Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-I-21-0809-A0001 të 13 prillit 2023 dhe Aktvendimit AC-I-21-0123 të 2 dhjetorit 2021 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit

Nr. të lëndës KI99/23

Parashtruesit: Hasan Fusha

Shkarko:

KI99/23, Parashtrues: Hasan Fusha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-I-21-0809 të 13 prillit 2023 dhe Aktvendimit AC-I-21-0123 të 2 dhjetorit 2021 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit

KI99/23, Aktvendim për papranueshmëri, i 29 prillit 2024, publikuar më 6 qershor 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm

Rrethanat e rastit konkret, rezultojnë në atë se më 23 mars 2015 përkatësisht më 3 prill 2015, Autoriteti i Likuidimit i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, kishte nxjerrë dy vendime: (i) Vendimin nr. PRZ. 009-0214, me të cilin ishte refuzuar kërkesa e parashtruesit të kërkesës për dëmshpërblim për ndërprerjen e parakohshme të kontratës së punës në shumën prej 1,463.56 euro; si dhe (ii) Vendimin PRZ. 009-0742, me të cilin ishte refuzuar kërkesa për kompensimin e pagave të papaguara në shumën prej 14,913.14 euro, për periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2013. Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme (DHPGJS), e cila e refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi vendimet e Autoritetit të Likuidimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Kolegjin e Apelit të DHPGJS kundër vendimit të DHPGJS, ku Kolegji i Apelit e kishte refuzuar ankesën e parashtruesit të kërkesës duke e konsideruar të tërhequr për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk kishte paguar taksën gjyqësore. Parashtruesi i kërkesës kishte kërkuar kthim në gjendje të mëparshme, ku Kolegji i Apelit e kishte hedhur poshtë si të papranueshëm propozimin e parashtruesit të kërkesës për kthim në gjendje të mëparshme.

Parashtruesi i kërkesës pretendoi se me Aktvendimin e Kolegjit të Apelit AC-I-21-0809-A0001, të 13 prillit 2023, dhe me Aktvendimin AC-I-21-0123, të 2 dhjetorit 2021 të Kolegjit të Apelit, i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenin 31 [E Drejta për një Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Gjykata vuri në dukje se, edhe pse parashtruesi i kërkesës në mënyrë shprehimore kontestoi Aktvendimin e Kolegjit të Apelit AC-I-21-0809-A0001, të 13 prillit 2023, vendimi i fundit lidhur me rastin e parashtruesit të kërkesës është Aktvendimi AC-I-21-0123, i 2 dhjetorit 2021 i Kolegjit të Apelit.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se përveç kërkesës në Gjykatë Kushtetuese, Ligji për DHPGJS-në nuk mundëson asnjë mjet tjetër juridik për apelimin e vendimeve përfundimtare të Kolegjit të Apelit. Ky konstatim është konfirmuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës.

Në dritën e kësaj, Gjykata nuk u lëshua në vlerësimin e mëtutjeshëm të kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Kolegjit të Apelit AC-I-21-0809-A0001, të 13 prillit 2023. Rrjedhimisht, Gjykata konsideroi se “vendimi përfundimtar” (mjeti i fundit efektiv juridik), sipas kuptimit të rregullit 34 (1) (c) dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës, për rastin e parashtruesit të kërkesës, është Aktvendimi i Kolegjit të Apelit, AC-I-21-0123, i 2 dhjetorit 2021. Atëherë, Gjykata vlerësojë Aktvendimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së [ AC-I-21-0123], të 2 dhjetorit 2021, nëse plotëson kriteret e nenit 49 të Ligjit dhe rregullit 34 (1) (c) të Rregullores së Punës së Gjykatës.

Në lidhje me këtë, Gjykata rikujton se Aktvendimi i Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së [AC-I-21-0123], ishte nxjerrë më 2 dhjetor 2021. Në bazë të shkresave të lëndës, vërehet se parashtruesi i kërkesës Aktvendimin në fjalë e ka pranuar më 8 dhjetor 2021, gjë që e ka cekur vetë në formularin e kërkesës. Lidhur me këtë, Gjykata vërejti se koha në mes të pranimit të Aktvendimit dhe të datës së dorëzimit të kërkesës së saj në postë, më 15 maj 2023, ka kaluar periudhën kohore prej 4 (katër) muajsh.

Si pasojë, Gjykata konkludoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës në lidhje me Aktvendimin e Kolegjit të Apelit të DHPGJS-së [AC-I-21-0123], të 2 dhjetorit 2021, është dorëzuar pas afatit ligjor prej 4 (katër) muajsh të përcaktuar me nenin 49 të Ligjit dhe me rregullin 34 (1) (c) të Rregullores së punës, dhe si e tillë është e papranueshme.

Parashtruesit:

Hasan Fusha

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile