KI136/23, Parashtrues Kamer Kameri, Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktit të paspecifikuar
KI136/23, Vendim për hedhje poshtë të kërkesës, i 4 shtatorit 2024, publikuar më 24 shtator 2024
Fjalët kyçe: pensioni invalidor; kërkesa e paplotësuar; vendim për refuzim;
Parashtruesi i kërkesës ishte i punësuar në termocentralin “Kosova A” në Obiliq. Në vitin 1995, për shkak të lëndimeve të rënda fizike që i kishte pësuar në vendin e punës, e fitoi të drejtën e pensionit invalidor. Parashtruesi i kërkesës thekson se që nga viti 1998 e deri më sot nuk e kishte pranuar pensionin që i takonte. Parashtruesi i kërkesës i referohet raportit të Avokatit të Popullit, i cili kishte konstatuar që aktgjykimi i GJEDNj-së në rastin Grudic kundër Serbisë nuk po zbatohet ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët i kishin realizuar këto pensione deri në vitin 1999. Parashtruesi i kërkesës po ashtu thekson se Qeveria e Kosovës duhet të bëjë pagesën e pensioneve ose të ushtrojë presion ndaj Serbisë për pagesën e tyre.
Gjykata kërkoi nga parashtruesi i kërkesës të plotësonte formularin e kërkesës; të specifikonte aktin e autoritetit publik që e konteston dhe të cekte të drejtat dhe lirit të cilat pretendon se i janë shkelur. Parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë formularin e kërkesës mirëpo nuk ofroi sqarime dhe nuk e plotësoi kërkesën.
Gjykata theksoi se rregulli 54 (2) (a) i Rregullores së punës përcakton që Gjykata mund të vendosë të refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se kërkese është jo e plotë ose e paqartë, përkundër kërkesës së Gjykatës ndaj palës që ta plotësojë ose të qartësojë kërkesën. Në rastin konkret, parashtruesi i kërkesës nuk e plotësoi kërkesën e tij përkundër kërkesës së Gjykatës për ta bërë atë.
Gjykata e refuzoi kërkesën e parashtruesit të kërkesës sipas rregullit 54 (2) (a) të Rregullores së punës.
Kamer Kameri
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Civile