Vendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik

Nr. të lëndës KI 92/20

Shkarko:
Përmbledhje

KI92/20, Parashtrues: Milomirka Tamburić, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik

KI92/20 Vendim për Refuzimin e Kërkesës i 25 mars 2021, publikuar më 7 prill 2021

Fjalët kyç: kërkesë individuale, mbrojtja e pronës, kërkesë e paplotë dhe e paqartë, refuzim me procedure te shkurtër

Parashtruesja e  kërkesës në Gjykatën Kushtetuese, kontestoi një akt të paspecifikuar të autoritetit publike, duke pretenduar se asaj dhe përfaqësuesit të saj i janë shkelur  të drejtat nga disa individë dhe autoritete publike të Republikës së Kosovës. Nga thelbi i ankesave Gjykata vërejti se kërkesa bënte fjalë për të drejta pronësore, të cilat garantohen me nenin 46 të Kushtetutës.

Gjykata në rrethanat e këtij rasti vërejti se kërkesa e parashtrueses së kërkesës ishte e paqartë dhe e paplotë, andaj më 26 qershor 2020 kishte kërkuar nga parashtruesja e kërkesës ta plotësonte formularin e kërkesës dhe ta qartësonte atë, duke ia bashkëngjitur dokumentacionin mbështetës relevant. Më 21 korrik 2020, përfaqësuesi i parashtrueses së kërkesës në Gjykatë kishte dorëzuar një shkresë, e cila shprehte ankesat e përsëritura ndaj disa individëve dhe autoriteteve publike të caktuara. Megjithatë edhe përkundër kërkesës së Gjykatës, që në afatin prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, nga pranimi i shkresës, të plotësohej dhe qartësohej kërkesa, dhe t’i bashkëngjiteshin informatat dhe dokumentacioni relevant, një gjë e tillë nuk është bërë.

Gjykata në këtë rast ia rikujtoi parashtrueses së kërkesës se barra për të ndërtuar, sqaruar dhe plotësuar kërkesën bie mbi parashtruesit e kërkesës, të cilët kanë interes të drejtpërdrejtë në mënyrë që pohimet dhe pretendimet e tyre të adresohen në mënyrë sa më efektive nga Gjykata. Në rastet kur parashtruesit e kërkesës nuk i përgjigjen kërkesës së Gjykatës për qartësimin dhe plotësimin e kërkesës, Gjykata, të njëjtat i deklaron si të paqarta dhe të paplota, dhe si rezultat nuk i shqyrton pretendimet e parashtruesit të kërkesës. (Shih, rastet e Gjykatës, KI89/18, parashtrues: Agim Jashari, Vendim për refuzimin e kërkesës, i 27 nëntorit 2018, paragrafi 29; KI74/18, parashtrues: Gëzim Murati, Vendimi për refuzimin e kërkesës, i 3 dhjetorit 2018, paragrafi 26; KI78/20, KI79/20 dhe KI80/20, parashtrues: Hilmi Aliu dhe të tjerët, Vendim për refuzim të kërkesës, i 11 nëntorit 2020, paragrafi 33; dhe KI90/20, parashtrues: Arben Boletini, Vendim për refuzim të kërkesës, i 25 nëntorit 2020, paragrafi 25).

Si përmbledhje, Gjykata përfundoi se kërkesa e parashtrueses së kërkesës nuk i përmbush kriteret formale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak se është e paplotë dhe e paqartë. Andaj, Gjykata, në pajtim me nenin 22.4 dhe 48 të Ligjit, me rregullin 32 (2) (h) dhe me rregullin 35 (5) të Rregullores së punës, kërkesa duhet të refuzuar me procedurë të shkurtër.

 

 

Parashtruesit:

Milomirka Tamburić

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim

Vendim për refuzim të kërkesës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile