ligjore në lartësinë 8% (përqind) dhe shpenzimet e procedurës përmbarimore, nga ana e parashtruesit të kërkesës. Ndaj këtij urdhri, parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar prapsim në Gjykatën Themelore në Gjilan, e cila me Aktvendimin CPK. nr. 130/2018, të 5 dhjetorit 2018, e refuzoi si të pabazuar prapësimin dhe e konfirmoi urdhrin përmbarimor të lartcekur. Ndaj aktvendimit të lartcekur të Gjykatës Themelore në Gjilan, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila me Aktvendimin Ac. nr. 2572/20, e refuzoi si të pabazuar ankesën e tij dhe e konfirmoi Aktvendimin e 5 dhjetorit 2018 të Gjykatës Themelore në Gjilan. Parashtruesi i kërkesës i propozoi Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, që ndaj Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të ushtronte kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, megjithatë ky i fundit e kishte refuzuar propozimin me arsyetimin se në këtë çështje juridike nuk kishte bazë të mjaftueshme ligjore për ngritjen e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë sipas nenit 247, paragrafi 1 pika a) dhe pikës b) të Ligjit..

Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese, pretendoi shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), si dhe me nenin 6.1 [E drejta për një proces të rregullt] dhe 13 [E drejta për zgjidhje efektive] të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNj).

Gjykata Kushtetuese fillimisht i shtjelloi kriteret e pranueshmërisë së kërkesës sipas Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës. Më pas, adresoi pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës përkitazi me: i. çështjet e faktit dhe të zbatimit të ligjit; ii. barazinë e armëve; dhe iii. moskonsistencën e praktikës gjyqësore në vendimmarrje, duke iu referuar Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e saj, për t’i aplikuar më pas të njëjtat në rastin konkret. Sa i përket pretendimit të parë (i) lidhur me vërtetimin e fakteve dhe të zbatimit të ligjit, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës e kishte ndërtuar rastin e tij në baza ligjshmërie dhe jokushtetutshmërie, andaj Gjykata përsëriti qëndrimin se nuk është roli i saj të rishikojë konkluzionet e gjykatave të rregullta në lidhje me gjendjen faktike dhe zbatimin e të drejtës materiale, dhe se ajo nuk mund të vlerësojë vetë faktet të cilat e kanë bërë një gjykatë të rregullt të marrë një vendim e jo një tjetër. Në të kundërtën, Gjykata do të vepronte si gjykatë e “shkallës së katërt”, që do të rezultonte në shpërfilljen e kufijve të vendosur në juridiksionin e saj. Sa i përket pretendimit të dytë (ii) Gjykata pasi analizoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të parimit të barazisë së armëve, i cili në kuptim të nenit 6.1 të KEDNj-së është i ndërlidhur ngushtë me të drejtën për seancë dëgjimore dhe duke analizuar konstatimet e Gjykatës së Apelit, në lidhje me këtë pretendim, konsideron se parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur ta mbështes pretendimin e tij për shkelje të kësaj të drejte, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, nga arsyet e elaboruara, si më sipër. Sa i përket pretendimit të tretë (iii) për moskonsistencë në vendimmarrje, Gjykata pasi shtjelloi parimet e përgjithshme në lidhje me këtë pretendim, dhe pasi i aplikoi të njëjtat në rastin konkret erdhi në përfundimin se, parashtruesi i kërkesës nuk ka arritur të përmbushë kushtin, sa i përket  “dallimeve të thella dhe afatgjata” të praktikës gjyqësore, sepse në rastin konkret nuk bëhej fjalë për rrethana faktike dhe juridike tërësisht identike siç përcakton ky kriter. Për më tepër, Gjykata arsyetoi se edhe po të ekzistonin rrethana faktike dhe juridike, tërësisht identike mes rasteve në krahasim, pretendimi për jokonsistencë të praktikës gjyqësore nuk mund të ndërtohet vetëm mbi bazën e krahasimit të një apo dy vendimeve dhe të konstatohet se ka pasur megjithatë “dallime të thella dhe afatgjata”. Ndërsa sa i përket pretendimeve për shkelje të neneve 24, 54 dhe 102 të Kushtetutës, Gjykata konsideroi se parashtruesi i kërkesës shkeljen e këtyre dy neneve e ndërlidhi me nenin 31 të Kushtetutës, gjegjësisht me barazinë e armëve dhe me moskonsitencë të praktikës gjyqësore, për të cilat Gjykata sa më lart konstatoi, se kërkesa në këto pjesë është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese. Gjykata përkitazi me këto pretendime rikujton se vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës dhe të KEDNj-së ose ndërlidhja e tyre me një nen tjetër të Kushtetutës nuk nënkupton me automatizëm edhe shkelje të neneve tjera të Kushtetutës dhe KEDNj-së, nëse më tej nuk argumentohet dhe shtjellohet se si dhe përse ka ardhur deri te shkelja e tyre.

Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata, duke i marrë parasysh të gjitha shtjellimet dhe konstatimet e mësipërme, konkludon: i) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, përkitazi me vërtetimin e fakteve dhe aplikimin e ligjit, i përkasin kategorisë së parë (I), pretendime të “shkallës së katërt” të cilat reflektojnë pretendime në nivel ligjshmërie dhe jokushtetutshmërie; ii) pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6.1 të KEDNj-së, përkitazi me “barazinë e armëve“ dhe “moskonsistencën e praktikës gjyqësore” i përkasin kategorisë (III), nënkategorisë (b), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, të njëjtat i shpalli qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; ndërsa pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24, 54 dhe 102 të Kushtetutës, i përkasin kategorisë së tretë (iii), nënkategorisë (a), të pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, andaj, si të tilla, në baza kushtetuese të njëjtat duhet shpallur qartazi të pabazuara, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës së Gjykatës.

Parashtruesit:

Vatani Shpk

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 24 - Barazia para Ligjit, Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 54 - Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile