KI159/22, Parashtrues: Besarta Isufi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [AC-I-22-0385] të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 31 gushtit 2022
KI159/22, Aktvendim për papranueshmëri i 23 majit 2023, publikuar më 16 qershor 2023
Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë kontestimore, e drejta e pronës
Thelbi i procedurës para kolegjeve të DHPGJS-së ndërlidhet me vërtetimin e të drejtës së pronësisë mbi dy ngastra kadastrale, mbi të cilat të dyja palët, përkatësisht Ndërmarrja Shoqërore “Jugobanka”, e cila përfaqësohet nga Autoriteti i Likuidimit të AKP-së dhe Komuna e Mitrovicës së Jugut, konsiderojnë se kanë të drejta.
Derisa ishte duke u zhvilluar procedura sipas padisë për vërtetimin e të drejtës së pronës, Komuna e Mitrovicës i kishte këmbyer ngastrat kontestuese me ngastrat e parashtrueses së kërkesës.
Rrjedhimisht, Autoriteti i Likuidimit të AKP-së si paditës kishte parashtruar kërkesë në DHPGJS me të cilën kishte kërkuar që të vendoset masa e sigurimit mbi pronën në fjalë.
Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së e miratoi kërkesën dhe vendosi masën e sigurimit, me të cilën parashtruesja e kërkesës nuk u pajtua dhe rrjedhimisht ushtroi ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS-së, duke pretenduar se masa ishte vendosur, ndërsa me atë rast nuk ishte mbajtur seancë publike, si dhe nuk i ishte dhënë mundësia të paraqesë argumentet e saj kundër masës së sigurimit.
Kolegji i Apelit e refuzoi ankesën e parashtrueses së kërkesës, me ç’rast e vërtetoi vendimin e Kolegjit të Specializuar të DHPGJS-së.
Parashtruesja e kërkesës parashtroi kërkesë në Gjykatë duke pretenduar se aktvendimet e të dy kolegjeve të DHPGJS-së ia cenojnë të drejtat e garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe me nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Në procedurën e shqyrtimit të pretendimeve të parashtrueses së kërkesës, Gjykata i analizoi detajisht të gjitha pretendimet, duke aplikuar me atë rast, si praktikën e vet gjyqësore, ashtu edhe parimet e GJEDNJ-së, gjë që rezultoi me konkludimin se kërkesa është e pabazuar për shqyrtim, në pajtim me rregullin 39 paragrafi 2 të Rregullores së punës.
Besarta Isufi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile