Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimit A. Nr. 791/13 të 24 korrikut 2014 të Gjykatës Themelore në Prishtinë 

Nr. të lëndës KI201/21

Parashtruesit: Enver Krasniqi

Shkarko:

KI201/21, parashtruesi i kërkesës: Enver Krasniqi, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimit A. Nr. 791/13 të 24 korrikut 2014 të Gjykatës Themelore në Prishtinë 

KI201/21, Aktvendim për papranueshmëri i 15 nëntorit 2022, publikuar 12 dhjetor 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, mosshterim i mjeteve juridike

Nga shkresat e lëndës del se parashtruesi i kërkesës ka parashtruar kërkesëpadi në Gjykatën Themelore kundër Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe Njësisë për fondin kadrovik, Zyra e Kryeministrit, duke kërkuar që t’i kompensohet në mënyrë retroaktive shuma prej 4,377.27 euro për kohën sa kishte ushtruar detyrën e Kreut të Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar pranë Ministrisë së Drejtësisë.

Megjithatë duke e pasur parasysh se kërkesëpadia nuk ishte e plotë, Gjykata Themelore ia kthen parashtruesit të kërkesës për plotësim në afatin prej 8 ditësh.   Parashtruesi i kërkesës nuk e ka plotësuar kërkesëpadinë në afatin prej 8 ditësh, prandaj, Gjykata Themelore mori aktvendimin që çdo komunikim i mëtejshëm me parashtruesin e kërkesës të zhvillohej përmes tabelës së shpalljeve të gjykatës.

Më 24 korrik 2014, Gjykata Themelore mori Aktvendimin [A. nr. 791/13] me të cilin hodhi poshtë padinë e parashtruesit të kërkesës si të parregullt. Duke iu referuar Aktvendimit të 16 prillit 2014 për plotësim dhe rregullim të padisë, Gjykata Themelore ka theksuar se “Nga fletëkthesa për dorëzim personal vërtetohet se paditësi aktvendimin për rregullimin e padisë e ka pranuar më 18.07.2014, dhe i njëjti as tani e as në afatin e përcaktuar nga gjykata nuk e ka bërë rregullimin e padisë. Aktvendimi i Gjykatës Themelore i 24 korrikut 2014 ishte vendosur në tabelë nga 30 korriku 2014, ku kishte qëndruar deri më 7 gusht 2014.

Më 13 tetor 2021, parashtruesi i kërkesës paraqiti parashtresë në Gjykatën Themelore përmes së cilës kërkoi që t’i dorëzohej nga arkiva Aktvendimi [A. nr. 791/13] i 26 korrikut 2014 i Gjykatës Themelore, me qëllim të realizimit të drejtave të tij.

Më 15 tetor 2021, Gjykata Themelore, përmes Njoftimit, informoi parashtruesin e kërkesës për të gjitha Aktvendimet e nxjerra në lëndën e tij.  Duke iu referuar Aktvendimit të 24 korrikut 2014, përmes të cilit ishte hedhur poshtë padia e parashtruesit të kërkesës si e parregullt, Gjykata Themelore e njoftoi atë se meqenëse ndaj atij aktvendimi nuk ishte parashtruar ankesë, i njëjti kishte marrë formë të prerë dhe ishte arkivuar.

Parashtruesi i kërkesës konsideron me këtë qëndrim, Gjykata Themelore ia ka shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me nenin 24 [Barazia para Ligjit], nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës.

Duke e analizuar thelbin e kërkesës së parashtruesit, Gjykata ka analizuar nëse parashtruesi para parashtrimit të kërkesës ka pasur në dispozicion mjetet juridike me shfrytëzimin e të cilave do të kishte mundur të tentonte realizimin e të drejtave të veta.

Në mbështetje të kësaj, gjykata i është referuar nenit 129 të Ligjit nr. 03/L-006 për procedurën kontestimore, me të cilin qartë përcaktohet mjeti juridik në formën e kthimit në gjendjen e mëparshme, të cilin parashtruesi i kërkesës nuk e kishte shfrytëzuar.

Në përputhje me këtë, Gjykata e ka refuzuar kërkesën e parashtruesit për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike në pajtim me rregullin 39. (1) b) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Enver Krasniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile