Vendim

Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik

Nr. të lëndës KI28/24

Parashtruesit: Avdyl Smajli

Shkarko:

KI28/24, Parashtrues: Avdyl Smajli, Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar të autoritetit publik

KI28/24, Vendim për refuzim të kërkesës, i 25 shtatorit 2024, publikuar më 30 tetor 2024

Fjalët kyç: kërkesë individuale, refuzim i kërkesës

Kërkesa është dorëzuar nga Avdyl Smajli nga Gjakova, i cili para Gjykatës nuk kontestoi asnjë akt konkret të ndonjë autoriteti publik.

Gjykata i dërgoi një shkresë dhe njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që: (i) të saktësojë aktin e autoritetit publik që po e konteston; dhe (ii) të sqarojë saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutë pretendon se i janë cenuar përmes aktit përkatës të autoritetit publik; si dhe (iii) të bashkëngjisë dokumentet relevante lidhur me rastin. Gjykata kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që sqarimet e lartcekura t’i dorëzojë në Gjykatë në afatin prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve.

Gjykata vërejti nga fletëkthesa se parashtruesi i kërkesës shkresën e Gjykatës e ka pranuar, dhe në përgjigjen e tij drejtuar Gjykatës kishte theksuar se “arsyeja e kësaj kërkese ka të bëjë me pronën time të cilën e kam shfrytëzuar me rreth 20 vite gjegjësisht përmes korporatës sime unë paguaj tatime dhe shpenzimet publike, dhe se më kanë dëbuar nga aty, andaj kërkoj të mbahet një seancë si e domosdoshme për të treguar detajisht ngjarjen”. Mirëpo, Gjykata vërejti se parashtruesi i kërkesës nuk ishte përgjigjur në mënyrë specifike kërkesave të Gjykatës.

Gjykata theksoi se rregulli 54 paragrafi 2 (a) i Rregullores së punës i mundëson Gjykatës që të refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër nëse, ndër të tjera, kërkesa e një parashtruesi është e paplotë dhe e paqartë, përkundër kërkesave të Gjykatës për të plotësuar dhe qartësuar kërkesën përkatëse. Gjykata i është drejtuar parashtruesit të kërkesës me një kërkesë për sqarim, mirëpo edhe pse Gjykata ka tentuar që të marrë sqarimet e kërkuara në shkresë, parashtruesi i kërkesës nuk i ka dorëzuar ato.

Prandaj, Gjykata konstatoi se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak se është e paplotë dhe e paqartë, siç është përcaktuar në paragrafin (2) (a) të rregullit 54 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Avdyl Smajli

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Vendim

Vendim për refuzim të kërkesës