Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-I-0195-A0001 të 8 majit 2024, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit
Nr. të lëndës KI163/24
Parashtruesit: Nysret Kabashi, Bajram Kabashi dhe Driton Kabashi
KI163/24: Parashtrues Nysret Kabashi, Bajram Kabashi dhe Driton Kabashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit AC-I-0195-A0001 të 8 majit 2024, të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për çështje që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit
KI163/24, Aktvendim për papranueshmëri i 25 shtatorit 2024, i publikuar më 10 tetor 2024
Fjalët kyçe: arsyetimi i vendimit; masa e sigurimit; dëmi i pariparueshëm; legjitimiteti;
AKP-ja dhe “Petrol Kabashi” kishin nënshkruar kontratë mbi shitblerjen e disa pronave të paluajtshme. Parashtruesit e kërkesës paraqitën padi dhe kërkuan anulimin e kontratës, me pretendimet se këto prona i kishin shfrytëzuar edhe ata për një kohë të gjatë dhe rrjedhimisht do duhej të ishin pjesë e procesit për blerjen e tyre. Parashtruesit e kërkesës kërkuan caktimin e masës së sigurimit për të ndaluar tjetërsimin e pronave. Kolegji i Specializuar i DHPGJS-së me aktvendim kishte aprovuar masën e sigurimit, mirëpo Kolegji i Apelit duke vendosur mbi ankesën e AKP-së dhe “Petrol Kabashi” kishte ndryshuar vendimin dhe refuzoi si të pabazuar kërkesën për caktimin e masës së sigurimit, me arsyetimin se nuk ishin përmbushur kriteret ligjore të përcaktuara nga neni 61 i Ligjit për DHPGJSK-në. Parashtruesit e kërkesës kishin paraqitur kërkesë në Gjykatë me pretendimin se vendimi i Kolegjit të Apelit nuk ishte i arsyetuar, për shkak se nuk e sqaroi çështjen e legjitimitetit të AKP-së për të paraqitur ankesë; dhe dëmin e pariparueshëm. Gjykata me Aktgjykimin KI168/22 kishte konstatuar shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës, për shkak të mungesës së arsyetimit adekuat për këto çështje dhe ktheu rastin në rishqyrtim.
Kolegji i Apelit, më 8 maj 2024, përmes Aktvendimit [AC-I-24-0195-A0001] e refuzoi përsëri kërkesën për caktimin e masës së sigurimit, me arsyetimin se, së pari, parashtruesit e kërkesës nuk ishin pronarë të pronave të paluajtshme, dhe së dyti, pronat kishin kaluar në emër të “Petrol Kabashi” dhe nuk mund të kufizoheshin të drejtat e tij në këtë fazë, deri në meritat e padisë.
Parashtruesit e kërkesës paraqitën përsëri kërkesë në Gjykatë me pretendimin se Kolegji i Apelit nuk i adresoi të gjeturat e Gjykatës në rastin KI168/22 por vetëm i përsëriti arsyetimet e vendimit të kaluar.
Gjykata vlerësoi nëse aktvendimi i Kolegjit të Apelit i adresoi të gjeturat e saj: (i) nëse ofroi arsyetime për shkaktimin e dëmit të pariparueshëm; (ii) dhe nëse arsyetoi mungesën e legjitimitetit të AKP-së për paraqitjen e ankesës.
Së pari, Gjykata theksoi se neni 61 i Ligjit për DHPGJSK-në përcakton se masa e sigurimit caktohet atëherë kur pala jep prova të besueshme për ekzistimin e kërkesës apo të së drejtës subjektive të tij. Në rastin konkret, Kolegji i Apelit arsyetoi se parashtruesit e kërkesës nuk ishin pronarë të pronave dhe një gjë të tillë e pohojnë edhe ata dhe rrjedhimisht nuk plotësohej kushti ligjor. Në lidhje me legjitimitetin e AKP-së, Gjykata theksoi se është e vërtetë që Kolegji i Apelit nuk ofroi arsyetime në këtë çështje. Megjithatë, Gjykata vlerësoi se AKP-ja ishte palë e paditur në këtë proces dhe rrjedhimisht kishte interes juridik për të paraqitur ankesë. Për më tepër, edhe “Petrol Kabashi” kishte paraqitur ankesë dhe fakti nëse AKP-ja kishte legjitimitet nuk ishte fare i rëndësishëm. Gjykatat e rregullta e kanë autoritetin për të vendosur se cilat çështje janë të rëndësishme për tu arsyetuar dhe në rastin konkret legjitimiteti i AKP-së ishte dukshëm i parëndësishëm. Gjykata konstatoi se Kolegji i Apelit i mori parasysh të gjeturat e Gjykatës dhe përmbushi standardin për arsyetimin e vendimeve.
Nysret Kabashi, Bajram Kabashi dhe Driton Kabashi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile