KI47/20, Parashtruesi i kërkesës: Arben Boletini, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimeve të Gjykatës Themelore në Prishtinë PPR. nr. 47/17, të 3 shkurtit 2017 dhe P.nr. 820/2017, të nxjerra më 27 shkurt 2017; 20 prill 2017 dhe 22 maj 2017
KI47/20, Vendim për refuzim, i miratuar më 10 nëntor 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, vendim për refuzim me procedurë të shkurtër, kërkesë e pakompletuar.
- Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes Aktvendimit PPR. nr. 47/17, të 3 shkurtit 2017 në bazë të propozimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë i kishte caktuar parashtruesit të kërkesës masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke vendosur që paraburgimi i parashtruesit të kërkesës të mbahet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, deri në finalizimin e ekzaminimit psikiatrik të tij në këtë Institut. Më 24 shkurt 2017, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur Aktakuzë për shkak të dyshimit të kryerjes së veprës penale “Kanosje” nga neni 185, paragrafi 2 i Kodit Penal 04/l-082 të Republikës së Kosovës dhe kishte propozuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës në Institutin e Psikiatrisë Forenzike. Më 20 prill 2017, Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi që parashtruesit të kërkesës t’i ndërpritej masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri. Përderisa, më 22 maj 2017, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit P.nr. 820/2017, gjeti se parashtruesi i kërkesës e ka kryer veprën penale “Kanosje” dhe ndër të tjera, vendosi që parashtruesit të kërkesës t’i caktohet masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri dhe që të obligohet parashtruesi i kërkesës që “ti nënshtrohet kontrollit të vazhdueshëm mjekësor në Kliniken e Psikiatrisë”.
- Parashtruesi i kërkesës në formularin e kërkesës kishte theksuar, shprehimisht, se konteston Aktvendimin e Gjykatës Themelorenr. 820/2017, të 20 prillit 2017, përmes të cilit ishte vendosur që atij t’i ndërpritet masa e paraburgimit. Për më tepër, parashtruesi i kërkesës nuk kishte ofruar informatë nëse i ka shteruar të gjithat mjetet juridike para gjykatave të rregullta. Rrjedhimisht, Gjykata përmes shkresës së 4 qershorit 2020 i kishte kërkuar parashtruesit të kërkesës që të saktësojë se cilin Aktvendim të Gjykatës Themelore e konteston si dhe ta informojë Gjykatën nëse i ka shteruar të gjitha mjetet juridike ndaj aktvendimit të cilin ai e konteston. Parashtruesi i kërkesës njoftimin e Gjykatës dhe kërkesën për informata shtesë e kishte pranuar më 23 qershor 2020. Megjithatë, Gjykata, deri në ditën e miratimit të këtij Vendimi nuk ka pranuar përgjigje në shkresën e Gjykatës, të 4 qershorit 2020.
- Bazuar në konstatimet e lartcekura, Gjykata konsideroi se kërkesa e parashtruesit, nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të mos-kompletimit të saj me sqarimin dhe dokumentacion mbështetës, ashtu siç është kërkuar nga Gjykata bazuar në nenin 22.4 të Ligjit dhe me rregullin 32 (2) (h) të Rregullores së punës. Rrjedhimisht, Gjykata, në pajtim me nenin 48 të Ligjit dhe rregullit 35 (5) të Rregullores së punës konstatoi se kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.