KI44/23, Parashtrues N.T.SH “ZHITIA”: Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-27-0710] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për Çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit të 20 tetorit 2022
KI44/23, Aktvendim për papranueshmëri i 20 marsit 2024, publikuar më 6 qershor 2024
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kthim në gjendje të mëparshme, kërkesë e papranueshme
Nga shkresat e lëndës rezulton se esenca e këtij rasti ka të bëj me një kontratë për këmbim të mallrave të lidhur ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe Fabrikës së Çimentos “SHARR” më 13 shtator 1996, me ç ‘rast janë themeluar marrëdhëniet detyrimore të ndërsjella. Në kontratë ishte paraparë që parashtruesi i kërkesës ishte i obliguar që Fabrikës së Çimentos “SHARR” t’ia sigurojë ambalazhën për paketimin e çimentos, për kompensim me dërgimin e çimentos. Në vitet 1997-98 Fabrika e Çimentos “SHARR” kishte mbetur në obligim ndaj parashtruesit të kërkesës një sasi të çimentos të padërguar që kishte një vlerë të caktuar monetare. Duke qenë se kishte pasur mosmarrëveshje lidhur me borxhin që Fabrika e Çimentos “SHARR” ia kishte borxh parashtruesit të kërkesës; i njëjti më 28 qershor 2000, paraqiti padi në Gjykatën Ekonomike të Qarkut në Prishtinë duke kërkuar që e paditura Fabrika e Çimentos “SHARR” t’ia paguajë borxhin gjegjësisht kundërvlerën e çimentos të cilën nuk ia ka dërguar sipas kontratës. Ndërkohë, lidhur me mosmarrëveshjen në fjalë u zhvilluan procedura kontestimore dhe përmbarimore me palë ndërgjyqëse parashtruesin e kërkesës dhe Fabrikën e Çimentos “SHARR”, të cilat procedura ishin ndërprerë nga gjykatat e rregullta me kërkesë të AKP-së për shkak se kjo e fundit kishte marrë vendim për likuidimin e Fabrikën e Çimentos “SHARR”. Parashtruesi i kërkesës në procedurën e likuidimit i ishte drejtuar Autoritetit të Likuidimit i AKP-së me kërkesë kreditore të bazuar në borxhin që ai pretendonte se duhej t’i paguhej nga Fabrika e Çimentos “SHARR”. Autoriteti i Likuidimit kishte refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës duke arsyetuar se të gjitha kërkesat e bëra ndaj Ndërmarrjes Fabrika e Çimentos “SHARR” mund të përfshijnë kamatë në çfarëdo shume themelore të grumbulluar deri para datës së Vendimit te Likuidimit, me kusht që kjo kamatë të mos tejkalojë 10% (dhjetë përqind) të shumës themelore. Parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në DHPGJS kundër Vendimit të Autoritetit të Likuidimit të AKP-së. Më 2 shtator 2020, DHPGJS-ja përmes Aktgjykimit [C-III-15-0002] vendosi që ta refuzojë të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës, ndërsa vendimi i Autoritetit të Likuidimit ishte vërtetuar si i drejtë dhe i bazuar në ligj. DHPGJS-ja njoftoi parashtruesin e kërkesës se mund të parashtrojë ankesë me shkrim në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga pranimi i këtij aktgjykimi. Aktgjykimi [C-III-15-0002] i 2 shtatorit 2020 i DHPGJS-së, i ishte dërguar avokatit të parashtruesit të kërkesës, mirëpo, i njëjti nuk kishte paraqitur ankesë brenda afatit ligjor. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi një parashtresë në DHPGJS duke kërkuar kthim në gjendjen e mëparshme duke arsyetuar se avokati i tij ishte infektuar me COVID19dhe më vonë kishte vdekur, për çka edhe nuk kishte mundur që brenda afatit ligjor të paraqesë ankesë kundër Aktgjykimit [C-III -15-0002] të 2 shtatorit 2020 të Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së. Në vijim të kërkesës së tij, DHPGJS-ja lëshoi një urdhër për parashtruesin e kërkesës me të cilin është kërkuar që në afatin prej shtatë (7) ditësh nga dita e pranimit të urdhrit të dorëzojë në DHPGJS-së provën me të cilën dëshmohet koha kur është infektuar avokati i tij me COVID19, mirëpo ky i fundit DHPGJS-së nuk i kishte dhënë asnjë përgjigje. Më 8 tetor 2021, shkalla e parë e DHPGJS-së përmes Aktvendimit [C-III-15-0002] të të 8 tetorit 2021 kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kthim në gjendje të mëparshme e hodhi poshtë si të paafatshme duke arsyetuar se kjo kërkesë është ushtruar pas afatit objektiv prej 60 ditësh, të përcaktuar me dispozitat përkatëse të ligjit të aplikueshëm. Kundër këtij Aktvendimi, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së duke kërkuar prishjen e Aktvendimit [C-III-15-0002] të 8 tetorit 2021 të DHPGJS-së, duke pretenduar zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe që njëkohësisht nuk ishte vërtetuar as gjendja faktike. Më 20 tetor 2022, Kolegji i Apelit i DHPGJS-së përmes Aktvendimit [AC-I-21-0710] vendosi: (i) ankesa e parashtruesit të kërkesës refuzohet si e pabazuar; dhe (ii) të vërtetohet Aktvendimi i shkallës së parë të DHPGJS-së [C-III-15-0002] i 8 tetorit 2021.
Në procedurë në Gjykatën Kushtetuese, parashtruesi i kërkesës në thelb ngriti pretendime se vendimet e kontestuara të DHPGJS-së, janë në kundërshtim me garancitë nga neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së sepse të njëjtat nuk kanë marrë parasysh faktin se avokati i tij ishte infektuar me COVID19! Parashtruesi i kërkesës pretendoi se ka humbur afatin për ankesë brenda afatit ligjor dhe pastaj edhe për kthim në gjendje të mëparshme për shkak të infektimit të avokatit të tij me COVID19! Sipas parashtruesit të kërkesës DHPGJS-ja nuk ka vlerësuar drejtë faktet dhe ligjin në rastin e tij, për çka atij i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 (1) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në vlerësimin e të gjitha pretendimeve të lartpërmendura të parashtruesit të kërkesës, Gjykata konstatoi se në rrethanat e rastit konkret: (i) Aktgjykimi [C-III-0002] i 2 shtatorit 2020 i DHPGJS-së i ishte dorëzuar avokatit të parashtruesit të kërkesës, i cili nuk kishte arritur që ankesën kundër aktgjykimit në fjalë ta paraqesë brenda afatit ligjor; (ii) për shkak të ikjes së afatit ligjor për ta kontestuar Aktgjykimin [C-III-0002] i 2 shtatorit 2020 i DHPGJS-së, parashtruesi i kërkesës paraqiti kërkesë për kthim në gjendje të mëparshme me arsyetimin se avokati i tij kishte vdekur nga COVID19, për çka nuk kishte mund ta paraqesë ankesën brenda afatit ligjor; (iii) DHPGJS-ja ia kishte dhënë mundësinë parashtruesit të kërkesës që në afat prej shtatë ditësh të sjellë dëshmi se kur avokati i tij ishte infektuar me COVID19; mirëpo, parashtruesi i kërkesës nuk kishte sjellë ndonjë dëshmi në atë drejtim; (iv) Kolegji i Specializuar përmes Aktvendimit [C-III-15-0002] të 8 tetorit 2021 refuzoi kërkesën për kthim në gjendje të mëparshme, i cili vendim më pas u vërtetua me Aktvendimin [AC-I-21-0710] të 20 tetorit 2022 të Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së; rrjedhimisht, (v) nga procedurat e zhvilluara rezulton se parashtruesi i kërkesës ka humbur afatin për ankesë dhe i është refuzuar kërkesa për kthim në gjendje të mëparshme.
Për pasojë dhe bazuar në sqarimet e dhëna në Aktvendimin e publikuar, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës, janë pretendime “të pambështetura dhe të paarsyetuara” dhe si të tilla në baza kushtetuese duhet të shpallen si qartazi të pabazuara, ashtu siç përcaktohet me rregullin 34 (2) të Rregullores së punës.
N.T.SH “ZHITIA”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile